Gazeta më e madhe spanjolle “El Pais” ka zbuluar se Amant Josifi, u ndalua më 6 shtator në Dubai pasi ishte përcaktuar nga policia e katalonjës dhe “Guardia Civil” si objektiv “me vlerë të lartë”.
Sipas autoriteteve spanjolle Josifi është pronar i disa call-centre të regjistruara në Shqipëri, përmes të cilave policia dyshon se janë mashtruar me mijëra shtetas spanjollë, duke i ofruar investime financiare false.
Ndaj tij gjykata spanjolle kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për krimet e organizatës kriminale dhe mashtrimit, ndërsa ai i kishte shpëtuar operacionit ndërkombëtar të zhvilluar në nëntor të vitit që shkoi
Sipas “El Pais” Josifi është një biznesmen i njohur në Shqipëri, me lidhje të forta politike. Ajo shton se arrestimi i tij ka shkaktuar një tërmet në vendin tonë, dhe se Josifi ka shërbyer si këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes në periudhën 2018-2020.
Një nga avokatët e 33-vjeçarit në Spanjë pretendoi për gazetën “El Pais” se Josifi është thjesht një biznesmen që i kishte marrë me qira call-centre dhe se nuk e dinte se çfarë lloj aktivitetesh kryheshin aty. Arrestimi, sipas burimeve gjyqësore spanjolle, është kryer përmes Interpolit. Josifi është i lirë, pa asnjë masë sigurimi, në pritje të paraqitjes së kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu.
Për më shumë se katër vjet policia spanjolle hetoi një megamashtrim ndërkombëtar, ku zbuloi se te paktën 17 mijë qytetarë europianë ishin mashtruar përmes platformave online të investimeve, tregje valutore, në kriptomonedha, lëndë të para dhe produkte të tjera financiare.
Policia katalanase zhvilloi një motor kërkimi me 470 faqe interneti të supozuara mashtruese. Nga ankesa fillestare e një të moshuare së cilës iu zhvatën 800 mijë euro, u krijua një ekip ndërkombëtar, me përfshirjen e vendeve të tjera si Gjermania, Italia, Gjeorgjia dhe Shqipëria. Policia thotë se rrjeti ka fituar rreth 2.4 miliardë euro me “qindra mijëra” viktima në mbarë botën.
Hetimi i çështjes ka zbardhur funksionimin e “call centre” të hapura 24 orë në ditë, me dhjetëra persona që pretendohet se janë agjentë fals dhe të cilët mashtronin pamëshirshëm qytetarët nga e gjithë bota. Viktimat besonin se po investonin në produkte financiare me përfitim të lartë dhe kriptovaluta, por në realitet paratë shkonin direkt në xhepat e organizatës kriminale. Sipas “El Pais” Amant Josifi ishte ne krye të degës të organizatës kriminale që merrej me mashtrimin e qytetarëve spanjollë, dhe që kishte epiqendër Shqipërinë.
BalkanWeb