Ikona e kinematografisë botërore Brigitte Bardot ka shfaqur probleme shëndetësore për shkak të vapës. Shërbimet e urgjencës kanë ndërhyrë në shtëpinë e aktores 88-vjeçare në Saint Tropez. Lajmi i publikuar nga mediat franceze, u konfirmua nga bashkëshorti i saj Bernard d’Ormale, i cili shpjegoi se në orën 9 të mëngjesit aktorja “kishte vështirësi në frymëmarrje” dhe se edhe pse ishte më e dobët se zakonisht, “asnjëherë nuk i humbi ndjenjat”.
Ekipet e shpëtimit i sollën një aparat respirator me oksigjen dhe e mbajtën nën vëzhgim, tani ajo po pushon në shtëpi. “Si të gjithë njerëzit e një moshe, edhe ajo nuk e duron dot vapën, ndodh në moshën 88-vjeçare, nuk ka pse të bëjë përpjekje të panevojshme”, tha bashkëshorti i saj.
Prej shumë vitesh aktorja në thelb është tërhequr nga jeta publike, duke ndërhyrë vetëm përmes rrjeteve sociale, veçanërisht në emër të betejës së saj për të drejtat e kafshëve. Me bashkëshortin e saj Bernard d’Ormale ajo nuk jeton më në La Madrague, pronën e saj legjendare buzë detit dhe shumë e ekspozuar ndaj kureshtarëve, por në La Garrigue, shtëpinë e saj të dytë, ku jeton e rrethuar nga kafshët e saj.
Ndër fjalimet e saj të fundit, Brigitte Bardot shprehu ngushëllimet për vdekjen e Jane Birkin të dielën e kaluar. “Kur je kaq e bukur, kaq e freskët, kaq spontane, me zërin e një fëmije, nuk ke të drejtë të vdesësh”, tha aktorja që ishte e lidhur nga një miqësi e përjetshme me Birkin që kur u takuan për herë të parë pesëdhjetë vjet më parë falë Serge Gainsbourg.
Në pranverë qarkulluan zëra për shtrimin e Bardot në terapi intensive. “Dua t’i siguroj të gjithë. Unë jam mirë,” specifikoi ai.