Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka shprehur ngushëllime për familjet e serbëve të vrarë dhe policit të Kosovës gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Nga përleshja mes një grupi të armatosur dhe Policisë së Kosovës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se katër sulmues të dyshuar janë vrarë gjatë përleshjeve në manastirin në Banjskë.
“Kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve, që u vranë me gjakftohtësi edhe pse u dorëzuan. Pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurtit?”, tha Lista Serbe pa ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe.
“Në këtë drejtim kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe për të parandaluar abuzimet politike të kësaj ngjarje tragjike”, tha Lista Serbe.
Ky reagim i Listës Serbe vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtuesi i Policisë, Gazmend Hoxha, akuzuan nënkryetari e kësaj partie, Millan Radoiçiq, për organizim dhe pjesëmarrje në sulm.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshkuar sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiç e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.
Një ditë pas përleshjeve në veri, situata në këtë zonë të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – raportohet se është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga Policia e Kosovës.
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian./REL