Programi “Dola te Ola”, me moderatore dhe autore Ola Brukon, këtë të diel mbylli suksesshëm sezonin e tij të tretë. E ftuara speciale e kësaj mbrëmje ishte këngëtarja e mirënjohur dhe shumë e dashur për mbarë publikun shqiptar Manjola Nallbani.
Artistja gjatë rrugëtimit nëpër kujtime me anë të fotografive, rrëfeu dashurinë e madhe që ajo ka për librin, dashuri e cila është kultivuar tek ajo nga babai i saj. Manjola tha se dëshirën për të lexuar ia ka përçuar edhe dy vajzave të saj. Madje njëra prej tyre ka shkruar dy romane.
Manjola tregoi se vajza e saj Sindi e ka shkuar një prej romaneve kur ishte 14 vjeçe dhe gjëja që asaj i ka pëlqyer më shumë, ishte fakti që romani ishte për barazinë racore. Këngëtarja tha se vajza e saj tashmë ka hequr dorë në një farë mënyre nga talenti i saj, pasi kuptoi që kjo gjë nuk vlerësohet aq sa duhet, e për këtë mami Manjola nuk është fort e kënaqur.
Gjatë bisedës këngëtarja ndau edhe pasione të tjera; asaj i pëlqen shumë piktura dhe shkruan poezi, ku disa prej këngëve i ka shkruar vetë. Një tjetër pasion janë udhëtimet, të cilat edhe për shkak të profesionit ka patur fatin të vizitojë shumë vende të botës, ku përveç punës ka mundur të gjejë kohën të vizitojë pikat kryesore të secilit vend.
Manjola është edhe një amvisë shumë e mirë. “E pëlqej shumë këtë pjesë. Nuk kam mundësi ta bëjë çdo ditë por e bëj shpesh”, tha ajo.
Moment shumë i bukur në programin “Dola te Ola” ishte kur në studio u shfaqën dy video-mesazhe nga dy mikeshat e saj, nga gazetarja Ilda Lumani dhe nga këngëtarja Irma Libohova, të cilat i dedikuan disa fjalë zemre artistes, nga të cilat ajo u emocionua shumë.
Mbrëmja e fundit për këtë sezon e “Dola te Ola” u mbyll me disa këngë shumë të bukura të interpretuara nga Manjola Nallbani dhe vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti, të cilët dhuruan momente shumë të bukura për gjithë teleshikuesit e News24.