SPAK thërret ish-ministrin e Financave Shkëlqim Canin dëshmitar për koncesionin e sterilizimit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se ish-ministri do të pyetet si person që ka dijeni në lidhje me këtë koncesion që ka çuar disa persona në pranga.
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, me zanafillë te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.
Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj.
Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm.
Ish-ministri i Financave paralajmëroi gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.
“Lidhur me riskun e kërkesës, duke qenë dakord me mënyrën e përballimit të tij… do të kërkonim që Ministria e Shëndetësisë të marrë të gjitha masat e duhura, që ky risk të minimizohet sa më shumë që të jetë e mundur përgjatë periudhës së koncesionit,” shkruante Cani në janar 2015.
SPAK ka lëshuar 8 urdhra arresti, me masa të ndryshme, dy me masën ‘arrest me burg’ për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapajn. Ndërkohë për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa ‘arrest shtëpie’ si dhe për 4 të tjerë u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.