Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se nga mënyra se si po agravon situata në veri të vendit, zona mund të vendoset edhe nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.
Sipas tij, pas ngjarjeve të fundit tregohet se shteti nuk ka sovranitet në veri, e për pasojë në një farë mënyre mund të quhet si një aktivizim i Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
“Asnjë fije sovraniteti nuk është shtruar veçse është cenuar sovraniteti dhe veç sa po cenohet edhe më tutje, kështu qysh po shkojnë gjërat ka frikë që atje të vihet një mbikëqyrje ndërkombëtare në veri të vendit dhe ajo totalisht të del jashtë sovranitetit. Sovranitet atje s’kemi, atje tani është aktivizuar në një formë Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Atje është forca e NATO-s, e cila po ushtron funksionin e vet dhe atje janë policia të cilët janë ngujuar, ose i ka ngujuar Qeveria e Kosovës në objektet e komunës, kanë mbetur disa brenda dhe disa jashtë”, u shpreh Mustafa.
Ai a reaguar edhe në lidhje me përjashtimin e vendit nga stërvitjet “Defender 2023” një masë që u komunikua nga SHBA.
Mustafa tha se një masë e tillë u mor pasi qeveria e Kosovës nuk u koordinua me aleatët dhe rrezikoi stabilitetin në veri.
(BalkanWeb)