Zbardhet dëshmia e Bilbil Majës, i dhunuar barbarisht nga pjesëtarë të fisit Rraja.
Sipas dosjes hetimore të prokurorit Ylli Basha të siguruar nga gazetarja Klogiana Lala rezulton se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 12:00 të datës 6 korrik, raporton “BalkanWeb”. Bilbil dhe Jashar Maja, kushërinj të parë mes tyre ishin ulur në ambientet e bar Fregen në Thumanë me qëllim për të biseduar me inxhinierin e gurores që të përdoreshin sasi më të vogla eksplozivi sepse nga shpërthimet e pakontrolluara po u dëmtoheshin banesat
Në dëshminë e tyre dy të dhunuarit kanë dhënë detaje për sulmin ndaj tyre.
“Papritmas në ambientet e lokalit kam shquar të hyjnë Xhemal dhe Flamur Rraja, të cilët kanë qenë të armatosur dhe më kanë kërkuar që të shtrihem në tokë. Mes tyre kam shquar dhe pronarin e gurores, të cilin e njoh me pseudonimin Çaku. Flamur dhe Xhemal Rraja, vëllezërit e deputetit të PS-së Rrahman Rraja, më kanë goditur në kokë e trup. Dhe persona të tjerë, të afërm të tyre na kanë goditur pa pushim duke na lënë pa ndjenja në lokal”, ka deklaruar Bilbil Maja.
Ishin vetë pjesëtarë të fisit Maja që filmuan dhe dokumentuan sulmin.
Bilbil Maja kishte denoncuar disa herë në polici për dëmtimet që po shkaktoheshin nga shpërthimet e gurores dhe kishte tentuar disa herë të bllokonin kamionët.