Ish-kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha, është shprehur se humbja e tij në këtë bashki erdhi si pasojë e makinerisë elektronike të votimit.
Komentet Hoxha i bëri gjatë një interviste në Panorama TV, ku tha se për qytetarët votonte administrata dhe operatorët dhe sipas tij, një person me një kartë identiteti mund të votonte në 10 qendra të ndryshme.
Ai shtoi se KQZ nuk i ka vendosur në dispozicion opozitës pamje të qarta, që vërtetojnë vjedhjen e votës.
“Rezultati nuk ishte i pritshëm, pasi të gjitha sondazhet si të majta dhe të pavarura tregonin epërsinë tonë. Ky rezultat është i paparashikueshëm edhe nga kundërshtari politik. Absolutisht nuk e perceptonte njeri që të përmbysen 21 mijë vota në një afat kohor prej një viti e gjysmë. Nga 70 % që ishte PD ndodhi e kundërta që 70 % shkoi PS. Ne nuk parashikuam makinerinë kriminale të votës.
Kjo ndodh vetëm në një mënyrë, pa përjashtuar format e tjera të joshjes, të intimidimeve, të zhavorit elektoral, etj. Por faktori esencial që nuk i jep dot shpjegim asnjë analist politik, nuk e justifikon dot pa një anomali statistikore. Unë kam humbur vota, çka mund ta bëjë të mundur vetëm elektronika, vetëm programimi elektronik. Unë vetëm për një gjë ndihem borxhli ndaj shumicës dërmuese që më kanë votuar. Në aspektin e implementimit të votimit elektronik në Kamzë, Kamza u përzgjodh jashtë çdo lloj procedure. Ky është realisht një mision i pamundur. Misioni arrihet me votë, jo me teknologji e kompjutera.
KQZ nuk më ka vënë në dispozicion asnjë prej fakteve dhe dokumenteve, që unë të bindja opinionin publik që Kamza është si një ndeshje e trukuar me rezultat konkret. Një person mund të votonte me 10 karta të ndryshme identiteti në qendra të ndryshme votimi. Këto nuk janë akuza. I vetmi reagim nga këto kërkesa na janë vënë në dispozicion copëza, por ato pamje nuk tregojnë qartë gjithçka. Ne i kemi bërë publike shqiptarëve që administrate përfshihet në mënyrë aktive duke votuar vetë. Për qytetarët voton operatori dhe komisioneri. Për votuesit voton operatori.
Do të kërkojmë shpallje të pavlefshme të procesit dhe rivotim. Që të implementohet një votim elektronik duhen pyetur të dyja palët. Ne nuk jemi pyetur fare nëse duhet implementuar apo jo votimi elektronik. Nuk janë trajnuar asnjë prej anëtarëve të komisionit apo vëzhguesit tanë. Na është caktuar data e zgjedhjeve. E kemi fituar me votat e Kamzës, por nuk e kemi fituar përballë makinerisë elektorale. Ne jemi regjistruar në minuta shtesë në zgjedhje. Nuk mund të bënim ankesë kur nuk ishim ende palë në proces”, u shpreh Hoxha”, u shpreh Hoxha.