Nga Uvil Zajmi

Ka qenë maji i 1962- shit, kur kanë filluar punimet për ndërtimin e një pallati sporti në Tiranë. Vetëm 14 muaj punë intensive dhe në korrikun e 1963-shit, impianti më i madh sportiv në vendin tonë, me emrin “Partizani”, ka qenë gati.

Për kohën e për dhjetëvjeçarët që pasuan, madje edhe sot, ka mbetur një ikonë e vërtetë, që ka mbajtur peshën kryesore të aktiviteteve kombëtare, ndërkombëtare sportive që janë organizuar në Shqipëri.

Por, cili ishte ideatori, motivi, dhe si e konkretizoi pasionin për realizimin e një kompleksi gjigant për Tiranën e Shqipërinë, gjenerali Petrit Dume, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i cili një dekadë më vonë, do të pushkatohej si “armik i popullit” së bashku me ministrin Beqir Balluku dhe Drejtorin e Drejtorisë Politike, Hito Çakon.

Nga projektuesit, turneu i Volejbollit i Ushtrive të Vendeve Mike të Demokracive Popullore të Evropës Lindore, te Ballkaniada e ’66-ës, pastaj “Virtus”, “Oransoda”, “Jugoplastika”, “Crvena Zvezda”, etj., një Shqipëri sportive-artistike, të gjithë brenda atij, pallati, nga takimet derbi në lojërat me dorë, mitingjet me kinezët, kongreset e PPSH-së, koncertet e spektaklet muzikore, deri te moda e modernizimi që injektoi brezi i kohës, ndër frekuentuesit pasionantë të tij. Si e kujtojnë sot Muhamet Përmeti, Ismet Bellova, e Sulejman Zela, punonjësi më i vjetër, Pallatin e Sportit “Partizani”, (sot “Asllan Rusi”) historinë e atij impianti sportiv dhe lidhjet organike me të?

Shqipëria dhe kryeqyteti, lojërat me dorë e sportet e tjera, në qiell të hapur…!

Që Tiranës dhe vendit i mungonte një mjedis modern i mbyllur, ku të organizoheshin aktivitetet kombëtare dhe ato ndërkombëtare të lojërave me dorë, apo edhe disiplinave të tjera, (gjimnastika, peshëngritja, ping-pongu, mundja, etj.) ishte evidente dhe një kërkesë e domosdoshme e kohës. Në Shqipërinë sportive të viteve 1950-’60-të, ndeshjet zhvilloheshin në kushte e mjedise aspak komode, në qiell të hapur, me shi e diell, kohë e keqe, ftohtë, nxehtë, terrene me dhe të zi, nga qymyri i djegur i kaldajave të ndërmarrjeve prodhuese. Tirana kishte një kënd sportiv te “Shallvaret”, pastaj Parkun Sportiv “Studenti” (ish-lodrat) në fillim të “Rrugës së Elbasanit”, Parkun “Xha Tomi”, një tjetër tek ish-gjykata në “Rrugën e Durrësit”, atë mbrapa Kryeministrisë, që për shumë vite, aty janë stërvitur e zhvilluar aktivitetet e ndryshme, deri edhe ndeshje boksi. Ndërsa në Shkodër, luhej në Parkun e Lojrave “Spartak”, në Durrës te “Nako Spiru”, në Vlorë e Korçë, gjithashtu kudo në qiell të hapur.

Pallatit i Sportit, “Partizani”, vepër e gjeneral Petrit Dumes

Ka qenë gjeneral-lejtnant Petrit Dume, asokohe në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, ai që e ideoi, e mbështeti dhe mori pjesë aktive në ndërtimin e tij. Ka pasur gjithashtu një angazhim të madh edhe nga i gjithë dikasteri i Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë e drejtues madhorë të saj, si: ministri gjeneral-lejtnant Beqir Balluku, zv/ministri Rrahman Parllaku, gjeneral-major, Thoma Xhixho, gjeneral-major Mendu Backa, gjeneral-major, Abaz Fejzo, etj. Duke shfrytëzuar hambarët e avionëve të ushtrisë italiane të Benito Musolinit të periudhës së pushtimit (1939-1943) si dhe afërsinë me ndërtesat njëkatëshe të Klubit Sportiv “Partizani”, shkak për ndërtimin e shpejtë dhe të domosdoshëm të një mjedisi të mbuluar me përmasa gjigante, u bë Spartakiada e Ushtrive të Vendeve mike të “Demokracive Popullore” (siç quheshin në atë kohë vendet komuniste të Europës Lindore, etj.) në volejboll, që u vendos të zhvillohej në Tiranë, në korrik të vitit 1963.

Në atë vit, në atë aktivitet do të merrnin pjesë; Shqipëria, Republika Popullore e Kinës, Republika Demokratike e Koresë së Veriut dhe Rumania. Punimet për ndërtimin e tij, nisën në muajin maj të vitit 1962, me projektues inxhinierët e njohur: Koço Miho, A. Galanxhi, S. Pashallari, A. Nase, S. Velto dhe V. Uçi. Aty është punuar me norma të larta ditore pune, me brigada ushtarësh, me zotimin për ta mbaruar para afatit dhe në realizmin e tij, kanë punuar me punë vullnetare edhe shumë sportistë, trajnerë, etj. Por një kontribut të madh kanë dhënë inxhinier Kristaqi, teknikët ndërtues P. Toska, L. Tereziu, Th. Poçi, L. Vuksani, Xh. Osmani, S. Bejleri, M. Gjoni, Z. Ujku, Th. Becka P. Tervolli, P. Dokarja, Q. Buzi etj. I konsideruar si vepër e ushtrisë për rininë e kryeqytetit, mori emrin “Partizani”, i vënë që në projekt, pasi përfshihej në zonën ku ndodhej Klubi Sportiv nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe nga dëshira e ushtarakëve madhorë. Vetëm pas viteve ’90-të, ai ndryshoi emrin, në Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, një ndër legjendat e volejbollit të “Dinamos” e Kombëtares, i ndarë nga jeta tragjikisht në moshë të re.

Projekt modern për kohën

Sipas disa shkrimeve informuese të gazetarit dhe komentuarit të njohur sportiv, Skifter Këlliçi, drejtuesit të sportit Kozma Grillo dhe ushtarakëve, si majori N. Deveja dhe A. Kuka, në gazetën “Sporti Popullor”, gjatë vitit 1962 e 1963, sipas projektit, Pallati i Sportit, do të ishte i ndarë në tri salla: 1) Salla qendrore, më e madhja e lojërave me dorë, kryesisht për basketboll, volejboll, por edhe për gjimnastikë, mundje, peshëngritje, etj. 2) Në krah të djathtë, salla me pishinën moderne, e para në Shqipëri e mbyllur. 3) Në krahun tjetër, salla që shërbente si palestër, gjithçka e shtruar me parket. Ndërsa jashtë pallatit, u ndërtuan fusha sportive për stërvitje, si; basketboll, volejboll, futboll, dy fusha tenisi, pistë vrapimi dhe anekse të tjera sportive.

Pallati kishte nga 20 shkallë për secilën tribunë, të shtruara me material të parafabrikuar, me rreth 3.500 vende ulur, ndërsa 500, mund ta ndiqnin në këmbë. Hapësira të mëdha, banja funksionale, dhoma zhveshje, tabelë elektronike (me llamba kineze) për shifrat e lojës. Ai impiant sportive, do të mbulohej nga një çati metalike dhe fasada e jashtme, do të vishej me pllaka guri të lëmuar. Pallati, kishte një sipërfaqe 110 m. i gjatë dhe 44 m. i gjerë. Kishte kubaturë 40 mijë m 3, sistem qendror ngrohjeje, etj. Edhe tenis mund të luhej aty. U quajt Pallati i Sportit i Lojërave me Dorë, por aty janë zhvilluar shumë disiplina sportive; peshëngritje, mundje, gjimnastikë, etj. Disa nga drejtuesit e tij, kanë qenë Ali Kastrati, si dhe administratorët A. Prodani, S. Foci, V. Xhindolli, etj.

Edhe një pishinë olimpike…!

Një ndër mjediset sportive shumë-funksionale, moderne e veçantë për kohën, jo vetëm në Shqipëri, ka qenë pishina e mbyllur, në të cilën janë zhvilluar shumë aktivitete, si not, vaterpolo, etj. Me një tribunë me 500 vende, e gjatë 25 metra, me trampolinë, ajo ishte vepër e Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Ushtarake. Sipas arkitektëve, pjesa e poshtme nën ujë, ishte projektuar me xham, që garat të ndiqeshin nga trajnerët e specialistët, si dhe me drita nën sipërfaqen e ujit. Por, me kalimin e viteve, pak nga neglizhenca, jo e izoluar mirë, hidroizolimi filloi të mos funksionojë, duke futur ujë. Për këtë arsye, pishina mundi të rezistojë deri në mes vitet ’70-të dhe për shkak të amortizimit e lagështirës, ajo nuk u shfrytëzua më. Më pas u transformua në sallë të lojërave me dorë e stërvitjeve të ekipeve të kryeqytetit, kombëtareve të ndryshme dhe e ndeshjeve të kampionateve zyrtare të volejbollit, basketbollit, gjimnastikës, mundjes, peshëngritjes, pingpongut, etj. I gjithë parketi është i vendosur dhe qëndron mbi një strukturë metalike.

Kampionati i Volejbollit të Ushtrive mike, të vendeve Socialiste

Ky turne startoi në mesditën e 4 korrikut 1963 (vetëm volejbolli), në stadiumin e lojërave me dorë, “Studenti”, të mbushur me flamuj të Republikës Popullore të Shqipërisë, Republikës Popullore të Kinës, Republikës Demokratike Popullore të Koresë së Veriut dhe Republikës Popullore të Rumanisë. Në orën 16:55, të pritur nga 3.000 spektatorët e pranishëm, të prirë nga flamujt e vendeve përkatës, përballë tribunës qendrore, rreshtohen ekipet e volejbollit. Para mikrofonit afrohet gjeneral-leitnant Petrit Dume, i cili në emër të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të RP Shqipërisë, përshëndeti sportistët pjesëmarrës dhe deklaroi të çelur kampionatin e volejbollit. Pastaj, nën tingujt e himnit kombëtar, të ekzekutuar nga orkestra frymore e ushtrisë, Masar Aga, iu drejtua këndit jugor të fushës, për të ngritur flamurin e R.P. të Shqipërisë, si vendit organizator. Pastaj parakaluan ekipet pjesëmarrëse dhe më pas filluan ndeshjet. Rezultatet e ndeshjeve: “I P’HAL” – “Steaua” 3- 1 dhe “PA – I” – “Partizani” 3-0. “Partizani” luajti në këtë turne me: Masar Aga, (kapiten) Lullolli, Jorgji Kona, Prifti, Meka, Pelivani, Sharofi, Petrit Murzaku, trainer Andon Kona. Ndërkohë, ndeshjet e tjera, sipas programit, zhvillohen edhe në Durrës e Shkodër, ndërsa Dilaver Cara, është arbitri shqiptar në këtë aktivitet.

Inaugurimi, në vigjilje të 20-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore

Duke iu referuar gazetës “Sporti Popullor”, informohemi se Pallati i Sportit “Partizani”, u inaugurua me 10 korrik 1963, në vigjilje të 20-vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore. Në ceremoninë përuruese, ishin të pranishëm, ministri i Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht zv/kryeministër, dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, gjeneral-lejtnant Beqir Balluku, anëtari i Byrosë Politike dhe ministri i Arsim-Kulturës, Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-lejtnant, Kadri Hazbiu, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral-lejtnant, Petrit Dume, kryetari i Kuvendit Popullor, Dr. Medar Shtylla, si dhe anëtarë të Komitetit Qendror të PPSh-së, qeverisë, etj.

Merrnin pjesë gjithashtu edhe delegacioni ushtarak i Republikës Demokratike Popullore të Algjerisë, si dhe ekipet e volejbollit të Republikës Popullore të Kinës dhe Hungarisë. Fjalën e rastit e mbajti zv/ministri i parë i Mbrojtjes, gjeneral-lejtnant Petrit Dume. Pastaj, zv/kryetar i parë i Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, preu shiritin dhe të pranishmit vizituan Pallatin. Ndërkohë, janë vitet e ndërprerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, të cilat ndikuan edhe në ndërtimin e tij dhe mjaft pajisje erdhën nga Kina, ndër to edhe tabela e pikëve. Pati vështirësi në montimin e saj dhe ishte inxhinier Vathi, vëllai i Bule Vathit, (ish-futbollistit të Kombëtares, që u arratis në Turqi, pas një ndeshje të zhvilluar në Hungari), që arriti të realizojë funksionimin e saj.

Ndeshja e parë kundër kinezëve: “Partizani” – “PA-I” 0-3

Këtij aktiviteti i bëri jehonë të madhe edhe shtypi, ku ndër të tjera të shtunën, më 13 korrik, gazeta “Sporti Popullor”, shkruante: “Më 10 korrik filluan ndeshjet e fazës së dytë të këtij kampionatit të ushtrive. Ndeshja e parë, duartrokitjet e para të spektatorëve të parë të pallatit të ri të sportit, i morën volejbollistët e skuadrave të ‘Partizanit’ dhe ‘PA-I’ të R.P. të Kinës, të cilëve iu takoi të fillojnë aktivitetin e parë sportiv në këtë vepër. Ndeshja u mbyll 3-0, për kinezët. Turneu vazhdoi disa ditë dhe ai u fitua nga “PA-I”, që në takimin deçiziv, mundi 3-2 “IP-Hal” të Ushtrisë Popullore të R.D. të Koresë”. Ka edhe një detaj tjetër: Pikërisht në Pallatin e Sportit, është zhvilluar takimi miqësor me boksierët koreanë, që shënoi aktivitetin e fundit të boksit në Shqipëri, sepse ky sport u ndalua.

Ballkaniada, e ’65-ës, tjetër turne madhor

Në fund të vitit 1965, pikërisht në Pallatin e Sportit “Partizani”, të ndërtuar vetëm dy vite më parë, organizohet e zhvillohet Ballkaniada e skuadrave përfaqësuese në basketboll për meshkuj. Marrin pjesë: Shqipëria A dhe B, Jugosllavia, Rumania, Turqia e Bullgaria. Turneu zgjati disa ditë dhe u mbyll me fitoren e ekipit të Jugosllavisë. Gjatë një jave, shkallët e Pallatit të Sportit, kanë qenë të mbushura mbi kapacitetin e tyre dhe të pranishmit kanë përjetuar emocione të mëdha në atë mjedis. Kanë lënë gjurmë, 101 pikët e Vaso Shakës dhe sfida e jashtëzakonshme Shqipëri-Jugosllavi, fituar me 4 pikë (64- 60) në fund-lojë nga kundërshtarët, e vlerësuar si takimi më spektakolar i zhvilluar në historinë e skuadrës kombëtare shqiptare në basketboll, ndaj një formacioni në përbërje me kampionë të njohur bote.

Mjedisi i Shakës, Fagëve, Rusit, Tases, por edhe i amerikanëve…!

Janë vitet e një ndjeshmërie të madhe sportive, për të ndjekur takimet rivalizuese, në veçanti sfidat e paharruara të djemve “Partizani”-“17 Nëntori”, në basketboll, “Dinamo”-“Partizani” në volejboll, etj. Për të parë nga afër Asllan Rusin (nuk jeton), dy Fagët: Agim e Dashamir (Dashi nuk jeton), Vaso Shakën, Renato Radojën, Kujtim Kasmin, Bujar Shehun, Hysen Domin, Enis Terihatin, Kiço Lenën, Ali Bushatin (nuk jeton), Nikolin Palin, Kushtrim Zaçen (nuk jeton), Leonard dhe Ela Tasen, Moza Dukën, Moza Ibrahimin, Kastriot Mushin, Gazmend Çaçin, Pjerin Bushatin, Ilir Trebickën, Refik Vorfën, Viktor Papavangjelin, Ndue Ndojën, trajnerët Vangjel Koja, Astrit Greva, Kreshnik Tartari, Njazi Lleshi, Qemal Shalsi, Feti Borova, Andon Kona, arbitrat Virgjil Karaja, Vangjel Shundi, Shpëtim Bozdo, etj. Nga kampionët Ymer Pampuri, Faruk Kalleshi, Ndriçim Spahiu, Stefan Gjenerali, gjimnastin A. Marko, një pafundësi emra…!

Aty kanë garuar gjimnastë, peshëngritës, mundës, boksierë në një gjysmë shekulli të ekzistencës së atij pallati. Në parketin e tij, kanë zbritur formacione me sportistë të klubeve me famë europiane, si “Virtus” i Bolonjës në volejboll për djem, italianët e “Oransodës” me Burgess e Lyn, nga të parët amerikanë që kanë luajtur aty, në barazimin e paharruar 73-73 dhe 48 pikët përtej kufijve imagjinarë e të papërsëritshme të Agim Fagut…! Pastaj jugosllavët e “Zadari”-t të Gjergjas, “Jugoplastika” me Shollman, “Partizani” e “Crvena Zvezda”, të Stankoviç e Simonoviç, “Sinudine”, “Skavolini”, “Banko Roma”, “Ruini”, etj.

Jo vetëm sport, por edhe argëtim

Fryma moderne e ndryshimeve të viteve ’70-të, në mbarë Europën përfshiu edhe rininë shqiptare të asaj kohe. Frekuentimi i madh i Pallatit të Sportit, ishte një ndër mënyrat për të përcjellë tek ai brez entuziazmin që vinte nga “Beatles-mania”, veshjet dhe këngët e Elvis Presly, që ishin bërë pjesë jetësore e djemve e vajzave pasionantë të viteve ’70-të. Vajtja dhe qëndrimi në Pallatin e Sportit, nuk ishte vetëm një ndeshje apo të shihje nga afër kampionët e personazhet e njohur sportivë të kohës, por edhe një shfaqje e modernizimit social. Si vendi i takimit, i demonstrimit të pasioneve, modës, i njohjeve, veshjeve, dashurive të bujshme, etj., fundjava në Pallatin e Sportit, ishte kthyer në një argëtim sistematik për kryeqytetasit, por jo vetëm.

Pallati i Kongreseve, spektaklit dhe i transmetimeve të para në Radio-Televizionin Shqiptar. Edhe RTSh-ja, në të parat transmetime eksperimentale që ka realizuar, kanë qenë edhe ato sportive nga Pallati i Sportit “Partizani”. Skifter Këlliçi, Vladimir Grillo, apo radio-kronistët Vangjel Shundi, Ahmet Shqarri, Kujtim Trajse, etj., me intervista gjatë e në përfundim të takimeve, janë disa nga zërat e që kanë informuar edhe drejtpërdrejtë nga parketi “partizanas”. Por, mjediset e tij janë shfrytëzuar edhe për manifestime politike, si ato me kinezë, kongreset e bujshme të Rinisë, Gruas, apo manifestime sportive e të miqësisë shqiptaro-kineze. Deri edhe në spektakle gjigante, si ato muzikore “4000 duartrokitje”, një “show” i madh për vitet ’70-të, me regji të Bujar Kapexhiut, etj.

Shkodër, Katedralja Katolike, transformohet në Pallat Sporti…!

Me ndërtimin e Pallatit të Sportit “Partizani” dhe prishjes së Parkut të Lojërave me dorë “Studenti”, (tek ish-lodrat, në krye të “Rrugës së Elbasanit”), Tiranës i mbetet parku “Konferenca e Pezës”, i njohur si “Parku Xha Toni”, ku stërviten sportistët e klubit “17 Nëntori” dhe zhvilloheshin disa aktivitete zyrtare. “Dinamo” në volejboll e basketboll, për djem e vajza kishte fushat mbrapa Kryeministrisë, ndërkohë që funksiononte edhe kompleksi te konviktet e studentëve, si dhe mjedisi ngjitur me palestrën e Universitetit, në të cilin kishte edhe fushë tenisi. Ishin vitet kur në disa qytete të vendit, fillojnë ndërtimet e pallateve të sportit, (si pallati i Sportit “Punëtori” në qytetin e Durrësit, në vitin 1969, sot me emrin “Ramazan Njala”), kurse në qytetin e Shkodrës sportive, nuk u ngrit një pallat i ri sporti, por Katedralja Katolike, do të transformohej në Pallat Sporti. Deri në vitet ‘90-të, kur ajo u kthye sërish në institucion fetar, aty janë zhvilluar të gjitha aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare të lojërave me dorë, si dhe të tjera aktivitete sportive.

Petrit Dume, një gjeneral edhe për sportin!

Një oficer madhor me gradën gjenaral-leitnant, admirues, njohës dhe ushtrues i sportit. I lidhur më shumë me Klubin Sportiv “Partizani”, ai ka meritën e madhe që një pjesë të jetës së tij, ja dedikoi tërësisht sportit, duke dhënë një ndihmesë e kontribut të jashtëzakonshëm, në zhvillimin, transformimin, mbështetjen për sportistë e skuadra. Pasionant i tenisit dhe hipizmit, me gjeneral Petrit Dumen, është e njohur edhe historia e Pallatit të Sportit, pasi ishte produkt i idesë, këmbënguljes e dëshirës së tij. Ajo ndërtesë që ai e realizoi vetëm në pak muaj, i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë sportit kombëtar, për më shumë se një gjysëm shekulli. Por, jo vetëm Pallati i Sportit, edhe kompleksi i Klubit “Partizani”, është vepër e vizionit, të tij. Me arkitekt Stavri Bakllabashin, kontributin e Irfan Tërshanës, edhe ai u ndërtua me forcat e ushtrisë, fillimisht si Hoteli i Pilotëve, për të kaluar në administrim të klubit “Partizani” pas viteve ‘70-të. Me drejtuesit e paharruar Besim Fagu, Muhamet Sava, kompleksi modern kishte fushat e lojërave me dorë, tenisit, të futbollit dhe palestrën gjigante, mensën si dhe ekonomi ndihmëse. Në vite, i ka shërbyer brezave e gjeneratave të sportistëve të klubit.

Muhamet Përmeti: “Kam qenë dëshmitar”!

Sapo ishte kthyer nga një turne ndërkombëtar, në të cilin ndeshjet ishin zhvilluar në salla e mjedise sportive moderne për kohën. Ndërsa është nisur për stërvitje, tek gjimnazit “Qemal Stafa”, në afërsi të Klubit, rastësisht “Pata” ka takuar gjeneral Petrit Dumen. “Ai më pa me topin në dorë dhe më pyeti; ‘ku po shkon’? ‘Këtu sipër, të stërvitem te fusha e basketbollit’-iu përgjigja. ‘Si mendon, e bëjmë një pallat sporti këtu’ më pyeti? I habitur, hezitova për një çast, shumë mirë i thashë”-kujton Përmeti, e shton: “Kam qenë dëshmitar okular. Për të shpejtuar ndërtimin e tij, u morën forca të shumta pune, ushtarë nga Reparti i Diko Zeqos. Me punë intensive, me turne, hambarët u prishen, u hap gropa dhe filluan punimet. Kujtoj se edhe sportistët kanë kontribuar, sidomos ne të ‘Partizanit’ se e kishim afër me Klubin. Madje aty në hyrje u vendos edhe një pllakat, që u hoq në vitet 90-të”!

Sulejman Zela: “Gjysëm shekulli, aty kam jetuar”!

“Sula i gjatë”, apo “Sula i Pallatit të Sportit”, kështu e njohin edhe sot, personazhin mitik të atij mjedisi. Një jetë e lidhur me Pallatin e Sportit “Partizani”, e më pas “Asllan Rusi”. Quhet Sulejman Zela, nga fshatrat e Tiranës, dhe në kryeqytet ka ardhur në mes-vitet ‘60-të, i marrë për të kryer shërbimin ushtarak, fillimisht si atlet në hedhjet, pastaj për lojërat me dorë, pasi kishte shtat lartësi të admirueshme për basketboll. Por, karriera sportive nuk do të vazhdonte gjatë, dhe drejtuesit e Klubit Sportiv, e sistemojnë si punëtor në administratën pallatit sportiv. Për më shumë rreth kësaj, ai na njeh në këtë intervistë të shkurtër, që po botojmë në vijim në këtë shkrim.

Z. Zela, sa vjet ke punuar këtu?

Nga ‘68-ta, deri kur pak kohë më parë që dola në pension, gati gjysmë shekulli, aty punoja, flija, pallati ka shërbyer edhe si një shtëpi për mua. Ndërsa tani, banoj në një apartament aty pranë. Kam kujtime të paharruara. Rregulloja mjedisin e brendshëm, pastroja dhomat e zhveshjeve, isha përgjegjësi kryesor.

Po manifestimet me kinezët, kongreset ju kujtohen?

Kam qenë organizatori i sallës qendrore, bashkë me punëtorët e tjerë dhe ishte përgjegjësi e madhe. Për mitingjet me kinezët, kongreset e ndryshme, apo aktivitete të tilla, pallati bllokohej, nuk zhvilloheshin takime kombëtare e ndërkombëtare. Në një rast, ndeshja “Partizani”-“Dinamon” e Bukureshtit në basketboll, u luajt në Shkodër, pasi në atë të Tiranës, do të zhvillohej një kongres. Pallati, merrej dhe ishte nën kujdesin e policisë, dhe për përgatitjen e podiumeve, punohej me muaj. Për siguri, gjithçka kontrollohej nga Sigurimi i Shtetit, para fillimit të kongresit.

Bellova: “Pallati i Sportit, dëshirë e Petrit Dumes”!

Ismet Bellova, një figure madhore, personalitet, jo vetëm e sportit dhe e mikrofonit, por shumë dimensionale, lidhur me figurën e gjeneral Petrit Dumes, ideatorit dhe kontribuesit kryesor në ndërtimin e atij pallati sporti, shprehet: “E veçanta e Petrit Dumes, ishte se kishte një karakter të rrallë e një humanizëm të madh. Gjithçka që pati në dorë, ja kushtoi sportit, njerëzve të tij. Pallati i Sportit, është vepër e tij, e dëshirës që edhe në Tiranë të zhvillohej një aktivitet ndërkombëtar, si ai a kampionateve të Ushtrive të Vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë së largët, në volejboll. Po kështu edhe kompleksi i Klubit “Partizani”. Është një detyrim moral të flasësh e të trajtosh figurën e madhe pozitive të Petrit Dumes. I takon të gjithëve që të krijojnë një simbol vlerësues, një çmim special vjetor me emrin e tij, që t’i jepen për merita sportistëve e figurave të mëdha. Të paktën është një formë për ta kujtuar, respektuar e nderuar madhështinë e tij”/ memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: