Ish-futbollisti i njohur brazilian, Dorival Guidoni Junior apo siç e njohin të gjithë me emrin Doriva, ka rrëfyer eksperiencën e tij në stolin e Kombëtares shqiptare. Që nga muaji janar ai së bashku me Silvinjon dhe Zabaletën pranoi ofertën kuqezi dhe nisi menjëherë nga puna si ndihmës trajner për të përgatitur sa më mirë rrugëtimin e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024.
Për Dorivën pesë muajt e parë kanë qenë vërtetë të bukur në një vend si Shqipëria, që ai e vlerëson shumë ashtu si edhe njerëzit, të cilët e kanë bërë të ndihet si në shtëpi. Tekniku shpjegon edhe punën me Kombëtaren.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem në Shqipëri, ndihem vërtetë mirë këtu, është një vend shumë i bukur. Klima është e shumë e mirë, të gjithë njerëzit me të cilët punojmë çdo ditë janë mjaft të zotë.
Jemi çdo ditë duke punuar në zyrë, ndihem mirë dhe më pëlqen të punoj këtu. Është një vend ku njerëzit sillen shumë mirë me të huajt, edhe kur dal dhe takohem me njerëz jashtë ambienteve të punës takoj njerëz shumë të sjellshëm. Kjo më bën shumë të lumtur.
Të punosh me një ekip kombëtar është një punë ndryshe, jemi çdo ditë duke punuar në zyrë me stafin, duke parë videot e ndeshjeve dhe lojtarëve, por për ne kur jemi bashkë në grumbullim është diçka tjetër, sepse duke stërvitur çdo ditë lojtarët dhe duke folur me ta nga afër, është diçka që një ish-futbollist e pëlqen shumë”, thotë ndihmës trajneri i Kombëtares në intervistën e tij për Fshf.org.
Më tej, braziliani tregon edhe eksperiencën gjatë grumbullimit të parë për ndeshjen e marsit ndaj Polonisë, ndërsa shprehet i emocionuar për “debutimin” në shtëpi ndaj Moldavisë më 17 qershor. Doriva thekson se ka shumë besim te kjo skuadër dhe është i bindur se do të bëjmë një paraqitje të mirë para tifozëve tanë, duke marrë edhe tre pikët.
“Për këtë punojmë në botën e futbollit, sepse kemi pasionin për të qenë gjithmonë pranë fushës, kështu që për ne është diçka shumë e mirë kur jemi duke punuar me lojtarët në grumbullim. Është ndryshe sepse në klub punohet çdo ditë, kurse me kombëtaren punon me lojtarët në fushë një herë çdo tre muaj. Grumbullimi i parë që bëmë këtu për ndeshjen me Poloninë ka qenë shumë i mirë, kemi lojtarë shumë të mirë, dhe punojnë fort, gjë që më pëlqen shumë.
Jemi shumë të emocionuar për ndeshjen e radhës me Moldavinë, sepse është hera e parë që luajmë para publikut tonë në Tiranë. Është diçka krejt tjetër të luash në shtëpi para tifozëve të tu, jam shumë i lumtur që do të luajmë ndeshjen ndaj Moldavisë në fushën tonë. Kam besim se do të bëjmë një paraqitje shumë të mirë në mënyrë që ta fitojmë këtë sfidë”, – tha ndër të tjera Doriva në rrëfimin e tij për Fshf.org.