Çmimet e larta pas luftës në Ukrainë kanë ndryshuar burimet e importit të vendit dy vitet e fundit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në periudhën janar-korrik 2023, India u rendit partneri i dytë tregtar në volumin e importeve (në sasi), pas Turqisë.

Kjo rritje erdhi për shkak të transferimit të importit të naftës nga Rusia në Indi.

Gjatë 7-mujorit 2023 tregtia me Indinë shënoi rritje vjetore me 550% në volum dhe me 300% në vlerë. Mallrat nga India në sasi zunë 11% të totalit të importeve, dhe 3.5% të totalit të importeve në vlerë.

E gjithë rritja e importeve nga India erdhi nga zhvendosja e furnizimeve me karburant, sheqer dhe disa prodhime të qeramikës, zarzavateve, pëlhurave etj.

Ndryshimi kryesor ka ardhur pasi furnitori kryesor i importuesve shqiptarë, kompania shumëkombëshe OM, po e blen tani naftën nga rafineritë e Indisë.

Burimet nga Shoqata e Karburanteve pohuan së në Indi ndodhen rafineritë e mëdha të naftës dhe furnizimi po bëhet për arsye të çmimeve të pranueshme.

Nafta e importuar nga India ishte 152 mijë tonë dhe zuri 44% E importeve totale të naftës që hynë në vendin tonë gjatë 7-mujorit.

Grosistët bënë të ditur se furnitori kryesor i importuesve shqiptarë është kompania shumëkombëshe OMV, e cila blen naftë në tregje që paraqiten fisibël në çmime.

Më parë importuesit shqiptar furnizoheshin nga depozitat e OMV-se në Itali, ndërsa këtë vit furnitori po e sjell direkt në portet shqiptare. Si rezultat i këtij ndryshimi në tregun e naftës India u rendit partneri i dytë tregtar për sasinë e importeve. Importet e naftës nga India nisën në tetor te vitit 2022.

Pas luftës në Ukrainë çmimet e energjisë dhe naftës pësuan në rritje të shpejtë në rang global, teksa transporti nga Rusia si një nga furnitorët kryesore të vendit tonë u bë e vështirë për shkak të sanksioneve.

Deri në vitin 2021 vendi ynë siguronte gati 12% të importeve totale të karburanteve nga Rusia.

Në janar-korrik 2023 u importuan gjithsej 343 mijë tonë karburante me rritje vjetore 10%. Burimet nga tregu pohojnë se ka përmirësim për shkak të rritjes së konsumit nga rënia e çmimeve dhe shtimit të qarkullimit nga turizmi./Monitor/

Im
Im

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb