Dërgohen për rishqyrtim në Apelin e Posaçëm Bashkim Haxhija dhe Marsel Deçka.
Gjykata e Lartë kthen në Apelin e Posaçëm dosjen ndaj dy të akuzuarve nga pesë të cilët dyshohet se janë përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në 1 nëntor të vitit 2019.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi me kërkesë të SPAK arrest me burg ndaj tyre dhe avokatët e apeluan. Gjykata e Apelit të Posaçëm tha se janë ankuar përtej afatit pesë ditor dhe nuk e shqyrtoi ankimimin.
Palët shkuan në Gjykatën e Lartë e cila urdhëroi Apelin e Posaçëm ta shqyrtojë apelin e të dyshuarve, sepse nuk mund t’u mohohet kjo e drejtë.
Bashkim Haxhija, Genti Nderjaku, Marsel Deçka dhe Endrit Sinani dhe Julian Pjetri u arrestuan më 23 janar ndërsa katër të tjerë u shpallën në kërkim në një operacion të shtrirë në Fushë-Krujë, Durrës dhe Tiranë , pasi dyshohet se janë përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
SPAK arriti të zbardhë ngjarjen duke identifikuar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët e atentatit ku humbi jetën shoferi i prokurorit Ndoj, Andi Maloku.
Në pranga ra Bashkim Haxhia, i cili i ka shpëtuar një atentati në qershor të vitit 2019. Po ashtu në pranga ranë edhe agjenti doganor Marsel Deçka, i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri.
Policia sekuestroi një armë zjarri, rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente që do të verifikohen.
Për atentatin gjykata ka marrë të pandehur më herët Redjan Rrajën dhe Ariol Halilajn.
Hetuesit besojnë se arrestimi i personave të tjerë të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit do të hedhë dritë mbi ngjarje të tjera të ndodhura para dhe pas atentatit mes dy grupeve kriminale.