NGA FATMIRA NIKOLLI
TIRANE- Restaurimi i Kullës së Sa hatit në Tiranë ka hapur debat mes specialistëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës. Pas punës së bërë, ka qenë forumi i cili përmes një deklarate e ka quajtur restaurimin skandaloz, pasi në monumentin e kulturës është përdorur bojë plastike. Sipas forumit, (një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë të bashkuar përtej bindjeve politike për të mbrojtur trashëgiminë kulturore) ndërhyrja është e dëmshme për shkak të bojës plastike që është përdorur, gjë që bën që të humbasë pesha e shekullit tek objekti i trashëgimisë kulturore.
“Përsëriten restaurimet skandaloze me plastikë të improvizuar, duke zhdukur çdo gjurmë të kohës. Pjesa e ‘restauruar’ e kullës është pjesa që u ngrit më 1928, domethënë gati 90-vjeçare”, shkruan forumi. Në të njëjtën deklaratë thuhet se “pas ndërhyrjes profesionale të bërë 6 vite më parë me financimin e ambasadës amerikane, pa pasur asnjë nevojë, kulla bojatiset me bojë të bardhë plastike duke humbur peshën e shekullit që mban mbi supe dhe duke u ripropozuar si e bërë sot”.
“Gazeta shqiptare” ka kërkuar reagimin e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës për çështjen. Në përgjigje të kërkesës së “GSH”, drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani për Kullën e Sahatit është shprehur se: Projekti i ndërhyrjeve restauruese në objektin “Kulla e Sahatit në Tiranë”, monument kulture i kategorisë së I-rë, i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.181, datë 25.09.2015, parashikon një sërë ndërhyrjesh restauruese në këtë objekt dhe është mbështetur në projektin e restaurimit të realizuar sipas projektit të vitit 2009, miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, me Vendim Nr.1, datë 27.03.2009″. Sipas Dollanit, “projekti i restaurimit të Kullës së Sahatit është hartuar nga IMK pas një analize të thellë të monumentit në bashkëpunim me specialistët e Bashkisë Tiranë, të ndërhyrjeve të bëra në të gjatë viteve dhe të problematikës aktuale”.
Më tej drejtoresha e Institutit të Monumenteve shënon se “punimet po kryhen nga shoqëri e licencuar dhe mbikëqyren nga specialistë të IMK” dhe se fton “të interesuarit të shfletojnë materialin e pasur pranë arkivës së IMK, ku vihet re qartë vijueshmëria e përdorimit të materialeve sipas projektit të parë të restaurimit të vitit 2009 kur është përdorur e njëjta bojë”. Po ç’bojë është përdorur, a është përdorur bojë plastike, sikundër thotë forumi? “Boja e përdorur në rastin në fjalë është bojë akriliku me bazë kuarci e përshtatshme për aplikime në fasadat e jashtme. Kjo bojë siguron rezistencë të lartë kundër agjentëve atmosferikë si edhe ka veti të mira që garantojnë frymëmarrjen e fasadës. Kjo lloj boje është vërtetuar se ka aftësi shumë të mira konservuese për godinën ku aplikohet pasi ka përqindje të ulët përthithëse të lagështirës”,- ka thënë drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani. Përtej deklaratave të forumit dhe deklaratës së IMK-së, boja e akrilikut në vetvete është bojë plastike.
Forumi, kritikonte edhe restaurimet e tjera të bëra së fundmi, duke u shprehur se: “Instituti i Monumenteve e ka humbur tashmë krejtësisht besueshmërinë që mund të jetë në gjendje të ekspertojë restaurimet. Gafa është e njëjtë me atë që u bë para disa muajsh kur përfundoi ‘restaurimi’ i varrit të Kolë Idromenos, por atëherë opinioni shkencor dhe ai publik reagoi duke e detyruar Ministrinë e Kulturës të deklarojë sa për sy e faqe se ka edhe një fazë tjetër restaurimi – fazë që në fakt nuk u krye kurrë. Tani një kullë plastike, me makiazh provincial si të vilave të milionerëve të Golemit dhe Gjirit të Lalëzit, u serviret shqiptarëve si ‘rirestaurim’. Para të shpërdoruara për të bërë një restaurim jo vetëm të panevojshëm, pasi kulla ishte tashmë e restauruar sipas kritereve, por edhe të dëmshëm duke i dhënë asaj një imazh që nuk e ka pasur kurrë”.
TYRBJA E KAPLLAN PASHËS
Në të njëjtën ditë që Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, restauratorja e arkitektja Lida Miraj, publikoi një fotografi gjatë punimeve restauruese në Tyrben e Kapllan Pashës. Në të shfaqej një nga punëtorët i cili me një sqepar punonte në kolonën mbajtëse të tyrbes. Edhe për këtë çështje, në përgjigje të kërkesës së “GSH” për reagim, Instituti i Monumenteve ka dhënë këtë përgjigje: “Monumenti i është nënshtruar ndërhyrjeve restauruese në bazë të projektit të hartuar nga IMK, miratuar në Këshillin Shkencor të IMK dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve me Vendim nr.168, dt. 27.08.2015. Punimet po kryhen nga shoqëri e licencuar dhe me përvojë të gjatë në restaurime që përdorin teknikat e mjetet e njohura nga Karta e Restaurimeve. Mbikëqyrja realizohet nga specialistë të IMK. Jeni të ftuar të vizitoni kantieret”.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)