Në Shqipëri, studiues të pavarur të jetës politike mendojnë se skandalet politike dhe aferat korruptive të qeverisë socialiste janë shkaku kryesor i ndryshimeve në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama.

Ata besojnë se në vitin e njëmbëdhjetë i qeverisjes socialiste, konsumimi i figurave socialiste është shumë i lartë.

Sipas analistëve të politikës, këto zëvendësime ministrash po bëhen pa ndonjë analizë të rezultateve të tyre, por vetëm nën presionin e organeve të drejtësisë, të cilat kanë hapur hetime në pothuaj çdo sektor të qeverisjes së vendit.

Studiues të pavarur të jetës politike në Shqipëri vlerësojnë se ndryshimet e fundit në kabinetin qeveritar, që njoftoi kryeministri Rama, po bëhen edhe këtë herë pa ndonjë analizë mbi punën e ministrave të larguar apo pritshmëri të ministrave të rinj.

Analisti Blendi Ceka thotë se pas shumë ndërrime ministrash, dhe konsumimesh nuk dihet më se çfarë do të thotë një ministër i mirë, nëse e bëri apo jo reformën që ai premtoi, ose cilat janë rezultatet të mira apo të dobëta të punës së tij.

Ai shtoi se kryeministri Rama ka sjellë edhe një reflektim distancues mbi rezultatet e punës së SPAK-ut, që po heton disa afera korruptive.

“Përshtypja ime është që në vitin e njëmbëdhjetë të qeverisjes, zoti Rama ka nevojë për një fabul të re rifreskuese. Mbi të gjitha qeveria ka nevojë për një reflektim të drejtëpërdrejtë mbi atë që po ndodh me SPAK-un, i cili është zhvillimi pozitiv më i madh që ka ndodhur në Shqipëri, ku duhet të pozicionohet qartë si për sa i përket ecurisë së punëve ashtu edhe në raport me këto procese dhe nisma”, tha zoti Ceka për Zërin e Amerikës.

Analistët pohojnë se është e jashtëzakonshme që të ndërrohen në këtë mënyrë pa shpjegime ministra të rëndësishëm si diplomacia, arsimi, bujqësia, financa, pa ndonjë presion llogaridhënie konkrete. Sioas tyre kjo ka ardhur prej hetimeve të nisura nga prokuroria e posaçme SPAK, madje edhe duke u distancuar nga aferat e dyshuara që po hetohen ndërkohë.

Analisti Lutfi Dervishi thotë që tani duket se gjithçka është ndryshe, por asgjë nuk ka ndryshuar.

“Ndihet një reagim në lëvizjen e disa ministreve, që kanë probleme me aferat, ndërsa pjesa tjetër duket një llloj akomodimi, lëvizje nga partia në qeveri. Por nga pikëpamja e interesit publik nuk e kupton dot as se çfarë performance kanë patur ministrat që po lëvizin, ose që po largohen, dhe as se çfarë objektivash kanë ministrat që janë në qeveri”, tha zoti Dervishi për Zërin e Amerikës.

Studiuesit vërejnë se është praktikë e kryeministrit Rama të mos marrë në qeveri emra të njohur socialistë, dhe në emrat e ministrave të rinj nuk ka asnjë befasi, por bie në sy monopolizimi i kryetarit, defaktorizimi i strukturave partiake, dhe përsëri vendosi vetëm një njeri se kush duhet të jetë e kush jo në qeveri.

Sipas tyre, zoti rama i ndërmerr këto hapa si rezultat i zhvillimeve dhe presioneve në raport me SPAK-un, por jo se ka ndonjë presion nga protesta në rrugë, llogaridhënie nga opozita apo nga media.

“Dy janë sot nevoja ulëritëse në Shqipëri: mungesa e opozitës për të bërë kërkesa llogaridhënie, bilance për reformat, për dështimet, për aktet korruptive të ministrave, për logjikën se për çfarë ndryshohen, se çfarë pritet të vijë, dhe nga ana tjetër duhet media pa diskutim të bëjë këtë lloj skanimi”, tha zoti Ceka.

Analistët besojnë se në Shqipëri mungon llogaridhënia e drejtpërdrejtë e qeverisë për ato që ka premtuar, për reformat dhe skandalet, si dhe mbi përgjegjësinë politike, që ajo duhet të mbajë për aktet që ndërmerr. Zoti Dervishi theksoi se së pari kjo nis nga opozita, nga opinoni publik dhe media, por ky presion nga jashtë qeverisë i mungon, dhe kryeministri Rama i ndërmerr këto ndryshime si një nevojë nga brenda radhëve të qeverisë në raport me drejtësinë.

“Një tjetër shtysë është inercia, që ta mbajë qeverinë në lëvizje, duke sjellë ndryshime, është një lloj presioni i vazhdueshëm ndaj qeverisjes, por nuk ka ndonjë reflektim. Çështja e korrupsionit nuk ka të bëjë vetëm me SPAK-un, por është çështje e vullnetit politik, e mekanizmave institucionalë dhe institucioneve që janë ngritur, e frymës që përcjell dhe të gjitha këto munguan”, thotë zoti Dervishi.

Studiuesit mendojnë që opozita ndërkohë po merret me vetveten se kush është shumica brenda pakicës, por aktualisht ndjehet shumë mungesa e presionit të saj, ndaj shumë shpejt duhet të rikthehet nga një kuriozitet politik në një faktor politik denoncues, siç ishte në rastin e aferave korruptive.

Kryeministri Rama njoftoi dje në një mbledhje të Partisë Socialiste ndërrimin e shtatë posteve ministrore në kabinetin e tij nga diplomacia, arsimi, e bujqësia, dhe deri tek financat, të cilat iu shtuan zëvendësimit dy muaj më parë edhe të ministrit të punëve të brendshme./ VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb