Marsela Çibukaj ka mbyllur mbrëmjen e së mërkurës javën e kulturës italiane me një koncert me 16 këngë të Fabrizio de Andre. Një prej momenteve më të bukura të mbrëmjes ishte ngjitja në skenë me partnerin e saj, Vitmar Basha, për të kënduar “Andrea”. E ftuar pasditen e sotme në “Rudina” në Tv Klan, Marsela tregoi përjetimet e koncertit, si edhe emocionet që i dhuruan këngët e Fabrizio de Andre. Gjithashtu, këngëtarja zbuloi se së shpejti ka dëshirë që të publikojë albumin e saj të parë, planet e të cilit i ka nisur prej disa kohësh.

“Albumi ka përfunduar, është një bashkëpunim të cilin e kam kryer me artistë të rinj dhe shumë të talentuar në studio. Kemi një vit që punojmë mbi këto këngë. Janë këngë shumë të bukura dhe që synojnë të lartësojnë gjithmonë e më shumë muzikën shqiptare. Kam dëshirën t’i përcjell tek publiku i gjerë në fillim të vjeshtës, aty kur kemi mundësi që të kemi dhe vëmendjen e duhur se tani do jemi të gjithë nëpër plazhe dhe janë të justifikuar të jenë nëpër plazhe”.

Me këtë rast, Rudina iu drejtua me shaka artistes duke i thënë se për dasmën, po e pyet herën tjetër: “Po me kaq sa po kushtojnë dasmat… më mirë po i shpenzojmë në udhëtime” – tha Marsela duke qeshur, por shtoi se edhe këtë gjë e ka menduar bashkë me partnerin e saj.

“Ia vlen gjithmonë të festosh, jeta duhet celebruar, çdo ditë që na dhuron Zoti dhe çdo festë është mëse e arsyetuar që të bëhet dhe, pse jo, edhe për të celebruar dashurinë. Ne jemi marrë më tepër më pjesën e punës dhe të jetojmë njëri-tjetrin ashtu siç jeta sjell. Nuk mund të themi që nuk e kemi menduar, pse jo, edhe mund të vijë edhe një festë e bukur për njerëzit që na duan…”

Nuk ka më shumë detaje, as kohë, as vit konkret. Së shpejti, pse jo?

Apo nuk mjafton kaq? Mirë, presim…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: