Genc Burimi ka bërë një analizë sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë, situatë e tensionuar pas ditëve protesta të dhunshme në Veri dhe përplasjeve mes qytetarëve serbë dhe forcave të KFOR-it.
Analisti Burimi ka vendosur një paralele mes situatës së Kosovës dhe asaj të Ukrainës, ku Perëndimi i kërkoi të mos reagonte kur Putini rrëmbeu Krimenë në 2014.
Ai shtoi se politikani që po bën tashmë ligjin në rajon është presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili me veprimet e tij kërcënon Perëndimin me lejim të një ndikimi më të madh rus në Rajon, dhe kundërpërgjigja e Perëndimit, është “hakërrimi ndaj Kosovës”.
Reagimi i plotë:
Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia më 2014, pranohet gjerësisht sot se vendet perëndimore u gabuan rëndë me strategjinë e heshtjes që ndoqën. Në vend që Rusia të vihej që në atë moment nën sanksione të gjithanshme, Perëndimi, SHBA dhe BE vazhduan ta trajtonin Putinin si partner të besueshëm. Biles, Gjermania shkoi deri në mbylljen e syve ndaj agresionit të Putinit në Krime, sa e “shpërbleu” atë me linçimin e projektit të gazsjellësit North Stram 2. Rezultati u pa më 24 shkurt 2023, ku e pangopur me Krimenë, Rusia është hedhur në ofensivë për të gllabëruar gjithë Ukrainën.
Në divergjencat Kosovë-Serbi që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, ka një konstante: sa herë mosmarrëveshja midis dy palëve bëhet serioze, Presidenti serb, Vuçiç, si ai rus, Putin, ka si me buton vetëm një opsion: mobilizimin e ushtrisë serbe dhe dërgimin e saj në kufi me Prishtinën. Perëndimi po ashtu vazhdon të ketë të njëjtin refleks, si ai me Rusinë, përkëdheljen e kurrizit autokratëve me shpresën se më pas ata do të qetësohen, urtësohen.
Rasti i fundit me Beogradin është flagrant: Vuçiç tregon sërish dhëmbët me ushtrinë dhe kërcënime për luftë ballkanike që mund të çojnë në konflikte të përmasave të 1914-ës, por Perëndimi preferon t’i hakërrohet Prishtinës, duke i kërkuar të shkelë mbi Kushtetutën e saj dhe shtetin e së drejtës që vetë Perëndimi e ngre në piedestal nga mëngjesi në darkë si gjëja më e shenjtë e demokracisë që duhet mbrojtur me çdo kusht. Duhet besuar se në rastin e Kosovës paska kushte gjeopolitike më të rëndësishme se vlerat e shtetit të së drejtës! Çfarë leksioni kurioz demokracie po jep Perëndimi ku duket sikur i thotë Prishtinës dhe Ballkanit “ligjin e bën Vuçiçi”.Kështu iu tha dhe Ukrainës më 2014 se duhet ta mbyllte gojën kur Rusia i rrëmbeu Krimenë, sepse ashtu e donte interesi gjeopolitik që tëmos hyhej në luftë me fqinjin e frikshëm. Jo vetëm kaq, por iu kërkua me pas Ukrainës të bënte lëshime dhe në territore të tjera si ai i Dombasit për t’i dhënë më shumë autonomi rusëve që jetonin aty dhe të kënaqej kështu oreksi i Putinit. Ukraina u detyrua kështu me hir ose pahir të firmoste të famshmet apo të trishtat marrëveshje Minsk 1 dhe Minsk 2, të cilat Putini i shkeli siç dihet me këmbë sepse nuk qe vetëm Dombasi që i interesonte, por e gjithë Ukraina.
Kosovës sot, Perëndimi me naivitetin e tij dhe me mos nxjerrjen e mësimeve nga Ukraina, po i skicon ekzaktësisht të njëjtin skenar: i kërkohet Kosovës të pranojë të krijojë një Donbas të dytë në territorin e saj, në pjesën veriore të Mitrovicës. Marrëveshjet Minsk 1dhe 2 kanë sinonim “Asociacionin e komunave me shumicë serbe” të Kosovës. Situata është edhe më ironike në rastin e Kosovës, sepse Presidenti serb e thotë botërisht që “dua gjithë Kosovën”, ndërkohë që Putini të paktën e fshehu lojën e tij dhe e tregoi në momentin e agresionit të Ukrainës se donte gjitha Ukrainën dhe jo vetëm Dombasin.
Është e qartë për këdo se “asociacioni” është vetëm një pretekst, apo aperitivi, përpara “gostisë” së madhe që përgatit Serbia për të rimarrë një ditë, qoftë edhe me luftë gjithë Kosovën. Të njëjtin skenar për një Serbi të Madhe ka Beogradi edhe me instrumentalizimin e serbeve të Bosnjës e deri në Malin e Zi, ku partitë pro serbe priten të fitojnë në zgjedhjet legjislative të qershorit. Revanshi serb për të rimarrë Kosovën ka shokuar dje edhe në Paris, ku në mesin e turneut ndërkombëtar të tenisit Roland Garros, sportisti nacionalist serb Novak Xhokoviç shpalli “Kosova është Serbi”. Pse vendet perëndimore me SHBA-të në krye, po i tolerojnë kaq gjatë këto provokime tëSerbisë?
SHBA-të frikësuara nga një pakt Vuçiç – Putin?
Sado e pabesueshme të jetë, duket se SHBA-të po tregojnë shenja frikësimi ndaj Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit duket sikur është ulur mbi një fuçi baruti nga ku shantazhon Uashingtonin dhe mbarë Perëndimin: o bëni si them unë, ose e shtroj Rusinë këmbëkryq ne Ballkan. Vuçiç tjerr fijet e katër poleve “të nxehta” me serbë në rajon: serbët e Bosnjës, serbët e Malit të Zi, serbët e Kosovës dhe natyrisht krahu nacionalist serb në vetë mbarë Serbinë. Skenari i një Bashar El Asad që i hapi portin mesdhetar sirian të Tartuzit Putinit, duke i dhënë sot Rusisë të vetmen bazë në Mesdhe nga ku kërcënon dhe vetë Izraelin është ende traumatizuese për amerikanët.
E megjithatë, më 2016, Franca që është aq e matur në mos hapje konfliktesh, i propozoi Presidentit Obama që të dyja fuqitë e NATO-s të shënjestronin pallatin presidencial të Basharit në Damas dhe të eliminonin me një sulm ajror të gjitha regjimin sirian destabilizues për botën. Obama hezitoi dhe atë gabim fatal e shfrytëzoi Putini që i propozoi menjëherë mbrojtje Sirise. El Bashar, armiku i SHBA-ve dhe i Perëndimit është “normalizuar” sot në sferat diplomatike dhe biles ka akses dhe në tryezën e Lidhjes Arabe. Vuçiç me këtë shantazh po luan. Të ftojë Rusinë të instalohet në Serbi siç e bëri Bashari në Siri. Për momentin, Vuçiç ka dy “teka”, të cilat Perëndimi i frikësuar po ia plotëson, në pritje të tekës së tretë që nuk do vonojë nëse SHBA-të vazhdojnë të zmbrapsen në përballjen me udhëheqësin e Beogradit.
Kapriçoja e parë e Vuçiçit, megjithë sjelljen e tij në dem të interesave të perëndimorëve, është integrimi në Europë, ose të paktën aksesi në financimet bujare europiane gjatë periudhës së negociatave në pritje të integrimit. Kjo tekë i është plotësuar më së miri Presidentit Serb edhe si një lloj kompensimi ndaj shkëputjes së Kosovës. Logjikisht BE-ja duhet të ishte treguar më e ashpër dhe duhet t’i kishte ndërprerë negociatat për integrim për shkak të natyrës autoritare të regjimit serb ku opozita dhe mediat janë të ndrydhura; për shkak të bashkëpunimit të pushtetit në Serbi me banda kriminale dhe mafioze serbe, siç e analizonte në detaje një artikull i “New York Times”, duke krijuar shqetësim deri në Senatin amerikan; për shkak të refuzimit të Vuçiçit për t’i vënë sanksione Rusisë; për shkak të refuzimit të Vuçiçit për të njohur Shtetin e Kosovës.
Veçse Bashkimi europian vazhdon t’ia mbajë dyert hapur Serbisë pa i vënë asnjë kusht në lidhje me katër mëkatet e mësipërme: regjim autoritar, regjim i korruptuar, regjim pro armiqve të Perëndimit siç është Rusia, regjim që nuk do që të njohë kufijtë dhe integritetin territorial të fqinjit kosovar.
Kapriçoja e dytë që Vuçiç u bën perëndimorëve, është që t’i ketë duart e lira të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, duke manipuluar serbet e Kosovës. Kjo tekë ka shkuar deri në atë pikë sa është Vuçiç personalisht, që negocion për asociacionin e komunave me shumicë serbe të Kosovës. Ekzakt si në periudhën kur Putin negocionte personalisht marrëveshjet Minsk 1 dhe 2 për Dombasin e Ukrainës. A imagjinohet një sekondë e vetme të tolerohej Shqipëria të negocionte në një tryezë me BE-në, SHBA-të dhe Beogradin për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që të krijohet edhe aty një “asociacion” i ngjashëm me atë që Beogradi kërkon në Kosovë?
Vuçiç do kishte qeshur me këtë pleksje të Shqiperisë, europianët do na kishin kërcënuar me pezullim të negociatave për integrim, ndërsa SHBA-të me siguri do të kishin nxjerrë armën fatale të “non grata” kundra çdo udhëheqësi të Shqipërisë, që do të guxonte të interesohej për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, në Maqedoni të Veriut apo Mal të Zi. Atëherë perse i tolerohet Vuçiçit një kapriço që nuk do t’i tolerohej asnjë lideri tjetër ballkanik?
Kapriçoja e tretë e Vuçiçit që ende nuk është shfaqur, por që përballë gjunjëzimit të pandalshëm para tij të Perëndimit ajo nuk do të vonojë të ngrejë kokë, ka për të qenë kërkesa zyrtare e Beogradit që vendet perëndimore që kanë njohur Kosovën, me SHBA-të në krye, ta “çnjohin” atë, domethënë t’i japin fund pavarësisë së Kosovës! Sado tragji-komike të tingëllojë një çmenduri e tillë, shembulli rus që kërkon të gëlltisë gjithë Ukrainën tregon se të “çmendurit” e vërtetë janë ata që nuk u paraprijnë skenarëve të zjarrvënësve rajonalë. Kjo vlen në radhë të parë për ne shqiptaret. Nuk duhet të kemi iluzione.
Jo vetëm që kjo Serbi nuk do ta njohë kurrë Kosovën, por tashme falë peshës fatale gjeopolitike që ajo mbart si një strofull e ngrohtë për ariun rus, Serbia ka nisur rrugëtimin për “zhbërjen” e pavarësisë së Kosovës për të bindur edhe vetë ato vende që janë në origjinë të krijimit të Shtetit të Kosovës të distancohen nga Prishtina. Ndryshe nga ç’e imagjinojnë shqiptaret, SHBA-të nuk luftuan për pavarësinë e Kosovës sepse duan më shumë shqiptarët sesa serbët apo ndonjë komb tjetër përreth. Biles, është rasti këtu të çmontohet një tjetër iluzion të madh që kemi ne shqiptarët.
Presidenti i famshëm amerikan, WoodrowWilson, të cilit shqiptarët ia detyrojnë ekzistencën e tyre si shtet, në planin e tij të famshëm të paqes me 14 pika që ai lexoi solemnisht para Kongresit Amerikan më 8 janar 1918, Shqipëria jo vetëm që aty s’përmendet fare, por në pikën 11 të atij plani paqeje Presidenti Wilson shqetësohej botërisht për Serbinë me këto fjalë: “Serbisë i duhet garantuar një akses në det i lirë dhe i sigurt”! Për Shqipërinë pala amerikane u përmend dy vjet më vonë, më 1920, kur u shfaq rreziku italo-grek dhe pas një lobimi të fuqishëm të Nolereve dhe Konicave shqiptare në SHBA.
Mbrojtja e pavarësisë së Kosovës në kohët moderne i përgjigjet një interesi amerikan të caktuar, i cili koincidon me interesat kombëtare të shqiptarëve. Ky interes amerikan është bllokimi i aksesit rus në Ballkan dhe në detin Adriatik. Vetëm me anë të detit Rusia mund të sjellë armatime dhe konflikte në zemër të Europës sepse rrugët tokësore dhe ajrore bllokohen lehtë nga vende aleate. Gjatë luftës së ftohtë qe “fati” që e ndihmoi Amerikën dhe Europen Perëndimore që Rusia të mos vinte në brigjet e Adriatikut për t’i bërë karshillëk Italisë dhe gjithë vendeve anëtare të NATO-s.
Ai “fat” emërohej Tito dhe Enver Hoxha, të cilët që të dy u prishën me Moskën, njëri për ta bërë ish-Jugosllavinë vend asnjanës si Finlanda apo Austria dhe tjetri për ta bërë Shqipërinë një vrime boshe në hartën e botës. Por, me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe me pasigurinë se çfarë pushteti do të vinte mbrapa në Moske, SHBA-ve u duhej ta bënin fasadën adriatike hermetike njëherë e përgjithmonë ndaj ndonjë “cari” të ardhshëm rus, ne atë moment në Ish-Jugosllavi po lindte një “car” i vogël i quajtur Millosheviç. Ky “hermetizim” i fasadës Adriatike u mori nje cerek shekulli amerikanëve.
Nga 1991 kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë me pavarësinë e Sllovenisë e deri më 2017, kur vendi i fundit ish-jugosllav, Mali i Zi, hyri në NATO, SHBA-të u kujdesën që të gjitha vendet e bregdetit Adriatik, duke përfshirë dhe Shqipërinë, (me 2009) të hynin në NATO, që do të thotë se Moska nuk ka më asnjë port për të zbarkuar trupa dhe armë në zemër të Europës. Dhe amerikanët patën shumë të drejte që i kushtuan dy dekada e gjysmë projektit të një Adriatiku atlantist, sepse një “car” i ri lindi ne Rusi në vitet 2000 me Vladimir Putinin, i ndjekur nga lindja e një tjetër “cari” të ri në rrënojat e ish-Jugosllavisë, Aleksandër Vuçiç, presidenti nacionalist i Serbisë, por ish-ministri Informacionit të Sllobodan Millosheviçit.
Rreziku aktual për Perëndimin është po ai si në të kaluarën e afërt, rikthimi i Rusisë në Adriatik si në fillimet e luftës së ftohte kur Moska kishte partnerë Titon dhe Hoxhën. Pika më e dobët e fasadës hermetike së NATO-s në Adriatik është Mali i Zi. Si në një lojë shahu, “cari” modern i Serbisë, Vuçiç, me ndihmën e Kishës Ortodokse Serbe po aktivizon pjesën serbe të Malit të Zi të marrë të gjitha pushtetet, në mënyrë që më pas ata të kenë në dorë po qe nevoja dhe daljen nga NATO te Malit të Zi dhe bërjen e saj vasale të Serbisë dhe Rusisë, siç po shndërrohet sot Bjellorusia ndaj Rusisë.
Ky do të ishte një skenar katastrofë për amerikanët, për shqiptarët dhe për mbarë BE-në. Perëndimi që i ka parasysh të gjitha skenarët e mundshëm e ka vendosur një strategji që duket e gabuar, sepse ajo konsiston “ta ketë mirë” me Vuçiçin sesa t’i tregojë atij limitet.
Kjo strategji është e dëmshmepër shqiptarët sepse dihet ku ajo fillon, por nuk dihet se ku mbaron sepse ajo mund të çonte, në rastin e një hipoteze pesimiste, deri në “sakrifikimin” e Kosovës si mollë shkëmbimi që Serbia t’i kthejë kurrizin Moskës dhe të behet me kampin perëndimor. Ky është rreziku për të cilin shqiptarët kanë detyrimin historik të bëhen të ndërgjegjshëm dhe të punojnë sa me zgjuarsi, aq dhe me pathyeshmëri ne qëndrime që ajo të mos realizohet.
Strategjia e gabuar perëndimore në Ballkanin Jugperëndimor
Për të evituar skenarin e rivasalizimit të Malit të Zi ndaj Serbisë dhe më pas ndaj Rusisë, amerikanët vendosën me të gjitha mënyrat të mbështesnin politikisht, elementin properëndimor në Mal të Zi, Milo Xhukanoviç. Kjo mbështetje e verbër perëndimore i dha Xhukanoviçit një jetëgjatësi politike të papare, mbi tri dekada, dhe e mbajti të ankoruar Malin e Zi në kampin perëndimor, por që po njeh një perfundim të ngjashëm me atë që i ndodhi elementit pro perëndimor në Afganistan, ish-Presidentit Ashraf Gani.
Kur një politikan në një vend me demokraci të pakonsoliduar merr një mbështetje të verbër nga superfuqia numër një në botë, ai ka tendencë të abuzojë me pushtetin. Që të dy, edhe Xhukanoviç, edhe Ashraf Gani, u zhytën në një korrupsion galopant e të padurueshëm për popullatën, e cila ua tërhoqi besimin politikanëve të korruptuar që gëzonin bekimin e amerikanëve. Vakumin post-Xhukanoviç në politikën malazeze po e mbushin elementet pro-serbe dhe pro-ruse, ndërkohë që në Afganistan u rikthyen barbarët talibanë. SHBA-të nuk qenë në gjendje t’i pengonin këto zhvillime, aq i fortë është zhgënjimi i popullatave ndaj elitave të korruptuara.
Aktualisht, duke parë që në Mal të Zi situata mund të shpëtojë fare nga duart me zgjedhjet legjislative të 11 qershorit me marrjen e pushtetit nga parti të afërta me Beogradin, që mund të venë në pikëpyetje dhe vetë praninë e Malit të Zi në NATO, SHBA-të kanë vendosur atëherë të ndjekin strategjinë e afrimit me Vuçiç. Nëse Presidenti i Serbisë zgjedh kampin perëndimor në vend të tundimit për nga Moska, atëherë edhe Mal i Zi nuk do të devijojë nga rruga e Perëndimit shpresojnë strategët amerikanë. Por strategjia është si një lotari, ajo mund të funksionojë, por edhe mund të mos funksionojë. Kështu duhen kuptuar edhe rezervat e “Nju Jork Times” apo edhe senatorëve amerikanë përse Departamenti i Shtetit mbështet Vuçiçin kur shumë elemente tregojnë se Presidenti serb nuk ndan të njëjtat vlera me Perëndimin.
Në vend që të zgjidhnin rrugën e forcës, sanksione ekonomike ndaj Serbisë, izolim ndërkombëtar të Serbisë e deri në ndërprerje të procesit të integrimit europian për shkak të politikes së dëmshme brenda dhe jashtë vendit të Aleksander Vuçiç, administrata aktuale amerikane ka zgjedhur rrugën e joshjes së Vuçiçit me shpresën që ai mos të krijojë tensione gjetiu në Ballkanin perëndimor.
Kjo joshje përfshin:
-investime të jashtëzakonshme amerikane në Serbi (mbi 15 miliardë dollarë sipas dhomës së tregtisë amerikane në Beograd).
– detyrim amerikan për BE-në të vazhdojë negociatat për integrim me Serbinë. Biles një format i ri negociatash është konceptuar që u lejon vendeve që janë në negocim për anëtarësim të marrin që tani fonde europiane sikur të ishin vende anëtare.
-nënshtrim të udhëheqësve të Kosovës nënegociatat me Serbinë. Kjo filloi me planin Trump për ndarjen e Kosovës që Thaçi e pranoi, por jo Haradinaj dhe Kurti.
Më pas administrata Biden u përpoq ta largojë Kryeministrin “kokëfortë”, Albin Kurti, por që kosovarët me votën e tyre të lirë e zgjodhën dy herë. Dhe tani SHBA-të, gjithmonë për t’i treguar vullnet të mirë Vuçiçit nuk hezitojnë as ta poshtërojnë publikisht Kryeministrin e Kosovës, duke i kritikuar pse çon kryebashkiakët e rinj në zonat me shumicë serbe, ndërkohë që më parë vetë SHBA-të i kishin hapur dritën jeshile Kurtit që t’i organizonte zgjedhjet lokale megjithë bojkotin e pakicës serbe.
Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, duket sikur SHBA-të mbajnë krahun e Serbisë në negociatat me Kosovën, duke i kërkuar Kurtit të njohë faktorin serb ne Kosovë me anë të krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pa i kërkuar Serbisë të njohë Kosovën. Synimi duket joshja me çdo kusht e Serbisë për ta larguar atë nga Rusia
– dhe së fundmi kjo joshje amerikane ndaj Vuçiçit shfaqet dhe në krijimin me Shqipërinë fqinje të një politike miqësore ndaj Vuçiçit nëpërmjet Edi Ramës. Ky i fundit është i instruktuar nga Departamenti i Shtetit që të mbajë nga njëra ane marrëdhënie të shkëlqyera me Presidentin serb deri në atë pike sa për t’i pëlqyer Vuçiçit të mos hezitojë të kritikojë publikisht “vëllain e tij të gjakut”, Albin Kurti.
Kjo marrëdhënie “bizar” e një lideri të Shqipërisë mik me Beogradin dhe kundërshtar me Prishtinën është e paparë që nga lindja e shtetit shqiptar më 1912. Edi Rama veproi po ashtu pa u menduar gjatë edhe kur administrata e mëparshme e Trumpit i kërkoi të mbështeste projektin e shkëmbimit të territoreve që rezultonte në një ndarje të Kosovës. Për Ramën, mesa duket, ka më pak rëndësi imazhi që do lërë në histori, sesa etja për pushtet në Tiranë që mund ta mbajë, ashtu si Xhukanoviçi për një farë kohe, vetëm me ndihmë “nga jashtë”. Ironia bëhet edhe me therëse në rastin e kritikave të Kryeministrit te Shqipërisë ndaj “vëllait” të tij të, Kosovës, përse ky i fundit çoji kryebashkiakë në zonat ku serbët nuk shkuan në zgjedhje. Rama harron me këtë rast se ai vetë nuk e pati fare problem të merrte më 2019, në respekt të Kushtetutës gjitha bashkitë e Shqipërisë pa zgjedhje pas bojkotit të opozitës. P
o ashtu, kur Edi Rama i kërkon Albin Kurtit të mos respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe të mos ngrejë flamurin e Kosovës disa bashki të territorit të Kosovës, ai harron se për veten e tij gjeti mbrojtje te Kushtetuta dhe parimet e Shtetit të së drejtës për të justifikuar arrestimin dhe burgimin e kryebashkiakut të zgjedhur shqiptaro-grek të Himarës.
– së fundi, në vazhdën e krijimit të një klime të favorshme pro-Vuçiç në Shqipëri, SHBA-të shpallen edhe Berishën persona non grata duke e justifikuar si një gjest lufte kundër korrupsionit që Berisha kishte kryer sipas amerikaneve 10 vite më parë kur kish qenë në pushtet.
Pak besohet se me të njëjtën arsye SHBA-të do ta shpallin tani edhe Xhukanoviç non grata për korrupsionin e vërtetuar që ai ka kryer kur ka qenë në pushtet. Në realitet, është diskursi anti-Vuçiç i Berishës që i frikëson amerikanët. Një rikthim i Berishës në pushtet me një fjalor aq anti-Vuçiç, të cilin e trajton si të birin shpirtëror të Millosheviçit, do të ndërlikonte strategjinë globale të perëndimorëve që konsiston në joshjen dhe jo në anatemimin e Presidentit të Serbisë për të evituar një front të dytë luftë me Rusinë në Ballkan pas atij në Ukrainë. Është interesante për t’u parë tani edhe pozicionimi i Lulzim Bashës dhe në tërësi i grupit drejtues të PD-së së vulës, ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovë.
A do ta dënojnë edhe ata Albin Kurtin duke treguar qartë se ashtu si Edi Rama kërkojnë t’u pëlqejnë amerikanëve për të shpresuar të vijnë një ditë në pushtet? Apo do ta dënojë Lulzim Basha dhe oborri i tij Akleksander Vuçiçin duke rrezikuar me këtë rast të japin sinjalin se amerikanët gabohen? Po meqenëse Amerika nuk është gabuar me “non grata”-n, ajo nuk mund të kritikohet përqëndrimin ndaj Kosovës. Prandaj me siguri “i rikthyeri” Basha do zgjedhë strategjinë e heshtjes në dosjen e Kosovës, ashtu si Tito në kohën e vet, as Lindje, as Perëndim…
Konkluzion: sanksionet dhe jo joshja, “arma” me efikase ndaj Serbisë
Askush nuk është profet për të parashikuar sesi do të jetë e ardhmja. Por e kaluara mund të shërbejë si busull. Tolerimet e Perëndimit ndaj aksioneve hegjemonike të Putinit, nuk evituan as luftën në Ukrainë, as sanksionet perëndimore kundër Moskës. Por, nëse sanksionet do të ishin ndërmarrë në kohen e duhur, më 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe kur ishte më e dobët sesa sot, mbase nuk do ta kishim pasur luftën në Ukrainë.
Curçill pati atë shprehjen e famshme ndaj perëndimorëve që e toleruan Hitlerin në marrëveshjen e Munihut më 1938 duke i lejuar të aneksonte një pjesë të Çekosllovakisë me shpresën se do kënaqej me aq: “Kishit opsionin për t’i bërë luftë Hitlerit apo për t’u përkulur me humbje nderi. Zgjodhët të humbnit nderin, por patët edhe luftën”.
Perëndimi e humbi rastin t’i shpallte luftë ekonomike Rusisë në momentin e duhur më 2014, duke shpresuar se Putin do të mjaftohej me Krimenë. Historia tregoi si më 1940, se me diktatorin imperialist nuk e shmang dot një moment luftën. Të paktën Perëndimi mos ta përsërisë këtë gabim me Serbinë dhe t’i shpallë luftë ekonomike sa nuk është ende vonë. Serbia e Vuçiçit nuk ka këllqet e Rusisë sepse nuk ka hidrokarburet e stepave të Rusisë.
Edhe në rast se situata konfliktuale ashpërsohej midis Perëndimit dhe Serbisë në atë pikë sa kjo të thërriste në ndihmë Putinin, Rusia do ta ketë të pamundur ta ndihmojë ushtarakisht Serbinë pa rrugë detare. Ketë akses detar që Rusia e shpreson aq shumë nëpërmjet Malit të Zi. Është ky momenti i volitshëm që të eliminohet njëherë e mirë rreziku nacionalist serbo-rus në Ballkan.
Nëse objektivi amerikan dhe ai perëndimor është shkëputja njëherë e përgjithmonë e Serbisë nga aleanca me Rusinë imperiale, kjo do të realizohej më mirë me anë të metodës se forcës, sanksione ekonomike dhe bojkot total ndaj Serbisë sesa me anë të joshjes. Një Serbi nën regjimin e sanksioneve ekonomike, po aq të ashpra sa ç’janë ato sot ndaj Rusisë, do ta shtynte popullin serb të revoltohej kundër elitave të tij nacionaliste pro-ruse. Nacionalizmi nuk të ushqen, por të varfëron.
Sot, Vuçiç mburret, dhe me të drejtë, para rinisë së vendit të tij se ka mbështetjen e Perëndimit. Sot, Vuçiç mburret para kombit të tij, se të jesh pro-rus, të mbrosh serbët e Kosovës deri duke mobilizuar ushtrinë, të mos njohësh pavarësinë e Kosovës, biles ta sabotosh pavarësinë e Kosovës, duke penguar vende të tjera ta njohin, të gjitha këtu jo vetëm që nuk shihen me sy të keq nga Perëndimi, por biles edhe inkurajohen sepse është Kryeministri i Kosovës që kritikohet botërisht dhe jo Serbia. Sot, rinia e Serbisë konstaton se ajo, ndonëse ka lidera nacionalistë dhe prorusë, gëzon lëvizje pa viza në Europë, ndërsa kosovarët viktima në të kaluarën të ofensivave gjenocidare serbe qëndrojnë të mbyllur si në burg.
Të jemi të sigurt, se ditën kur të gjitha këto avantazhe do t’i ndërpriteshin Serbisë së Vuçiçit, pushteti i tij do të fillojë të lëkundet nën presionin popullor. Në vend të joshjes amerikane ndaj Serbisë nevojitet një pranverë e vërtetë revolte serbe për ta afruar Serbinë ndaj vlerave të Perëndimit dhe për ta larguar atë nga Rusia cariste. Janë të shumtë edhe serbët properëndimore që ëndërrojnë për një të ardhme tjetër për vendin e tyre larg eksperimenteve gjeo-nacionaliste të liderëve të tyre proruse.
Duke i vënë sa më shpejt, pa humbur më shumë kohë sanksione regjimit të Vuçiçit, në vend që t’i fërkojë atij kurrizin, Perëndimi e para se gjithash Europa do t’i bënte së fundmi shërbim jo Kosovës, por vetes. Një Serbi nacionaliste është një vatër e përhershme tensionesh në zemër të Evropës, që me ndihmën e Rusisë mund të provokojë një 1914 të dytë.
“Nacionalizmi është Lufta”, thoshte Fransua Miterrand më 1995 dhe pak vite më vonë mbyllej cikli i luftërave në ish-Jugosllavi, aty ku lindi dhe konflikti i parë botëror. Por më 2023, në turneun e Grand Slam të tenisit në arenën festive pariziane të Roland Garros, një Novak Xhokoviç risjell fantazmat e së shkuarës me lajthitjen nacionaliste “Kosova është zemra e Serbise”.
Kur një sportiv serb i nivelit botëror “ballkanizon” edhe evenimente të paqme sportive në zemër të Parisit, duke menduar për luftë sa herë godet mbi një top tenisi, është pikërisht ky mentalitet i mbrapshte serb që duhet luftuar në embrion sa nuk është vënë duke e vendosur Serbinë nën një regjim të rreptë sanksionesh deri sa ajo të pranojë realitetin e pakthyeshëm të Rusisë putiniste armike dhe të një Kosove të pavarur.
(BalkanWeb)