Aktorët e Hollivudit janë në grevë për herë të parë pas 43 vitesh dhe veprimet e tyre po pengojnë xhirimet e produksioneve filmike dhe televizive.

Një nga kërkesat e tyre është zgjidhja e çështjeve që lidhen me Inteligjencën Artificiale (AI) pasi ata ngrenë frikën për efektet e saj.

Skuadra e aktorëve të ekranit SAG-AFTRA dështoi të arrijë një marrëveshje për të mbrojtur më mirë anëtarët e saj nga Inteligjenca Artificiale dhe paralajmëroi se “Inteligjenca Artificiale është një kërcënim për profesionet krijuese”.

Duncan Crabtree Ireland, kryenegociatori i SAG-AFTRA kritikoi prodhuesit për propozimet e tyre në lidhje me Inteligjencën Artificiale.

Konkretisht, ai tha se drejtuesit e studiove kishin kërkuar mundësinë për të skanuar fytyrat e artistëve që nuk luajnë në rolin e tyre, t’u paguanin atyre pagën e një dite dhe më pas të jenë në gjendje të zotërojnë dhe përdorin ngjashmërinë e tyre “për pjesën tjetër, në çdo projekt që ata duan, pa pëlqim dhe pa kompensim”. Propozimi i drejtuesve të studiove, siç thekson BBC, të kujton skenën e një episodi të serialit “Pasqyra e zezë”.

Mediat amerikane kanë qenë të shpejtë për të vënë në dukje se në serialin e ri me gjashtë episode “Joan Is Awful” ylli i Hollivudit Salma Hayek lufton me zbulimin se forma e saj dhe AI mund të përdoret nga një kompani produksioni pa dijeninë e saj.

SAG-AFTRA nuk është e vetmja në shqetësimet e saj për të ashtuquajturin “klonim të performancës”. Liam Budd i Britain’s Actors Guild Equity tha: Ne shohim që kjo teknologji përdoret në një sërë gjërash si audiolibra të automatizuar, avatarë dixhitalë për videot e korporatave.”

Shoqata Equity përpiqet të edukojë anëtarët e saj për të kuptuar të drejtat e tyre në këtë botë virtuale që rritet me ritme të shpejta, shtoi ai.

“Teknologjia duhet të zgjidhë një problem dhe nuk zgjidhet asnjë problem nga ata që përdorin Inteligjencën Artificiale. Ne nuk kemi mungesë shkrimtarësh, nuk kemi mungesë aktorësh, nuk kemi mungesë regjisorësh – kështu që nuk kemi nevojë për AI” , tha Justin Bateman, shkrimtar dhe producent.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb