Nga Agim Musta

Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta,  (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.

Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.

E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.

-Gjyqet politike të regjimit komunist shqiptar-    (1945-1991)

A. Marifetet e Orhan Frashërit…!

Kryetarit të Sigurimit të Beratit, Orhan bej Frashërit, ia kishin sjellë në “majë të hundës” disa tregtarë kurnacë të qytetit të Beratit dhe të Lushnjes, që meazallah nuk i nxirrnin paratë e fshehura nëpër qypa të futura në mure dhe të groposura nëpër kopshte. Mbi shpinat e tyre, kish përdorur lloj-lloj torturash, të nxjerra nga barbaria mesjetare. Edhe këshillat e “druzheve”, (shokëve) jugosllavë për trajtimin special të atyre, “surubetëve”, nuk kishin pirë ujë. I ishte prishur gjumi i natës dhe akoma s’kish gjetur marifetin, se si t’ua merrte paratë atyre gobsekëve, që s’kishin kursyer asgjë për të sjellë komunistët në pushtet.

E çfarë nuk u kishte punuar “beu i kuq” atyre “maskarenjve që i kishin thithur gjakun popullit”?!. U kish hequr thonjtë me pinca, u kish lyer kokën me fekale, i kish futur lakuriq në fuçia me ujë të ftohtë në mes të acarit, i kish mbajtur të varur nga krahët nëpër trarë e, të tjera e të tjera, por meazallah se tregonin. Vetëm luteshin dhe betoheshin duke qarë se, i kishin dorëzuar të gjitha, se nuk u kish mbetur më asnjë kacidhe dhe kërkonin mëshirë, që kapiten Orhani, të vinte dorën në zemër dhe t’i linte të lirë të shkonin pranë familjeve të tyre të lebetitura.

Një natë të ftohtë shkurti, të vitit 1946, kapiten Orhani, urdhëroi që t’i nxirrnin nga birucat dhe t’i vendosnin në taracën e “Hotel Tomorrit”, që pushteti komunist e kish kthyer në burg dhe vend torturash. I rreshtuan me shpatulla për muri, vetëm me brekë e kanatiere, të lidhur këmbë e duar me pranga. Suferina që frynte atë natë nga mali i Tomorrit, i bënte të dridheshin si purteka ata fatkeq, të cilëve pushteti komunist deshi t’u rrëmbente edhe lekët e fundit, të fituara për vite me radhë, me mund e sakrifica.

Orhan beu, veshur e i mbathur si pashallarët e Turqisë, doli në taracë, i ndjekur nga një grup sigurimsash. Në dorë mbante një revolver me mulli, i prodhuar në fund të shekullit XX-të në Perandorinë Austro-Hungareze. Mulliri i revolverit, në dritën e zbehtë të hënës, ngjante si një mokër e vogël dhe fishekët e tij ishin aq të trashë, si ato të çifteve. Një dreq e di, se ku e kish gjetur Orhan beu, atë revolver të llahtarshëm. “Silleni të parin! – bërtiti si ujk i tërbuar, kapiten Orhani. Dy nënoficerë të DMP-së (Divizioni Mbrojtjes Popullore), sollën para tij një burrë me sy të lidhur.

“Ky është njeri nga ju, që nuk do t’i dorëzojë paratë me të mirë. I kemi dalë borxhit me fjalë dhe me dru, por ngul këmbë si mushka, sikundër dhe ju. Kam vendosur të ndërroj taktikë. Mjaft më keni lodhur. Do t’ju jap të gjithëve një e nga një, nga një plumb në kokë dhe shkofshi në hale të gomarëve”. Ngriti koburen lart dhe tytën e saj e mbështeti në ballë të fatkeqit me sy të lidhur e të prangosur këmbë e duar. Hoqi këmbëzën e revolverit dhe tarraca e hotel “Tomorrit” gjëmoi, sikur të ishte zbrazur një top e jo një kobure. Viktima u shemb përdhe si një trung. Cirka të gjakosura të kafkës e të truve, spërkatën tregtarët të rreshtuar te muri i tarracës. Disave u ra të fikët, të tjerët mbushën brekët. “Hë, si thoni? – foli me kapadaillëk Orhan beu, – do t’i dorëzoni me të mirë paratë, apo të vazhdojë radha?!”

“Aman kapiten Orhani, mos na vrit se do të dorëzojmë jo vetëm paratë tona, por edhe ato që kanë ruajtur baballarët e gjyshërit tanë! Aman, mos na vrit, se edhe qindarkën e fundit do të ta japim! Dhe dridheshin e qanin si fëmijët. “Mjaft u jargavitët! Qysh tani, të shoqëruar do të shkoni në shtëpitë tuaja dhe do të sillni këtu ato që keni fshehur mureve dhe oborreve”! Urdhëroi t’u hiqnin prangat dhe t’i nisnin për në shtëpitë e tyre. Brenda 24 orëve, tregtarët e Beratit dhe të Lushnjës dorëzuan “vullnetarisht” paratë, arin dhe bizhuteritë. Ata nuk e mësuan kurrë, se burri, të cilit kapiten Orhani i hodhi kafkën në erë, ishte një kriminel ordiner, i dënuar me vdekje disa javë më parë.

Për këtë “marifet origjinal” të shpikur nga shoku Orhan, ai u shpërblye nga Partia gjëmëmadhe me të holla dhe me një yll më tepër në spaletat e tij sovjetike”.

Epilog

Qysh nga vitit 1968, në Bankën Kombëtare Shqiptare, në degën e Thesarit, ishte krijuar një zyrë e posaçme, ku depozitohej ari në forma lingoti, që vinte nga Uzina e Shkrirjes së Bakrit në Rubik. Përgjegjësja e kësaj zyre ishte kunata e Ramiz Alisë, ish-shefi i policisë sekrete të diktatorit Hoxha.

Si nxjerrja e arit në Rubik, ashtu dhe depozitimi i tij në Bankën Kombëtare, bëhej me masa të rrepta sigurimi dhe mbahej tepër sekret. Këtë operacion e drejtonte vetë Ramiz Alia dhe ishin në dijeni Diktatori dhe bashkëshortja e tij Nexhmije Hoxha (Xhuglini). Shteti komunist shqiptar, pasi grabiti me dajak arin dhe bizhuteritë e shqiptarëve, filloi të vjedhë dhe vetveten në dobi të kastës së ngushtë të Enver Hoxhës. Sipas disa specialistëve, që kanë punuar në Uzinën e Bakrit të Rubikut, që pluralizmi iu ka hapur gojën, në Rubik prodhohej çdo vit 130 kg. ar. Në fakt e pohon edhe ish-ministri i Financave, Andrea Nako, në një njoftim sekret që i bën ish-kryeministrit Adil Çarçanit, më 8 tetor të vitit 1987. Nga vitit 1968 deri në vitin 1990, Uzina ka prodhuar 2.860 kg ar, kurse në thesarin e shtetit, janë depozitar 1.777 kg ar lingot.

Natyrshëm lind pyetja: Ku shkuan 1.083 kg. ar që është diferenca midis prodhimit dhe depozitimit në thesar?! Pse ka heshtur Ramiz Alia dhe e veja e diktatorit për këtë akuzë?! Përse nuk e kanë ndjekur këtë çështje qeveritë shqiptare të tranzicionit për të dëmshpërblyer me këtë ar, ish-të burgosurit politik, që e kanë ndërtuar me gjak dhe shumë vuajtje, Uzinën e Shkrirjes së Bakrit në Rubik?!

Dhunë dhe gjak, për kolektivizimin e Myzeqesë

Vjeshtë e vitit 1946

U mblodh në Gorre, e gjithë Myzeqeja. Diktatori erdhi i veshur me uniformën e gjeneral-kolonelit dhe ishte shendeverë. Ai gajasej për lojën djallëzore, që u kishte përgatitur myzeqarëve të tharë e të dobët, me kurriz të dalë, me fytyra e zverqe gjithë rrudha dhe me takije me arna në kokë. Lalët, me sytë e kunadheve, shprehnin më tepër habi dhe dyshim, për ato letra të vulosura me drapër e çekan dhe me yllin bolshevik, që i bënte “zotër të tokës”. “Lojë, ore laço, lojë dhe asgjë tjetër!” -thoshte një plak myzeqar, që jeta e kishte bërë të dyshonte për çdo gjë. “Dardha e ka bishtin mbrapa”,- shtonte një tjetër.

“Këta, para tre vjetëve, na vranë 72 nga vëllezërit tanë në Golem dhe do kishin pushkatuar edhe 300 të tjerë, po të mos e kish ndaluar dorën vrastare të Mehmet Shehut, Rrahman Ruçi. Toka na falet nga një birbo, që s’ka pasur brekë në bythë”. Sa vrasje bënë komunistët në Myzeqenë “e shtypur nga bejlerët”?! Mbas disa muajsh, si u ndanë tapitë, toka ju mor prapë myzeqarit. Sipas modelit bolshevik, në kërthizë të Myzeqesë, në Krutje, më 1946 u ngrit Kooperativa e parë Bujqësore.

“U bashkuan” jo vetëm tokat që u dha “Komandanti” por edhe buajt, dhitë, kecat, bile edhe pulat. Kjo nuk i kishte shkuar askujt në mend. Në vend të një beu, që vinte një herë në vit në fshatin myzeqar, u krijuan me qindra bejlerë të vegjël, që i rrinin fshatit si çekan mbi kokë dhe i thithnin gjakun si ushunjëzat e Tërbufit. Kryetarë, sekretarë partie, përgjegjës sektorësh, brigadierë, karrocierë, kuzhinierë dhjamoseshin me punën e myzeqarit të mjerë, që shati dhe lopata, nuk i ndahej nga dora, nga lindja, në perëndim të diellit.

Në shumë fshatra të Myzeqesë u kundërshtua ashpër kolektivizimi:

“Jetën mund të na e merrni, por tokën, jo!” thoshin fshatarët e Stankarbunarës. “Do të qisim edhe pushkë, po të na detyroni të dorëzojmë tokën”! – bërtisnin me të madhe fshatarët e Gurzit. Në Bubullimë, fshatarët i mbajtën 7 ditë e 7 netë, të ulur në një livadh, për t’i marrë fjalën për kolektivizimin. Askush, në gjithë Shqipërinë, nuk e kundërshtoi marrjen e tokave, sa Myzeqeja. Partia Komuniste, dërgoi në Lushnjë emisarin e sajë Mihal Bishën. Bisha, e kishte mbiemrin dhe si bishë veproi.

Arrestohen me qindra vetë, midis tyre edhe ish-komandanti i Brigadës së 16 partizane, Rrahman Ruçi. Vritet Xhavit Kurti, kryetari i Këshillit Nacionalçlirimtar të Gurzit. Kush e Vrau? Disa thoshin se e kishin vrarë Petro Daja dhe Asllan Guberja. Të tjerët pëshpëritnin, se e kishin vrarë forcat e Sigurimit për të justifikuar terrorin komunist, të përgatitur me aq kujdes nga Mihal Bisha. Në Stankarbunarë, vriten sekretari i partisë dhe kryetari i Këshillit. Për hakmarrje, shteti i vret vëllanë dhe babanë e Petro Dajës. Në mes të Lushnjes, varën mësuesin shembullor, Fuat Kurti, bashkë me katër fshatarë nga Gurzi. Myzeqeja kolektivizohej me terror dhe gjak. Poeti i Realizmit socialist, Aleks Çaçi, botoi poemën “Ashtu Myzeqe”.

“Po punojmë së bashku, 20 pendë qe / ashtu Myzeqe…”!

Petro Daja vazhdonte të endej i armatosur nëpër Myzeqe. Ai u shpëton pritave, iu shmanget kurtheve dhe bëhet tmerr për kuadrot komunistë. Nuk vazhdon gjatë dhe ai bie, duke luftuar, në tetor të 1951-shit, në afërsi të Lushnjës. Simboli i fundit i rezistencës myzeqare, u shua. Lajmi u trumbetua me hare në githë Myzeqenë. Kufomën e tij e hipin mbi një fuçi dhe e lidhin me kavo çeliku në degët e një mani. Me mijëra myzeqarë i sjellin me forcë në Lushnjë, për të parë kufomën e Petro Dajës. Atë e lënë ashtu, me ditë të tëra, derisa dekompozohet dhe era e kufomës mbyt Lushnjën. Kjo është historia e tokës “së dhuruar” e tokës së përdhunuar myzeqare.

Incidenti i 19 shkurtit 1951, në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë

Më 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18.00, në pjesën e hyrjes së ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë, (sot Ministria e Arsimit), u hodh një lëndë eksplozive. Kush e hodhi atë “bombë”, që nuk vrau dhe nuk plagosi asnjëri? Kush ishin ekzekutorët dhe organizatorët e atij “atentati”? Versionet janë të ndryshme, por ai më i besueshmi, është se “incidenti” që ngjan si dy pika uji me vrasjen e Kirovit, më 1 dhjetor të vitit 1934, (ish sekretar i Partisë Bolshevike të Leningradit, sot Petersburgu), është organizuar nga diktatori Hoxha. Incidenti i ambasadës, u shfrytëzua për të shpërthyer një terror në masë, ndaj intelektualëve dhe patriotëve kryeqytetas, që shikoheshin me sy të shtrembër, nga pushteti komunist.

Ato ditë kishte mbërritur në Tiranë, një delegacion kulturor sovjetik, për të marrë pjesë në manifestimet, që do të organizoheshin me rastin e 33 vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe. Pikërisht, më 19 shkurt të vitit 1951, ditën që ndodhi hedhja e “bombës”, ambasada ruse, do të jepte një pritje për delegacionin e adhur nga Moska. As Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Mehmet Shehu, që raportoi në mbledhjen e Byrosë Politike të 20 shkurtit për këtë incident dhe asnjë anëtar tjetër i Byrosë Politike, nuk përmendi me emër atentatorët dhe organizatorët e atij incidenti. Bile, Enver Hoxha, propozoi në Byronë Politike, që mos të zihet në gojë hedhja e “bombës” në ambasadën sovjetike, në telegramin që do t’i dërgohej Stalinit. Perse të ndodhte kështu? A mos vallë hedhja e eksplozivit është kryer nga elementë antikomunistë, të pamanipluar nga Sigurimi i Shtetit?

Në fjalimet e Mehmet Shehut dhe të Enver Hoxhës, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” në datat 2 dhe 3 mars 1951, justifikohet terrori dhe nuk përmendet aspak incidenti në ambasadën sovjetike. Sipas dëshmive të ish të burgosurve politikë të asaj kohe dhe të ish oficerëve të lartë të Sigurimit, që u dënuan më vonë nga diktatura, emrat që lakohen për hedhjen e eksplozivit janë: Hysen Llulla dhe Qazim Laçaj.

Hysen Llulla ishte një djalosh 20-vjeçar krutan, trim dhe antikomunist i vendosur, pjesëtar i Grupit të Rezistencës. Dihet se ky grupim, më vonë, ra në duart e Sigurimit dhe u manipulua prej tij. Nuk është aspak çudi, që Hysen Llulla, të ketë vepruar  në hedhjen e eksplozivit në mënyrë krejt individuale. Mbas disa ditësh ai u vra në Rrugën e “Shëngjergjit” (sot rruga “Ali Demi”), në përpjekje me agjentët e Sigurimit.

I përfoluri i dytë për kryerjen e “atentatit”, ishte oficer i policisë rrugore, Qazim Laçaj. Ai, në mbrëmjen e 19 shkurtit, ishte caktuar me detyrë në afërsi të ambasadës. Flitet, se Qazimi, e hodhi bombën i shtyrë nga motive anarkiste, për të parë pështjellimin që do të shkaktonte në dikasterin e tij, hedhja e bombës. Më 20 shkurt, Qazim Laçaj arrestohet për mos vigjilencë në kryerjen e detyrës, por kur mësoi në qeli, se ai ishte bërë shkaktar për një terror masiv, mori përsipër vullnetarisht hedhjen e bombës. U dënua me vdekje dhe brenda ditës u ekzekutua. Nuk dihet me siguri, nëse Qazim Laçaj, u sakrifikua për hir të “Nënës Parti”, apo zbatoi urdhrat e dikasterit të tij kobzi, apo ishte një veprim individual i tij. Enigmën e atij atentati, e kanë marrë me vete në varr, ata që e përgatitën dhe ai që e kreu.

Për parapërgatitjen e vrasjes së 22 viktimave, me 27 shkurt të vitit 1951, ekzistojnë fakte të pakundërshtueshme. Po përmendim vetëm dy prej tyre: 1. Hapja para atentatit, e gropës ku do të groposeshin kufomat! 2. Hartimi i listave në fillim të muajit shkurt, nga Ministria e Punëve të Brendshme, për ata që do të arrestoheshin, do të dënoheshin dhe do të pushkatoheshin. Listat ishin të firmosura nga Rasim Dedja dhe Edip Çuçi. Dëshmitarët okularë nga fshatrat Mënik dhe Vaqar të Tiranës, midis tyre Kadri dhe Selam Hysa, deklaruan, se; në datat 18 dhe 19 shkurt 1951, një togë policësh kanë hapur një gropë në afërsi të Urës së Beshirit, me dimensione 8 × 8 x 1.5 m. Vendi është ruajtur me police, deri në mesnatën e 26 shkurtit, kur janë pushkatuar 22 viktimat e të ashtuquajturit komplot i “atentatit” për hedhjen e “bombës” në Ambasadën Sovjetike.

Fshatarët kishin dëgjuar atë natë, batare pushkësh dhe automatikësh, si dhe ulërimat e një gruaje, nga vendi ku ishte hapur gropa, disa ditë përpara. Ata fshatarë, pas vitit 1990, ndihmuan familjet e viktimave, për të gjetur vendin ku ishin pushkatuar të afërmit e tyre, para katër dekadash. Nga ana tjetër, ish-gjenerali i Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, i asgjësuar misteriozisht në spitalin burg të Tiranës, në vitin 1974, u ka deklaruar bashkëvuajtësve të tij, se listat për arrestimin e personave për incidentin e 19 shkurtit, në Ambasadën Sovjetike, ishin hartuar në fillim të shkurtit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ishin miratuar nga diktatori Hoxha. S’ka asnjë dyshim, se masakra e shkurtit, e vitit 1951, kishte edhe dorën e këshilltarëve sovjetikë, pranë Sigurimit Shqiptar.

Dekreti 1223 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, u firmos nga kryetari, (aventurieri politik), Omer Nishani, agjent i Kominternit dhe anëtar Këshillit të Lartë Fashist (1939-1942). Mbas disa vjetësh, Omer Nishani, u hodh në koshin e plehrave nga diktatori Hoxha dhe u detyrua t’i jepte fund jetës, me një plumb në kokë.

Dekreti 1223, i aprovuar me nxitim në natën e 26 shkurtit, kishte vetëm 6 nene dhe parashikonte që brenda 10 ditësh, për akte terroriste, të bëhej arrestimi, hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit, pa të drejtë apelimi. Dekreti ishte një kopjim fjalë për fjalë, i dekretit stalinian të 10 dhjetorit 1934, mbas vrasjes së Kirovit, me 1 dhjetor të atij viti. Me atë dekret, filloi në Bashkimin Sovjetik, terrori i madh, që brenda katër vjetëve (1934-1938), si mbas historianit francez Robert Konkuest, u arrestuan 6 milionë vetë, u ekzekutuan 3 milionë prej tyre dhe vdiqën nëpër kampet e punës, 2 milionë veta.

Shefi i G.P.U.-së sovjetike, shkurtabiqi Jezhov, thotë, se brenda 3 ditëve, mbas vrasjes së Kirovit, u arrestuan 15.098 veta, gjysma e të cilëve, mbas 10 dhjetorit u ekzekutuan. Por le të kthehemi në mbrëmjen e 19 shkurtit, të vitit 1951, kur mbas hedhjes së eksplozivit, rrugët e Tiranës gumëzhinin nga makinat e Sigurimit. Ja se ç’tregon një nga të arrestuarit e natës së zezë, i quajtur Ali Karaj; “Punoja si teknik ndërtimi në ndërmarrjen ‘Muhamed Gjollesha’. Në orën 11 të natës, porta e shtëpisë sime, u shkallmua nga shqelmat e policëve, të udhëhequr nga operative i Sigurimit, Aristotel Tasho. Ata u hodhën sipër meje si të tërbuar, duke më goditur me shqelma dhe me grushte. Me lidhën duart mbrapa shpine me tel të ndryshkur dhe më rrasën në “Gaz”, ku ishte edhe një i arrestuar tjetër, me një thes në kokë.

Mbas disa minutash, u ndodha në oborrin e birucave të Koçit, mbrapa ‘Burgut të Vjetër’ të Tiranës. Atje ishte llahtari. Dëgjoheshin të bërtiturat me zë të çjerrë të oficerëve të Sigurimit, që shanin me fjalët më të ndyra, viktimat e tyre. Goditjet me dru dhe grushta të të arrestuarve, lebetitjet e tyre ngjethëse dhe fytyra të mbuluara me gjak, të kallnin datën. Na ndanë në grupe nga 20 veta dhe na rrasën nëpër qelira. Në birucë qëndronim në këmbë të mbështetur te njëri-tjetri. Në qelinë nr. 26, ku ndodhesha unë, dallova intelektualet; Niko Lezo, Myftar Jegeni dhe Tefik Shehu.

Të tre u pushkatuan mbas ca ditësh. Gjithë atë natë dhe gjithë ditën e nesërme, “Gaz”-et nuk pushuan së utërituri, duke sjellë në Burgun e Vjetër të arrestuar të tjerë. Oficerët e Sigurimit, Besim Selita dhe Mit’hat Lame, i kapnin njerëzit si huta që rrëmben pulat dhe i çonin në dhomat e torturave. Atje i pritnin xhelatët: Halim Xhelo, Manol Milo, Stavri Xhara, Xhavit Struga e, të tjerë, me në krye krye-xhelatin, Nevzat Haznedarin. Të arrestuarit duhet të pranonin gjëra që jo vetëm s’i kishin bërë, por as që iu kishin shkuar nëpër mend ndonjëherë. Mbas pesë ditësh, në mesin e natës të datës 27 shkurt 1951, njëzet e dy burra, midis tyre edhe një grua, u pushkatuan barbarisht.

Ata ishin: Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Drashkoviq, Haki Kodra, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petro Ekonomi, Zyhdi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Andon Delhysa, Reiz Selfo, Pjerin Guraziu, Gjon Temali, Mehmet Shkupi, Sabiha Kasimati. Të gjithë intelektualë të shquar dhe shumica e tyre kishin mbaruar universitetet më të njohura të Europës. Mbi 80 veta, u dënuan me burgime të rënda. Më 3 mars, të burgosurit që do të liroheshin, i nxorën në oborrin e burgut.

Atje erdhi Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme dhe Josif Pashko, zv/ministër, bashkë me një tufë oficerësh madhorë të Sigurimit. Mehmet Shehu, me mburrje dha njoftimin, se; njëzet e dy të arrestuarit, ishin pushkatuar, 80 ishin dënuar me burgime dhe ata që do të liroheshin, u kërcënuan që të rrinin urtë si pulat, se po të luanin bishtin, do t’iu priteshin kokat.

Më 1 dhe 2 mars, u internuan familjet e të pushkatuarve, duke lejuar të merrnin me vete, vetëm nga një valixhe. Shtëpitë dhe pasuritë e tyre, u grabiten nga “pushteti popullor”. – Ky ishte epilogu i dramës së madhe të shkurtit të vitit 1951.

Më 3 mars 1951, gazeta “Zëri i Popullit”, boton fjalën e diktatorit Hoxha, mbajtur në Konferencën Kombëtare të Novatorëve, ku midis të tjerash thuhet: “Të ashpërsojmë në kulm luftën e klasave. Të jemi të pamëshirshëm kundër dobiçëve të kapitalizmit! Partia do t’u marrë shpirtin e do t’i shfarosë pa mëshirë ata. Të çelikosim dashurinë tonë të pakufishme për Stalinin gjenial, babain dhe shpëtimtarin tonë të shenjtë”!/memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: