Dy persona nga Saranda, me precedentë të mëparshëm penalë, janë zhdukur në rrethana të paqarta, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se prej ditësh kanë humbur gjurmët me familjarët shtetasit Leonard Thodhori, 46 vjeç, banues në fshatin Çukë, dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarandë.
Policia e Sarandës prej orësh po kryen këqyrje kamerash sigurie, dhe kontrolle të ndryshme. Ende nuk ka një pistë hetimi lidhur me zhdukjen e dy personave, të skeduar edhe më parë nga policia.
Por kush janë ata?
Leonard Thodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa herë. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent në automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar me pas për “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lendeve narkotike dhe i dyshuar si i përfshirë në trafik lëndësh narkotike.
Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar në prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.