Identifikohet një nga personat e përfshirë në masakrën e Don Boskos, në pronësi të kundërshtarit të Ervis Martinajt, atentat ku mbeti e vrarë banakierja e lokalit Mimoza Paja. Personi në fjalë është Nikollë Sherrniku, i cili ndodhet aktualisht në burg disa muaj para masakrës. Por nga hetimet ka rezultuar se është personi që i dorëzoi ekzekutorëve targën e automjetit BMW seria 5, që dyshohet se u përdor në krim dhe më pas u gjet e djegur. Targa rezulton të jetë marrë në Gjermani nga Sherrniku, gjë që është konfirmuar përmes letër porosisë së ardhur nga autoritetet gjermane dhe dëshmisë së një shqiptari që ka shpjeguar se Sherrniku ka marrë 3 targa në Gjermani.
Këto targa sipas prokurorisë ai i ka ruajtur për t’i përdorur më pas në ngjarje kriminale dhe për këtë shkak ai dyshohet për veprën penale të “krijimit të kushteve për kryerjen e vrasje”.
Masa e sigurisë i është komunikuar Sherrnikut në ambientet e burgut, ndërsa vetë ai ka refuzuar të japë shpjegime se cilët janë personat që ai u dorëzoi targën.
Sherrniku është vetëdorëzuar në dhjetor të 2020, pasi akuzohet se i ka dhënë një automjet Brilant Martinajt, i cili në atë kohë u akuzua për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela. Një muaj pasi Brilant Martinaj u ekekutua në atentatin e mbikalimit të Fushë-Krujës bashkë me dy miqtë e tij, Besmir Hoxha e Dikler Vata, Nikoll Sherrniku u arrestua teksa qarkullonte me municion luftarak dhe automjet të blinduar, ndërsa dyshohet se ishte nisur për të kryer një atentat.
Në atë kohë mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martinaj ishte zhdukur pa gjurmë dhe edhe sot fati i tij mbetet mister. Sherrniku është një prej njerëzve më të besuar të tij dhe lidhja e tij me ngjarjen e Don Boskos, dëshmon sipas policisë se kjo ngjarje është kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj atentateve të vazhdueshme të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë e Lezhë ku në shënjestër ishin njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, ku mbeti e vrarë një shtetase.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur me datë 12.03.2023, në rrugën”Anastas Shundi”, e cila bën fjalë për vrasjen e shtetases Mimoza Paja dhe dëmtimin/plagosjen e disa shtetasve të tjerë në ambientet e një lokali në pronësi të vëllezërve MURATI, ju informojmë si më poshtë:
Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 1700 të vitit 2023 ka rezultuar se personi nën hetim, shtetasi N. Sh., me veprime aktive ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMW” seria 5, ditën e ngjarjes.
Automjeti tip “BMW”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës.
Në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për dokumentimin e plotë ligjor, me prova të autorëve të kësaj ngjarje kriminale.