Në Shënjestër

Ata njihen si ‘peshkaqenët’ e pronave në bregdet. Njerëz që janë investuar në grabitjen e tyre, të cilët janë shtuar, si në asnjë vend tjetër në Evropë, çdo ditë e më shumë përgjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri.

Kjo falë edhe një drejtësie të korruptuar, të cilën ata e kanë përvetësuar si rrobën që veshin çdo mëngjes kur dalin nga shtëpia.

Drejtësi, të cilën ata e kanë vënë kohë pas kohe në shërbim të tyre, duke falsifikuar prona dhe sjellë për pasojë drama të thella sociale në shumë familje shqiptare nga veriu në jug të vendit.

Pronarë të vërtetë tokash, të cilët kanë parë se si pasuritë e tyre jo vetëm janë tjetërsuar, por edhe se si drejtësia ka marrë vendime në dëm të tyre, në kahun e kundërt të respektimit të ligjit.

Ky duket se është edhe rasti i Drande Hotaj. Një 99-vjeçare, që jetoi pleqërinë e saj të thellë, duke parë se si prona e saj u grabit në mënyrën më mizore dhe tinëzare, pikërisht nga ai që duhet të ishte mbrojtësi i parë i trashëgimisë së saj.

Nga nipi i saj, biznesmeni Pëllumb Gjoka. Një njeri i fuqishëm. I mbrojtur nga pushteti okult, i cili në bashkëpunim me drejtësinë e korruptuar, i grabiti hallës së tij të moshuar jo pak, por 39 hektarë tokë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, në atë të Velipojës, në fshatin Pulaj.

Një histori që na tregon se si të fortët në Shqipëri, kur vjen puna te grabitja e pronave nuk kursejnë as të afërmit e tyre. Zanafillë që fillon dhe bëhet më e dukshme në vitin 2012. Ku sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në Shënjestër’ në Prokurorinë e Shkodrës, kallëzimi i parë mbi grabitjen e tokës së nënës së saj, Drande Hotaj, u bë nga vajza, Lule Zefi.

E cila kallëzoi në prokurorinë e qytetit verior, shtetasin Ardian Beci. Ai rezultoi se ishte kushëri i parë nga nëna e biznesmenit Pëllumb Gjoka, por që ndërkohë kryente edhe shumë punë të tjera për llogari të tij.

Shtetas i cili mësohet se ishte paraqitur pranë noteres Valbona Hajdari, në Lezhë, duke pretenduar se ai kishte një prokurë të posaçme nga Drande Hotaj. Gruaja e moshuar që jetonte në fshatin e thellë malor Grizhë në Malësinë e Madhe, por që kishte në zotërim një pronë me sipërfaqe prej 39 hektarësh në Velipojë.

Prokurë, sipas së cilës e moshuara del se i jepte pëlqimin Ardian Becit, për të kryer veprime noteriale, me qëllim për tia kaluar pronën e saj të bollshme në fshatin Pulaj në Velipojë, djalit të vëllait të saj, në këtë rast Pëllumb Gjoka.

Gjë që sipas Lule Zefi, vajzës së Drande Hotaj, nuk ishte aspak e vërtetë.E para, sepse nëna e saj për shkak të moshës së shkuar nuk ishte e aftë të kryente asnjë veprim procedural. Dhe e dyta, por edhe më kryesore, sepse 99- vjeçarja, nuk dinte shkrim dhe këndim.

Arsye të mjaftueshme, të cilat e çuan Lule Zefin, si trashëgimtare të drejtpërdrejtë të saj, të paraqitet në Prokurorinë Shkodër.

Aty ku fillimisht dorëzoi një kallëzim penal ndaj noteres Valbona Hajdari.

Notere, që sipas saj, në vitin 2012, në mënyrë të kundërligjshme, kishte pranuar një prokurë të falsifikuar në emër të nënës së saj, nga shtetasi Ardian Beci.

Dosja Hetimore

Në Prokurorinë e Shkodrës më datë 29 Korrik 2020 ka paraqitur kallëzimin shtetasja Lule Zefi (vajza e shtetases Drande Hotaj), kallëzim në të cilin pretendon se noterja Valbona Hajdari ka falsifikuar prokurën me Nr. Rep 311 të datës 17 Janar 2012 sipas së cilës shtetasja Drande Hotaj i ka dhënë tagrat e përfaqësimit shtetasit Ardian Beci.

Sipas kallëzimit të bërë nga Lule Zefi, në këtë rast vajza e Drande Hotaj, ata si familje nuk e njihnin absolutisht Ardian Becin.

Dhe jo më nëna e tyre, në atë moshë të thyer që ishte, të kishte dhënë një autorizim të tillë.Nga interesimi i tyre, ata mësuan që Ardian Beci ishte djali i dajës së Pëllumb Gjokës.

Biznesmeni kontrovers, me njohje të shumta në politikë por edhe me ndikim të madh mbi njerëzit e drejtësisë, ashtu sikurse do të zbulohej një dekadë më vonë, pasi Lule Zefi denoncoi vjedhjen e pronës.

Dosja Hetimore

Sipas shtetases Lule Zefi në bazë të kësaj prokure Ardian Beci ka kryer një sërë veprimesh në mashtrim me ligjin deri tek tjetërsimi i pronave të shtetases Drande Hotaj të cilat i përkasin trashëgimtarëve të saj.

Sipas kallëzueses prokura në fjalë është e falsifikuar pasi i jep tagra përfaqësimi një personi të panjohur për të dhe familjen e saj.

Si dhe nuk është nënshkruar rregullisht nga nëna e saj Drande Hotaj, teksa kjo e fundit për shkak të moshës duhet të ishte shoqëruar nga një familjar i saj për të kryer një veprim të tillë juridik.

Por duket se Lule Zefi, në cilësinë e trashëgimtares së drejtpërdrejtë të Drande Hotaj, pavarësish kërcënimeve, deri edhe një tentative për ta eliminuar fizikisht, nuk u step aspak në kallëzimet e saj.

Vetëm një muaj pasi dorëzoi kallëzimin e parë ndaj noteres Valbona Hajdari, ajo rezulton se bëri edhe një kallëzim të dytë, po në Prokurorinë e Shkodrës. Këtë herë ndaj kushëririt të saj, djalit të dajës, biznesmenit Pëllumb Gjoka si edhe ndaj juristes që merrej me çështjet e së drejtës në bizneset e Gjokës.

Të cilët, sipas Lule Zefit, në bashkëpunim, i kishin grabitur tokën e nënës.

“Më datë 24 Shkurt 2021 është protokolluar shkresa me nr. prot 269 dërguar nga shtetasja Lule Zefi me objekt kallëzimin penal ndaj shtetasve Pëllumb Gjoka dhe juristes, të cilët sipas saj i kanë vjedhur pronën e nënës, Drande Hotaj. Lule Zefi ka kallëzuar personin e lartpërmendur për vjedhjen e pronës”, thuhet në dosjen hetimore.

Në kallëzim evidentohet se e kallëzuara S.B është juriste pranë bizneseve të shtetasit Pëllumb Gjoka dhe është autorizuar nga Ardian Beci, për të marrë pjesë në procedurat ligjore për fitimin e pronës në emër të shtetases Drande Hotaj.

Dhe menjëherë pas kësaj prona është kaluar me dhurim tek shtetasi Pëllumb Gjoka, veprim juridik që është goditur në Gjykatën Civile.

Sipas dosjes hetimore të përgatitur në vitin 2020 nga Prokuroria e Shkodrës, Lule Zefi, tha se kishte marrë dijeni që nëna e tyre ishte pronare e madhe toke në Velipojë, vetëm në vitin 2015.

Por atë ishin përpjekur gjithmonë ta mbanin larg nënës së saj, me qëllim që të mos mësonte mbi ekzistencën e kësaj prone.

Më datë 13 Janar 2021, Lule Zefi ka dhënë shpjegime lidhur mbi prokurën përmes së cilës nëna e saj Drande Hotaj ka autorizuar shtetasin Ardian Beci për të kërkuar pronat e saj.

Si dhe kontratën e dhurimit mes nënës dhe vëllait të saj Kolë Gjoka. Sipas saj, Drandja nuk di të shkruajë, të lexojë apo të nënshkruajë. Maksimumi që mund të bëjë është të vendosë gishtin në letër.

Në vend që veprimet për pronat ti bënin fëmijët e Drandes, me to është marrë Ardian Beci, që nuk ka asnjë lidhje me ta, si dhe nuk është i shkolluar për këtë punë. Në këtë mënyrë u është mohuar e drejta për të trashëguar pronat e nënës. Gjithë këto veprime të paligjshme i ka lejuar edhe noterja Valbona Hajdari.

Lule Zefi thotë se bëhet fjalë për një pronë në Velipojë, që ndodhet pranë një resorti të madh me sipërfaqe 365 dynymë.

Ajo thotë se nëna e saj nuk u ka folur kurrë për këtë pronë, por di se në regjistrin e vitit 1935 ajo rezulton pronare, pasi ky fakt ndodhet në arkiva.

Lule Zefi ka sqaruar më tej se nëna e saj Drandja i ka patur prindërit gjallë deri pas ardhjes së demokracisë.

Por këtë pronë e ka zotëruar vazhdimisht Pëllumb Gjoka, pasi ai ka kryer të gjitha veprimet për ta bërë të vetën. Por kur priste që të merrte drejtësi, Lule Zefi përballet me indiferencën e çuditshme të organeve ligjzbatuese.

Dhe jo vetëm kaq, por edhe me rrëzimin e njëpasnjëshëm të kallëzimeve të ngritura prej saj.

Sigurisht, jo pa kuptuar, se një dorë e korruptuar po investohej fuqishëm për t’u mbyllur gojën.  Ky prokuror që vitin 2021, do të mbyllte kallëzimet e saj, do të ishte Xhevahir Lita.

Në këtë kohë i sapoemëruar zv/prokuror në Prokurorinë e rrethit Shkodër i cili do të rezultonte tri vite më pas, falë bisedave të çkoduara në aplikacionin Sky ECC, se është një mik i ngushtë i biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Dhe jo vetëm kaq, por si prokurori që bënte çdo punë të pisët brenda organit të akuzës, në shërbim të njeriut që më pas do të shpallej investitor strategjik i qeverisë Rama.

Status të cilin Gjoka do ta përfitonte, pasi në sipërfaqen prej 113 mijë metra katrorë në Velipojë, ku përfshihet edhe toka prej 39 hektarësh në pronësi të Drande Hotaj, do të ndërtonte një resort luksoz me vlerë ndërtimi 52 milion euro.

Prokurori Lita, që sic del nga komunikimet e Sky ECC, ishte vënë edhe ne shërbim të grupit kriminal Bajri ku ndërhynte për të liruar nga burgu anëtarët e këtij grupi, ndaj të cilëve rëndonin akuza të rënda.

Por për të kuptuar se si prokurori Lita e ndihmoi biznesmenin Pëllumb Gjoka në mbylljen e kallëzimeve të ngritura nga Lule Zefi, vajza e Drande Hotaj dhe Dedë Marku, një pronar lokali në Velipojë, mjafton të shikojmë se si ky prokuror i trajtoi kallëzimet e dy personave të lartpërmendur.

Ku në fashikull ai del në konkluzionin se ishte Drande Hotaj, ajo që kishte falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke përfituar në mënyrë të padrejtë tokën prej 39 hektarësh në fshatin Pulaj në Velipojë.

Dosja Hetimore

Mbi bazën e informacioneve ligjzbatuese mësohet se shtetasja Drande Hotaj lindur në Velipojë dhe banuese në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe, ka përfituar një tokë në fshatin Pulaj, Velipojë me sipërfaqe prej 39 hektarësh, tokë të cilën dyshohet se e ka përftuar në mënyrë të paligjshme, me dokumenta të falsifikuara.

Dyshimet janë se për kërkesat e paraqitura pranë organeve shtetërore, të bëra nga shtetasi Ardian Beci si person i autorizuar me prokurë nga shtetasja Drande Hotaj, janë përdorur dokumenta të falsifikuara me qëllim marrjen në cilësinë e ‘ish-pronares’ të kësaj toke.

Për ta bërë sa më të besueshëm këtë fakt, prokuroria e Shkodrës, fillimisht del se mori në pyetje noteren Valbona Hajdari.

E cila, sipas Lule Zefit, kishte pranuar një prokurë në emër të Drande Hotaj, nga shtetasi Ardian Beci, pa praninë e nënës së saj.

Noterja Valbona Hajdari, që në këtë dëshmi të saj, thotë se kishte shkuar deri në Malësi të Madhe, për të marrë firmën e Drande Hotaj.

Dosja Hetimore

Më datë 20 Janar 2020, shtetasja Valbona Hajdari, e pyetur në lidhje me prokurën e posaçme të lëshuar nga shtetasja Drande Hotaj, ka deklaruar se mban mend se është paraqitur te zyra e saj Ardian Beci, të cilin e ka klient prej vitesh.

Ai i ka thënë se Drande Hotaj dëshiron të bëjë një prokurë. Për shkak të moshës, duke qenë se nuk lëvizte dot dhe banonte në një zonë të thellë malore në Malësinë e Madhe, i ka kërkuar që të shkonte vetë ajo.

Valbona Hajdari thotë se Ardian Beci e ka marrë me makinën e tij dhe kanë shkuar tek banesa e shtetases Drande Hotaj. Ku ajo i ka lexuar dokumentin dhe e ka pyetur nëse ka qenë dakord. Sipas noteres Valbona Hajdari, Drande Hotaj kuptonte shumë mirë dhe ka nënshkruar rregullisht me aq sa ka mundur, sikurse është edhe praktika në këto raste.

Po kështu në cilësinë e personit që pretendon se ka marrë prokurën nga shtetasja Drande Hotaj, në prani të noteres Valbona Hajdari, u pyet edhe Ardian Beci, djali i dajës, së biznesmenit Pëllumb Gjoka.

I cili, edhe pse nuk ka asnjë lidhje gjaku me pronaren e moshuar të tokës në Velipojë, që jeton në një fshat të thellë të Malësisë së Madhe, tha se kishte marrëdhënie familjare dhe të ngushta me të.

Dosja Hetimore

Në deklarimin e tij Ardian Beci thotë se me shtetasen Drande Hotaj ka një lidhje familjare dhe marrëdhënie shumë të mirë. Nisur nga ky fakt ajo e ka zgjedhur si përfaqësues me prokurë, për kryerjen e disa veprimeve që do të konsistonin në kërkimin e një prone që ajo e ka patur në pronësi kohë më parë në zonën e Velipojës.

Ai ka sqaruar se dokumentet e dorëzuara përpara organeve shtetërore me qëllim kthimin e pronës, i ka siguruar nëpërmjet aplikimit në institucione të ndryshme. Por Ardian Beci, ndryshe nga noterja Valbona Hajdari, nuk thotë se si e siguroi këtë prokure dhe nëse ishte Drande Hotaj që erdhi përballë noteres, apo shkuan ata te ajo.

Dhe nëse në momentin e marrjes së kësaj prokure kishte familjarë të ngushtë të pranishëm të së moshuarës, por fakt është që prokurori i çështjes ka arritur në konkluzionin se firma në prokurë nuk është e falsifikuar.

Dosja Hetimore

Me aktin e ekspertimit tekniko-grafik është konkluduar se: Në dokumentin e sipërcituar dhe dokumentin bashkëlidhur objekt ekspertimi nuk u konstatuan shenja të falsifikimit teknik të tyre, të pjesshme apo të plota, si ndërhyrje korrigjuese, dublime, montimit të tyre më anë të skanimit.

Pra sipas prokurorisë Shkodër, prokura e lëshuar nga Drande Hotaj, për Ardian Becin, që i dhuronte tokën prej 39 hektarësh vëllait të saj Kolë Gjoka, babait të biznesmenit Pëllumb Gjoka, ishte e rregullt. Dhe po sipas kësaj prokurorie nuk kishte nevojë për asnjë verifikim tjetër se si ishte siguruar kjo prokurë.

Madje, sipas prokurorisë Shkodër, Drande Hotaj, ishte pyetur në lidhje me këtë prokurë dhe kishte pranuar se e kishte nënshkruar ajo vetë.

Dosja Hetimore

Shtetasja Drande Hotaj lidhur me prokurën e lëshuar prej saj në emër të shtetasit Ardian Beci ka deklaruar që mban mend se i ka shkuar në shtëpinë e saj noterja para së cilës ka deklaruar se me pronën e saj merret Ardian Beci. Prokurën e ka lëshuar me qëllim që shtetasi Ardian Beci të kryente veprimet ligjore pasi ajo vetë nuk ka qenë në gjendje për shkak të moshës. Ajo ka deklaruar se e ka nënshkruar vetë këtë prokurë duke deklaruar se nuk ka shkollë, por më vështirësi ka firmosur kur ka qenë nevoja. Po kështu në cilësinë e personit që ka dijeni u pyet edhe shtetasja Tatjana Laçej.

E cila figuronte se në vitin 1997, kishte hedhur firmën në Vërtetimin Hipotekor, që i kishte kaluar shtetases Drande Hotaj, pronësinë mbi sipërfaqen prej 39 hektarësh në Velipojë.

Më datë 19 Nëntor 2020, T. L, emri i së cilës figuron tek Vërtetimi Hipotekor, sqaron se së pari nënshkrimi poshtë gjeneraliteteve të saj nuk është bërë nga ajo, si dhe së dyti në periudhën kur supozohet të jetë lëshuar ky vërtetim, pra më datë 17 Janar 1997, ajo nuk ka qenë në punë në Zyrën e Hipotekës Shkodër, por ka ushtruar detyrën e OPGJ-së në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ku më pas është emëruar prokurore.

Po ndërsa duhet të kishte hapur një hetim paralel se kush e kishte falsifikuar këtë vërtetim hipotekor, edhe këtë herë prokuroria e Shkodrës e mbylli çështjen, duke përdorur procedurën e djegies së afateve kohore për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve shtetërorë.

Edhe pse falsifikimi u provua nga dokumentet origjinale të mbërritura në Prokurorinë Shkodër nga Arkivi Qendror i Shtetit.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se tek Vërtetimi i Pronësisë lëshuar nga Zyra e Hipotekës Shkodër nuk është nënshkrimi origjinal i ish-hipotekueses T.L, si dhe për më tepër, në datën kur ai supozohet të jetë përpiluar nga ajo nuk ka qenë e punësuar në Zyrën e Hipotekës Shkodër.

Kjo provohet nga deklarimet e saj si dhe informacioni i dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme, ku evidentohet se më datë 7 Maj 1996, ajo është emëruar si OPGJ në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Pra dokumenti i sipërcituar rezulton të jetë krijuar rishtazi.

Lidhur me përgjegjësinë penalë të autorëve rezulton se nga përdorimi për herë të fundit i dokumenteve të mësipërme e deri tek regjistrimi i këtij procedimi penal e për më tepër deri më sot, ka kaluar një periudhë kohore që e tejkalon afatin e parashikimit të ndjekjes penale.

Me shkresën nr. 7333/1 Prot datë 22 Korrik 2021 nga Arkivi Qendror Shtetëror është kthyer përgjigje duke bashkëlidhur kopje të mikrofilmimeve të dokumenteve ku është konstatuar përmbajtje e ndryshme në raport me dokumentin fizik që gjendet aktualisht në dosjen arkivore dhe që është përdorur për fitimin e pronës prej 39 hektarësh.

Edhe pse Drande Hotaj, e kishte fituar sipërfaqen prej 39 hektarësh në Velipojë me anë të një vendimi përfundimtar në Gjykatën e Lartë, prokuroria e Shkodrës vendosi të rrëzojë kallëzimet e Lule Zefit, për falsifikim të prokurës që autorizonte shtetasin Ardian Beci, për të kryer veprime në emër të nënës së saj, Drande Hotaj.

E cila sipas kësaj prokure ia dhuronte tokën prej 39 hektarësh vëllait të saj Kolë Gjoka. Pra, babait të biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Sipas dosjes hetimore të përgatitur atë kohë nga prokuroria Shkodër, organi i akuzës i cilësoi si të pavërteta pretendimet e Lule Zefit ndaj noteres Valbona Hajdari. Dhe e cilësoi tashmë të mirëqenë që prona me anë të prokurës së firmosur nga Drande Hotaj, i ishte dhuruar biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Duke vlerësuar këto deklarime në harmoni me përfundimin e arritur nga ekspertimi konkludohet se nuk përmbushen elementët e veprës penale të falsifikimit dhe për pasojë nuk konstatohet as edhe ndonjë veprim i kundërligjshëm i noteres Valbona Hajdari. Rrjedhimisht edhe pretendimet për tjetërsimin e pasurisë në emër të saj si pasojë e prokurës së falsifikuar janë ta pabazuara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb