Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka analizuar situatën që ndodhi dy ditë më parë në Rusi, ku pati tentativa për grusht shteti nga grupi mercenar Wanger.

Në një mesazh në Facebook, Demiraj parashtroi disa arsye se pse grupi Wanger është shqetësim serioz.

ANALIZA

PSE WAGNER GRUP PERBEN KERCENIM JO VETEM PER FEDERATEN RUSE POR ME GJERE?
Ndërkohë që të gjitha qeveritë e botës po ndjekin me vëmendje situatën e brendshme të sigurisë në Federatën Ruse, janë rritur si asnjëherë më parë shqetësimet në lidhje me situatën politike të vendit që ka në dispozicion të tij sasinë më të madhe dhe të fuqishme të arsenalit nuklear në botë.
Në këtë këndvështrim, mendoj që është relevante të bëjmë një analizë edhe për faktin që këtë grup e ndjek për vite me radhë duke konkluduar në vitin 2015 dhe 2022 me botimin e dy librave modestë në lidhje me strukturën, kapacitetet, përfshirjen e tij në sulmet kibernetike, në rrëzimin e qeverive në vendet e Sahelit, Magrebit, Lindjen e Mesme në mbështetje të qeverive në Republikën Qëndrore të Afrikës, Sudan, Mali, Libi, Venezuelë, Somali, në mënyrë shumë aktive në mbijetesën e regjimit të Bashar al-Asadit në Siri, më pas në konfliktin në Ukrainë por jo vetëm deri në veriun e Kosovës, në Serbi dhe Republikën Serpska.
Një nga strategjitë e ‘suksesshme’ të presidentit Vladimir Putin pas vitit 2010 ka qënë rritja e influencës ruse nëpër botë, nëpërmjet ekzekutimit të operacioneve të fshehta të luftës së parregullt jo vetëm në Siri, Libi, Ukrainë por edhe më gjerë.
Për këtë qëllim përveç ekzekutimit të operacioneve të fshehta të shërbimeve sekrete ruse SRV dhe GRU, Moska në mënyrë metodike ka zgjeruar prezencën dhe përfshirjen në këto operacione të kompanisë së saj më të madhe të sigurisë e cila njihet me emrin Grupi ‘Wagner’. Kjo kompani deri dje drejtohej nga biznesmeni/krimineli rus Jevgeni Prigozhin. Ajo ka qënë e përfshirë edhe në aktivitete të tjera destruktive dhe kriminale.
Pra thënë ndryshe, ‘Grupi Wagner’ ka qënë një zgjatim ose instrument force i politës së jashtme të Federatës Ruse, por vetëkuptohet në mënyrë të fshehtë dhe i padeklaruar me qëllim rritjen e projektimit të fuqisë ose influencës politike me njësi të armatosura.

Në këtë këndvështrim, mund të përmendim kapacitetet e saj të mëdha në fushën e luftës kibernetike, kapacitete të cilat janë të tilla për shkak të mbështetjes që ky grup merr drejtëpërdrejtë nga GRU-ja dhe SVR-ja. Grupi Wagner drejton Agjensinë e Kërkimeve të Internetit IRA, për të cilën kam shkruar në detaje në librin ‘Shërbimet Sekrete të Federëtas Ruse’. Në të njëjtën kohë Grupi ‘Wagner’ ka ekzekutuar me sukses misione të ndryshme luftarake dhe të luftës informative, nëpërmjet veprimeve të drejtëpërdrejta në luftim, stërvitjes së ushtrive të ndryshme në Afrikë, shërbimeve të mbrojtjes, të ruajtjes së bazave ose ndërtesave qeveritare, etj.
Strategjia e Federatës Ruse nëpërmjet kompanive private ushtarake, është implementuar me qëllim që të ulë fuqinë dhe autoritetin e SHBA-ve, Francës, Britanisë së Madhe dhe të rrisë influencën e Moskës në kontinentin Afrikan dhe më gjerë duke përdorur forca me profil të ulët, të afta të sigurojnë për drejtuesit e korruptuar në këtë rajon siguri fizike, stërvitje ushtarake, këshillim dhe asistencë ushtarake.
Kjo kompani në Libi ka mundësuar stërvitje ushtarake, inteligjencë dhe mbështetje në fushëbetejë për Ushtrinë Kompëtare të Libisë (LNA) e cila drejtohet nga Marshalli Khalifa Haftar dhe për qeverinë e tij në Tobruk.
Pavarësisht kësaj mbështetje, mercenarët e Grupit Wagner dështuan të mposhtnin forcat kundërshtare në Tripoli, të cilat mbështeten nga presidenti turk Rexhep Taip Ergogan. Nga viti 2015 deri në vitin 2022, përdorimi i këtyre forcave jashtë Federatës Ruse është rritur 7 fish sa i përket numrit të vendeve ku operon kjo kompani. Në vitin 2015 kjo kompani operonte në katër vende, në vitin 2022 ajo operon në 27 vende. Kompanitë private ushtarake ruse, kanë qënë aktive në vende të Afrikës, Lindjes së Mesme, Europë, Azi dhe në Amerikën Latine në vende si: Republika Qëndrore e Afrikës, Iraku, Libia, Sudani, Siria, Venezuela, Ukraina, etj.
Grupi Wagner i cili njihet edhe si “PMC Wagner” është një organizatë/agjensi paramilitare private ruse. Ajo ka marrë pjesë në shumë konflikte, kryesisht në konfliktin civil në Siri, në krahun e qeverisë së Presidentit Bashar al-Asad, nga viti 2014-2015 në konfliktin luftarak në rajonin Donbas, Ukrainë duke ndihmuar separatistët e republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut. Shërbimet perëndimore të inteligjencës mendojnë se Grupi Wagner është një njësi speciale e Ministrisë Ruse të Mbrojtjes që vepron në fshehtësi. Ajo përdoret nga qeveria ruse në zonat e konfliktit ku trupat ushtarake ruse nuk mund të përdoren haptazi.
Grupi Wagner është krijuar në vitin 2014 dhe vepron në aleancë me forcat e armatosura ruse, ushtrinë Arabe Siriane, forcat e armatosura të Sudanit, të Afrikës Qëndrore, Libisë, lufton kundër ISIS-it, forcave të Armatosura të Ukrainës, Frontit al-Nusra, Tahrir al-Shamit, HTS-së dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA).
Ajo që e bën Grupin Wagner të suksesshëm në fushën e betejës, është pikërisht lidershipi i saj, struktura organizative, mbështetja financiare, mbështetja mediatike, mbështetja politike nga ministria e jashtme nëpërmjet ambasadave në shtetet ku vepron dhe mbi të gjitha deri në fillim të vitit 2023, mbështetja me armatime, baza stërvitore, inteligjencë por jo vetëm nga ministria e mbrojtjes dhe më e rëndësishme mbështetja e padeklaruar në publik e presidentit Vladimir Putin dhe lidhjet e drejtuesve të saj me shërbimin sekret të GRU-së.
Të gjithë drejtuesit e strukturave të saj janë ish gjeneralë të ushtrisë ruse, ish kolonelë dhe n/kolonelë të Drejtorisë së III-të, Drejtorisë së IV-rt, Drejtorisë së V-të dhe më e rëndësishmja Drejtorisë së VIII-të të GRU-së e cila është drejtoria e operacioneve të fshehta, operacioneve speciale dhe klandestine ose e cila njihet ndryshe si Drejtoria e Sabotazhit. Ajo ka nën komandën e saj pesë Brigada shumë të stërvitura të forcave speciale ‘Spetsnaz’, të cilat janë të angazhuara në maksimum në konfliktin aktual të Ukrainë që nga pushtimi i Gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe në ekzekutimin e operacioneve të inteligjencës dhe operacioneve speciale në pesë rajonet e pushtuara si në Gadishullin e Krimesë, Kherson, Zhaporizhzhia, Donetsk dhe Luhansk.
Grupi Wagner drejtohet nga ish koloneli Dmitri Utkin, ish komandant Brigade i Forcave Speciale Spetznas Ruse-GRU (Detashmentit 700 Spetsnaz i Brigadës së 2-të të Pavarur) të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ruse-GRU). Ai ka lindur në Kirovohrad Oblast në ish Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës në Bashkimin Sovjetik në vitin 1970, pra është shtetas ukrainas. Dimitri Utkin doli në pension në vitin 2013 dhe filloi të punonte në kompaninë private ‘Moran Security Group’, e krijuar nga veteranë të ushtrisë ruse e cila realizon misione sigurie dhe stërvitje nëpër botë, e specializuar në sigurinë kundër piratëve.
Në të njëjtin vit, menaxherët kryesorë të ‘Grupit Moran Security’ u përshinë në krijimin e organizatës ‘Corpusi Sllav’ në qytetin e Shën Petërsburgut që realizonte nën kontraktime për mbrojtjen e fushave të naftës dhe infrastrukturës së saj në Siri. Dmitri Utkini për herë të parë ka qënë në Siri si pjesë e këtij Korpusi (Sllavonic Corps).
Grupi Wagner u shfaq për herë të parë në vitin 2014 së bashku me Dimitri Utkin në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Emri i kompanisë rrjedh nga pseudonimi që Utkini kishte në ushtri (Wagner) dhe origjinën e ka nga pasioni i Utkinit për Rajhun e Tretë Gjerman. Në datën 9 dhjetor 2016, Dimitri Utkin është fotografuar me Vladimir Putinin në Kremlin dhe është dekoruar me medalje trimërie së bashku me tre persona të tjerë Alexander Kuznetsov, Andrey Bogatov dhe Andrey Troshevin. Menjëherë pas publikimit fotoja shkaktoi një skandal mediatik. Kuznetsovi (i ashtuquajturi Ratibor) është komandanti i Batalionit të I-rë të zbulimit/sulmit Wagner, Bogatovi është komandanti i Batalionit të IV-rt të zbulimit/sulmit Wagner, ndërsa Troshevi është zv/komandant Batalioni. Ndërkohë më pas zëdhënësi i Kremlinit deklaroi se Dmitri Utkin u dekorua me medaljen e “Trimërisë” dhe Titullin “Hero i Rusisë” në një ceremoni të organizuar nga presidenca për nder të kontributit të tij në Siri.
Por si dhe përse mori kaq shumë rëndësi përdorimi i kërtij grupi në strukturën e të ashtuquajturës ‘Lufta Hibride’ dhe ‘Lufta e Gjeneratës se Re’ (RNGW) të Federatës Ruse?
Në vitin 2013, gjenerali rus Valeri Gerasimov urdhëroi ushtrinë ruse dhe shërbimet sekrete ushtarake ‘GRU’, të fillonin praktikimin e Luftës së Gjeneratës së Re (RNGW), e cila do të realizohej me medoda jo ushtarake, për të arritur qëllimet, objektivat politike dhe strategjike ushtarake të Kremlinit. Këtu mund përmendim protestat popullore, infiltrimin e forcave speciale dhe agjentëve të fshehtë ushtarakë, civilë dhe përdorimin e tyre me pretekstin si ‘forca paqeruajtëse’ si psh në rastin e pushtimit të Gadishullit të Krimesë në vitin 2014.
Për këtë qëllim, Federata Ruse nën drejtimin e gjeneralit Valeri Gerasimov ka adoptuar Luftën Hibride (Gibridnaya Voyna). Lufta Hibride (Gibridnaya Voyna) është një përzierje e luftës konvencionale dhe e fushave të sofistikuara të operacioneve të propagandës dhe të keqinformimit, përfshirë këtu përpjekjet e Federatës Ruse për të influencuar opinionin publik përmes financimit të partive politike brënda vendeve të NATO-s dhe angazhimit të përditshëm të organizatave joqeveritare (NGO) me mënyra klandestine.
“Doktrina Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë. Në atë kohë në terren u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit 2014.

Edhe në ditët e sotme, ata kanë qënë forcat kryesore që kanë mundësuar pushtimin e Soledarit, Vuhledarit, Bahmutit, Avdivkas, Druzhkivkas dhe Kostanivkas duke shkaktuar një dëm shumë të madh për ushtrinë e Ukrainës dhe duke asgjësuar pothuajse çdo ditë nga një batalion ukrainas.
Gjatë viteve 2014-2015, shumë ekspertë perëndimorë i referoheshin veprimeve të ushtrisë dhe të agjensive ruse të inteligjencës si pjesë e Luftës Hibride. Lufta Hibride përfshin përdorimin e taktikave të egra dhe të buta, me qëllim arritjen e objektivave të ushtrisë dhe të presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin. Megjithatë, me qëllim fshehjen e veprimeve të tyre destruktive, rusët në vazhdimësi akuzonin perëndimin dhe SHBA-të, se po përdornin në mënyrë aktive luftë hibride kundër Federatës Ruse.

Në raste të tjera, mund të përmendim termin rus ‘Veprime të limituara’ ku mund të përfshihen grupet ‘proxy’ si në rastin e dislokimit të ‘Grupit Wagner’ në Siri, me mbështetjen e tyre me transport, pajisje luftarake dhe inteligjencë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe nga GRU-ja. Po kështu edhe gjatë përfshirjes së Rusisë në konfliktin civil në rajonin e Donbasit gjatë viteve 2014-2021, ku Federata Ruse vendosi të përfshihej në mënyrë indirekte. Milicitë ‘proxy’ si në Siri ose në Donbas në të dyja rastet mbështetën objektivat indirekte ruse, ku mund të përmendim mercenarët, milicitë vendase, kontraktorët civilë ose forcat qeveritare.

Që nga viti 2014, mercenarët e kompanive ushtarake ruse të sigurisë kanë operuar në Ukrainë, Republikën Arabe të Sirisë, Republikën e Afrikës Qëndrore, Libi, Sudan, Mozambik, Venezuelë, Serbi, etj dhe në ditët e sotme në luftimet intensive në Bakhmut dhe në Soledar. Fshehtësia e mënyrës sesi veprojnë këto forca, i kanë mundësuar Federatës Ruse që të përdorë të dy anët e konfliktit në mënyrë të njëkohshme, duke siguruar mbështetje të fshehtë ushtarake për vendin që është i përfshirë në konflikt dhe nga ana tjetër të deklarojë haptazi se është një ndërmjetës i sinqertë në konflikt. Statusi ‘privat’ i këtyre forcave, i ka krijuar mundësi Federatës Ruse që të mos mbajë përgjegjësi për civilët e vrarë prej tyre dhe për dhunën që ata kanë shkaktuar.
Nga fundi i muajit shtator të vitit 2017, forcat e Wagnerit në bashkëpunim me forcat ruse dhe qeveritare siriane, sprapsën një sulm të fuqishëm të terroristëve xhihadistë në veri të qytetit Hama. Në fund të këtij muaji, gjatë një kundërofensive të ISIS-it në provincën e Deir ez-Zorit, dy kontraktorë të Wagnerit u kapën të gjallë nga militantët. Fillimisht Kremlini u distancua nga kjo ngjarje, por kur njëri nga vëllezërit e të kapurve peng akuzoi qeverinë ruse se po përpiqej të mos ndërhynte për lirimin e qytetarëve të saj, atëherë njësia siriane “Gjahtarët e ISIS-it” deklaroi se ishte gati të paguante 1 milionë dollarë për lirimin e sejcilit rus.

Në rast se xhihadistët e ISIS-it nuk do t’i kishin publikuar nëpër media këto mercenarë si shtetas rus, atëherë lajmi për përfshirjen e tyre në Siri nuk do të kishte qënë aq i madh. Në shumë raste Kremlini zyrtar është përpjekur që të justifikojë përfshirjen e tyre dhe sa herë ata janë arrestuar, kapur të gjallë ose janë vrarë, qeveria ruse është justifikuar se ata veprojnë si vullnetarë pa dijeninë e Kremlinit zyrtar.
Forcat e fshehta ushtarake janë duke ekzekutuar operacione ushtarake në mbështetje të kërkesave të politikës së jashtme ruse njëlloj si operacionet e luftës politike, pavarësisht se në disa raste suksesi i tyre është vënë në pikëpyetje si në rastin e mësipërm në Siri. Edhe në Mozambik, në momentin kur forcat e Wagnerit arritën në vend në mbështetje të forcave vendase kundër kryengritësve Islamikë, shumë shpejt këto forca u detyruan të tërhiqeshin në bazat e tyre duke u akuzuar nga qeveria e Mozambikut si forca të stërvitura shumë dobët në luftën në xhungël dhe pa respekt ndaj forcave vendase, për të cilat ata kishin shkuar për t’i stërvitur dhe mbështetur në këto operacione. Edhe në Republikën e Afrikës Qëndrore, forcat e Wagnerit kanë hasur vështirësi të bashkëpunojnë me sukses më qytetarët vendas.

Nga ana tjetër, Grupi Wagner ka arritur disa suksese në Libi, ku mercenarët e tij kanë qënë një burim i rëndësishëm suksesi për ushtrinë e Marshallit Khalifa Haftar i cili ka kontrollin e zonës që është e pasur me naftë dhe me gaz të lëngët në Libi. Grupi Wagner në atë kohë ka përfshirë shumë mercenarë në Libi.
Si përfundim nuk mund të lëmë pa përmendur sukseset e Grupit Wagner në Ukrainë. Në fillim të muajit korrik të vitit 2022, gazeta ruse ‘Istories’ raportoi se Grupi Wagner filloi rekrutimin e të burgosurve në dy burgje të qytetin e Shën Petërsburgut. Në muajin gusht të vitit 2022, Mediazona raportoi se kishte marrë mesazhe nga të burgosurit rusë të cilët pretendonin se ata po rekrutoheshin nga ‘bosi’ i Grupit Wagner Jevgeni Prigozhin për të luftuar në Ukrainë konkretisht në qytetet Rybinsk dhe Plavsk.
Pas këtij rekrutimi në burgjet e Shën Petërsburgut, përafërsisht 300-350 të burgosur u regjistruan për të luftuar në Ukrainë. Në një video e cila kishte lidhje me rekrutimet në burgje e publikuar në datën 14 shtator 2022, Jevgeni Prigozhin deklaroi se të burgosurit kishin filluar t’i bashkoheshin fushatës së luftimit në Ukrainë që nga data 1 korrik e vitit 2022. Pikërisht gjatë betejës në Solidar dhe në Bakhmut të dënuarit u përdorën me shumë intensitet me qëllim që të ekspozonin pozicionet ukrainase ndaj sulmeve nga njësitë e artilerisë ruse. Në datën 20 maj të vitit 2023, Jevgeni Prigozhin deklaroi marrjen e plotë të kontrollit të Bakhmutit pas 224 ditësh luftimi, ku janë vrarë dhe mijëra luftëtarë nga të dy krahët.
Informacione më të detajuara në lidhje me këtë grup mund të gjeni në librin e botuar së fundi, “Shërbimet Sekrete të Federatës Ruse”, një libër jo vetëm që është unik nga përmbajtja por që botohet për herë të parë në hapësirën Ballkanike.
Libri gjendet tek Shtypshkronja M&B z. Bujar Karoshi
Dr. Dritan Demiraj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb