Sociologu Ergys Mërtiri, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar lehtësimin e akuzave për anëtarët e fisit Rraja të cilët u përfshinë në dhunimin e anëtarëve të fisit Maja para disa muajsh.

Mërtiri u shpreh se edhe nëse plagosja cilësohet si “e lehtë”, Rrajat kanë vepruar në formën e një grupi kriminal të organizuar, ndërsa shtoi se për këtë arsye ky rast duhet të trajtohet si vepër e një grupi të organizuar kriminal.

Ai vijoi më tej duke thënë se vetë fakti që autorët e dhunës kanë filmuar aktin tregon se videoja do shërbente si një mjet terrori.

Sipas tij rasti i Rrajave ka të bëjë me “krimin shtetëror” dhe se këta të fundit mbrohen nga “lidhja me shtetin”.

“Duke parë se si këtu hyjnë dhe dalin nga burgu ose dënohen shumë pak, shihet se gjithçka është kopsitur në këtë mënyrë. Çfarë u zbulua këto 4 muaj, ekspertiza u bë në moment. Prokuroria duhet të hetojë nëse kanë patur pistoleta apo jo. Kjo mund të hetohet.

Edhe nëse plagosja është e lehtë, nëse ajo ndodh në mënyrë të organizuar nga një grup i tillë me histori kriminale, pse nuk trajtohet si vepër e një grupi të organizuar kriminal. Përse u filmua vepra, ishte për terror. Filmimi i veprës është një akt që e rëndon rastin më tej.

Kryeministri që thotë se nuk e mbështet krimin, pse nuk shkon vetë të denoncojë rastin në SPAK? Kjo ka lidhje me krimin shtetëror. Këta mbrohen nga lidhja me shtetin. Implikim i drejtpërdrejtë me kapjen e shtetit. Fakti që nuk e zbardh tregon që shteti është i përlyer”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb