SPAK ka zbardhur detaje të reja nga skema e korrupsionit, ku sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, përfitoi 330 mijë lekë të reja.
Sipas SPAK, pas Duros dhe Specialistes së Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shteto, janë ndaluar edhe Vladimir Topi, administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, si dhe inxhinieri i po kësaj kompanie, me inicialet S.SH.
Ky i fundit pasi ka marrë 330 mijë lekë nga banesa e Topit, ja ka dërguar më pas Laura Shtetos, e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale.
Kjo shumë i është dhënë Duros nga Topi, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Njoftimi i SPAK:
Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.
(BalkanWeb)