Ish-presidenti amerikan ndodhet që dje në Berlin dhe sot do të flasë në arenën Mercedes Benz, me biletat e lira – nga 61 në 83 euro – tashmë të shitura.

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ndodhet prej ditës së djeshme në Berlin dhe pasditen e sotme do të shfaqet në “Mercedes-Benz Arena” me mbështetësit e tij të zjarrtë që nxitojnë të rezervojnë biletat për të parë nga afër fjalimin e tij.

“Një mbrëmje me Barack Obamën për sfidat dhe mundësitë e mëdha të kohës sonë”, titullohet eventi me biletat që arrijnë në 600 euro, siç shkruan shtypi gjerman.

Biletat më të lira – prej 61.10 euro dhe 83.10 euro tashmë janë shitur, komenton rrjeti gjerman “n-tv”. Por nëse dikush dëshiron ta shikojë Obamën nga afër, do t’i duhet të gërmojë thellë në xhepat e tyre.

Konkretisht, për të marrë të ashtuquajturën “Bileta e Artë”, ai do të duhet të paguajë shumën prej 600 euro. Kjo përfshin një pije në pritje, darkë në restorantin e arenës dhe ulëse në rreshtin e tretë ose të katërt nga skena.

Por ka edhe “pass” që është për pak dhe elitë, për ata që janë të gatshëm të paguajnë shumën prej 2500 euro.

Me marrjen e “Vip Pass Ekskluzive”, mbajtësit e saj do të mund të bëjnë një selfie me Barack Obamën. Natyrisht, truprojat e ish-presidentit amerikan si dhe agjentë sekretë do të jenë në krah të tij duke kryer një kontroll të gjerë për arsye sigurie, siç raporton rrjeti gjerman “t-online.de”.

Mbrëmë, Obama shijoi një darkë në një restorant italian në Berlinin Perëndimor me ish-kancelaren Angela Merkel dhe bashkëshortin e saj, Joachim Sauer.

Obama po qëndron në hotelin “Adlon”, në “zemrën” e Berlinit. Sot ai do të japë më të mirën në arenën e brendshme shumëfunksionale Mercedes – Benz.

Arena, e cila u hap në kryeqytetin gjerman në vitin 2008, ka një kapacitet prej 17 mijë spektatorësh dhe përdoret për hokej mbi akull, basketboll dhe koncerte, siç shkruan gazeta gjermane “Die Zeit”.

Që nga fundi i presidencës së tij gjashtë vjet më parë, presidenti i parë afrikano-amerikan në SHBA ka bërë një pasuri duke shkruar libra dhe duke dhënë leksione në mbarë botën.

Së bashku me bashkëshorten e tij Michelle Obama, ata vizituan Spanjën të premten e kaluar për të ndjekur koncertin e këngëtarit të njohur Bruce Springsteen. Koncerti u zhvillua të shtunën në Barcelonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb