Nga Ana Xheka
-Arrestimi dhe burgosja e notares durrsake, Jolanda Gila, që nuk pranoi të bëhej spiune e Sigurimit-
Ka mbushur 70 vjeç, por në pamje të parë duket se ka më pak vite mbi supe. Vlerësimi që i japin të tjerët kur e shohin, e zbavit së tepërmi dhe asnjëherë nuk e tregon moshën e saj të vërtetë. Problemet e shumta që i ka bërë “dhuratë” jeta, si torturat dhe rrahjet në hetuesinë e Durrësit, për të pranuar akuzën “për agjitacion e propagandë”, vuajtjet në burgun e Kosovës në Lushnjë, pamundësia për t’u martuar dhe për t’u bërë nënë, apo vdekja e prindërve, i ka sfiduar nga kujtimet e të qenit kampione kombëtare e notit. Fëmija i vetëm i familjes Gila, Jolanda, provoi gjatë gjithë jetës kamxhikun dhe përkëdhelinë e fatit; mentaliteti i kohës e privoi nga martesa dhe kënaqësia e të qenit nënë, për shkak se ishte ndër të parat femra që guxoi të dilte me rroba banje, duke u marrë me not.
Refuzimi i kërkesës së saj për t’i shërbyer ish-Sigurimit të Shtetit, i kushtoi një ndjekje dhe persekutim të ashpër nga ky institucion, deri në sajimin e akuzës famëkeqe për “agjitacion e propagandë”, akuzë e cila i kushtoi 4 vite heqje lirie.
Znj. Jolanda, kur e keni filluar për herë të parë aktivitetin si notare?
E kam filluar në moshën 13-vjeçare, së bashku me vajzën e xhaxhait tim, Luçi Gila. Trajner ishte djali i hallës sime, Kristaq Bekridheli, arsye kjo që e bindi tim atë të më lejonte të merresha me not. Ishim grupi i parë i notareve të aktivizuara në Sport-Klubin “Ylli i Kuq”. Fillova me stilin “bretkosë” dhe menjëherë mora pjesë në kampionatin ballkanik, që u zhvillua pas disa muajsh në Durrës. Noti ishte dhe mbetet pasioni im. E ushtrova deri në vitin 1964.
Në vitin 1951, përfundova “Teknikumin e Fizkulturës” dhe njëkohësisht u emërova mësuese fizkulture në shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori” në Durrës. Rezultati im më i mirë ka qenë në vitin 1954, në kampionatin kombëtar, stafeta 4 herë 100, ku theva rekord. Karrierën time të sportit, e mbylla në vitin 1965 në kampionatin kombëtar të zhvilluar në pishinën e Korçës, ku sërish vendosa rekord në 200 metra.
Ju jeni dënuar me 6 vjet heqje lirie, nën akuzën: “për agjitacion e propagandë”. Si filloi ky persekutim ndaj jush?
Qenia ime aktive në Durrës, nuk kishte kaluar pa rënë në sy nga krerët e ish-Sigurimit në qytet. Në vitin 1952-1953, më thërrasin në ish-Degën e Brendshme. Më thërret në zyrë Jashar Kasimati dhe pasi më bën disa elozhe e, më përmend faktin se isha mbesa e dëshmorit Jorgji Mali, më thotë: “A e di përse të kemi thirrur? Duam që ti, paralelisht me profesionin e mësueses së fizkulturës, të bashkëpunosh me ne”.
Menjëherë reagoi ndërgjegjja ime dhe i dhashë një përgjigje të thjeshtë, kundërshtuese: Nuk e bëj dot. “Do të të lemë tri ditë kohë të mendohesh, para se të na përgjigjesh, – vijoi Kasimati, – por mendohu mirë”. Pas tri ditësh, paraqitem sërish në ish-Degën e Brendshme dhe i jap të njëjtën përgjigje negative.
Në këto kushte, ma kërkojnë përgjigjen me shkrim dhe pasi e dhashë këtë, filloi ndjekja dhe gjuetia ndaj meje, në të gjitha format, deri sa arritën të ngrenë ndaj meje, akuzën për agjitacion dhe propagandë. Hijet lëvizëse të spiunëve më ndiqnin në të gjitha seancat dhe orët e mia mësimore, rrugës kur shkoja dhe vija në shkollë dhe kudo tjetër.
Për çfarë u akuzuat konkretisht dhe si?
Gjithçka ishte përgatitur me shumë kujdes. Ata kishin instruktuar njerëzit, që do dëshmonin kundër meje. Kishin dërguar në shtëpinë time, një prej atyre që unë i quaja shoqe, me motivacionin për të marrë një model fustani dhe e kishin fotografuar në hyrje të banesës. Në këtë mënyrë, do ta përdornin në gjykatë, për të thënë se dëshmia e saj, ishte e vërtetë dhe ajo kishte qenë në shtëpinë time. Unë kisha në shtëpi një bllok me fjalë dhe shprehje të ndryshme të gjuhës italiane, të mbledhura nga libra të ndryshëm, ku nuk bënin përjashtim edhe fraza marksiste-leniniste.
Italishten e dija shumë mirë, pasi nëna ime ishte rritur në Itali dhe në shtëpinë tonë, kishte jetuar së bashku me ne për shumë vite një italian, mik i babait. Pasi ishte përgatitur gjithçka me kujdes, pikërisht më 8 tetor 1979, në prag të Kongresit të Gruas që do të zhvillohej në Durrës, unë u arrestova.
Kjo ndodhi kur isha te një shoqja ime, kur kisha vetëm pak kohë që isha pushuar nga puna, me motivacionin se kisha kënduar diku këngë italiane. Rreth pasdites im atë, më tha se duhet të paraqitesha në Këshillin Popullor të lagjes, sepse kishte një përgjigje pozitive, për kërkesën time për punë.
Sapo shkova në Këshillin e lagjes, më dhanë në dorë një zarf dhe pa më lënë ta hap, më thanë: Prit se dikush ka diçka për të folur me ty. Pas disa minutash, erdhën disa civilë dhe më kërkuan të hip në “Gaz”-in e Degës, duke më thënë se pyetjet, do të m’i bënin në Degën e Brendshme. Rrugës, hetuesi Ilmi R., më komunikoi arrestin, më akuzën e “agjitacionit e propagandës”.
Si e mori vesh familja arrestimin tuaj dhe kur u dënuat?
Atë ditë, nuk munda ta lajmëroj familjen. Kur e morën vesh, prindërit u sëmurën, sepse unë isha fëmija i vetëm. Pronat e tim ati, ishin shtetëzuar, por pas arrestimit tim, ata i priste internimi. Fakti që nëna ime ishte motra e një dëshmori, e shpëtoi babanë nga internimi, kurse unë i rezistova rrahjeve dhe torturave nga më të dhunshmet, në hetuesinë e Durrësit. Më lidhnin duart me pranga dhe më rrihnin, derisa më binte të fikët. Pastaj më hidhnin sërish ujë dhe kërkonin që ta pranoja akuzën.
Dy herë rresht pas mesnate, më sillnin në qeli të burgosura të tjera, që kishin marrë përsipër të bënin rolin e provokatores dhe të spiunes, për të marrë informacion nga unë, për lidhjet që ata dyshonin se unë kisha me njerëz të tjerë dhe ndikimin tim mbi ta. Në kushtet e një gjendjeje të dalldisur timen, ish-hetuesi Ilmi R., mori dorën time dhe firmosi, duke shkruar ai vetë në fletën e proces-verbalit, sipas të cilit unë e pranoja akuzën.
Kështu, në vitin 1980, dola në gjyq dhe u dënova me 6 vjet heqje lirie, duke shpëtuar nga akuza e dytë, sipas së cilës, paraqisja rrezikshmëri shoqërore. Dënimin e vuajta në burgun e Kosovës në Lushnjë, së bashku me 250 të burgosura të tjera, një pjesë e të cilave, ishin të huaja.
Si e kujtoni momentin, kur dolët nga burgu?
Në vitin 1983, përfitova nga një amnisti dhe nga sjellja e mirë në burg. Atë ditë nuk do ta harroj kurrë. Të gjithë banorët e fshatit Kosovë, e kishin marrë vesh dhe kishin rrethuar gardhin tonë. Unë dëgjova dikë që bërtiste nga gëzimi dhe nuk dija ç’kishte. Dola dhe mora vesh, se kishte dalë një amnisti ligjore. Në oborr, të gjithë pyesnin me zë të lartë, se cila kategori përfitonte. Pas pak vjen një nga rojet dhe më thotë: “Edhe ti Jolanda përfiton”.
Nuk u besoja veshëve. Më është dukur pambarimisht e gjatë, rruga deri në Durrës. Te stacioni i trenit, kishte shumë njerëz që prisnin të afërmit e tyre. Mes turmës dallova nënën, që ishte plakur dhe kërrusur. Sapo e takova, mes ngashërimit, pyes për tim atë dhe mësoj që më kishte vdekur, gjatë viteve të mia të burgimit. Ndërsa nëna ishte në pikë të hallit. Bënte punë të ndryshme dore, për të mbijetuar. Pas më shumë se 10 vjetësh, ne morëm pronat tona, por atëherë dha shpirt edhe nëna ime, duke më lënë krejt të vetme.
Karriera sportive e Jolandës
“Vitet kur merresha me sport, i kujtoj si më të lumturat e jetës sime. Atë periudhë e kujtoj me nostalgji, si një skenar të gjallë filmi”, shprehet Jolanda. Ish-rekordmenia kombëtare e notit thotë se shpeshherë, e pushton një ndjenjë keqardhjeje, kur mendon për kushtet në të cilat stërviteshin dhe zhvilloheshin garat, në vitet ’60-të.
“Për pishina shërbenin sipërfaqe uji në det, të rrethuara nga varkat me flamurë mbi to. Kjo ishte e gjithë infrastruktura jonë atëherë dhe me gjithë vështirësitë, arrinim të realizonim kampionate kombëtare”, thotë Jolanda, duke shtuar dhe mentalitetin e atëhershëm për femrat, që dilnin me rroba banjoje në publik.
Jeta pas viteve ’90-të
Jolandën, pas kaq vitesh e sheh të veshur me pantallona, që kujdeset për ngjyrën apo modelin e flokëve. Motivimin për të sfiduar vetminë, e gjen në shumë elemente të tjera, që për shumëkënd janë të parëndësishme. Ajo përjeton lindjen e diellit në mëngjes, shijon kafen e parë, çdo mirëmëngjesi që merr nga fqinjët. Shëtitjet në qytet janë pasioni i saj, pa lënë mënjanë edhe vizitat e shpeshta në qytete të tjera të Shqipërisë.
Sa herë që gjen mundësinë, me një dëshirë që nuk i shteron, tregon për kohën e lumtur, kur ishte në grupin e notareve të para të Durrësit, kur paralelisht me notin, u afirmua si një nga sopranot e operës së parë “Era e lirë”, luajtur në Pallatin e Kulturës, “Aleksandër Moisiu”. Memorie.al