VLORË

Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve policore parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit, e cila do të kryhej me disa armë zjarri. Satilno Basho, Mariglen Aliaj, Bruno Shehu, Mehmet Hoxhaj, Beraldo Xhindi dhe Kevin Metaj u arrestuan mbrëmjen e kaluar në Vlorë, në kuadër të operacionit ‘Obelisk’, teksa sot policia ka publikuar dhe pamjet e operacionit.

Të armatosur në një lokal, me 2 pistoleta të gatshme për qitje, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm.

Në pranga dhe 4 shtetas të tjerë, për moskallëzim të krimit, 3 prej të cilëve pjesë e grupit kriminal me 2 shtetasit e armatosur.

Të arrestuarit, me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, 2600 euro dhe 8 celularë.

Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Vlorës, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, vënien në pranga të shtetasve të rrezikshëm për komunitetin, pjesëtarë të grupeve kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë siguruar informacion për 2 shtetas që qëndronin të armatosur, në një lokal në Vlorë, të cilët mund të kryenin ngjarje të rëndë kriminale, kundër personit. Në bazë të këtyre informacioneve, në bashkëpunim me Forcat Speciale “RENEA”, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Obelisk”, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasit:

– Satilno Basho, 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– Mariglen Aliaj, 33 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

– Bruno Shehu, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– Mehmet Hoxhaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– Beraldo Xhindi, 29 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– Kevin Metaj, 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Këta shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal të rrezikshëm dhe me precedentë të mëparshëm kriminal, në fushën e krimeve të rënda kundër personit, u kapën në flagrancë, në ambientet e një lokali, në lagjen “Lef Sallata”. Gjatë kontrolleve fizike dhe në këtë lokal, shërbimet e Policisë iu gjetën shtetasve Satilno Basho dhe Mariglen Aliaj, dy armë zjarri pistoleta (“Glock” dhe “TT”), me fishekë në fole, të gatshme për qitje. Armët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 automjete që posedonin shtetasit e arrestuar, 2600 euro dhe 8 celularë.

Ndërkaq, 4 shtetasit e tjerë të arrestuar, dyshohet se kanë pasur dijeni për 2 shtetasit e armatosur dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: