Plot 5 milionë euro do të shpenzohen për rikonstruksionin e vilës qeveritare nr.5. Duket se shpenzimet marramendëse të qeverisë Rama nuk kanë të ndalur. Siç shihet edhe nga dokumenti, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, ka finalizuar procedurën e prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.
Objekti i kontratës është “zbatimi, projekt rivitalizimi i rezidencës qeveritare vila nr. 5”.
Ndërsa fondi limit i këtij tenderi është plot 499.696.978 lekë pa TVSH, ose me TVSH plot 5 milionë euro.
Punimet do të kryhen brenda një periudhe kohore prej 6 muajsh, ndërkohë që fitues ka dalë firma “Ad-Star” me vlerë 494.700.008 lekë.
Ofertë kishte edhe firma “AGRI CONSTRUCSION” me vlerë 497.997.756 lekë.
Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë për instalacionin në ambientet e Kryeministrisë, do të shpenzoheshin jo pak, por 4 mln euro.
Shifër e cila shkaktoi debat për ditë me radhë, ku edhe kryeministri Rama u akuzua nga opozita se po shpërdoron buxhetin dhe nuk merr asnjë masë për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të cilëve u është dashur të përballen me rritjen e çmimeve pa asnjë mbështetje nga qeveria Rama.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama për një kohë të shkurtër po shpenzon 10 mln euro.
Kujtojmë se kësaj fature i shtohen edhe vendimet e Arbitrazhit, ndërsa qytetarët përballen me taksa të larta dhe të rinjtë zgjedhin largimin nga vendi, pasi nuk gjejnë asnjë mbështetje.