Një efektiv i policisë së Vlorës i cili ka qenë në automjet me dy persona të tjerë është konfliktuar me një efektiv të “Shqiponjave” në kryeqytet.
Dyshohet se polici nga Vlora nuk ka pranuar kontrollin në makinë nga efektivi i Shqiponjave dhe kjo ka sjellë nisjen e debatit mes tyre.
Sakaq, raportohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin mbi rastin dhe i ka shoqëruar të dy efektivët për t’i marrë në pyetje.
Njoftimi i policisë:
Më datë 24.09.2023, në rrugën “Lord Bajron”, në Laprakë, rreth orës 12:30, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë konstatuar dy shtetas duke debatuar me njëri-tjetrin, dhe njëri prej të cilëve mbante një çantë, në dukje me një send në formën e armës së zjarrit.
Shërbimet e Policisë janë afruar dhe kanë kërkuar nga dy shtetasit që të identifikoheshin, por dy personat kanë refuzuar të përgjigjen, dhe kanë kundërshtuar me fjalë dhe fizikisht punonjësit e Policisë.
Ndodhur në këto rrethana, shërbimet e Policisë kanë kërkuar mbështetje dhe më pas është bërë shoqërimi i tyre në komisariat. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit quhen L. M., dhe R. M., (shtetasi R. M. është punonjës Policie në DVP Vlorë).
Për ndjekjen e mëtejshme të këtij rasti është duke kryer veprime AMP.