Partia Demokratike akuzon qeverinë se është duke abuzuar me dy anijet TEC të ankoruara prej një viti tanimë në Vlorë. Sipas Partisë Demokratike, sot është më lirë të blesh energji në treg, sesa ta sigurosh atë përmes TEC-ve. Përmes një deklarate për mediet nga selia blu, Mirela Karabina, zëdhënëse e PD dhe inxhinieri Azmer Duleviç, deklarojnë se përmes TEC-ve lundruese në Vlorë po kryhet korrupsion, i cili rëndon në kurriz të qytetarëve.

“Në datën 1 tetor 2022, KESH ka marrë dy anije, TEC-e lundruese me qira për dy vite për prodhim energjie. Sot, gati një vit pasi anijet janë ankoruar në Vlorë, prej tyre nuk është prodhuar as edhe një MWH energji elektrike. Sipas kontratës që mbahet e fshehtë nga ana e KESH por që është bërë publike dhe është e njohur, vetëm për qiranë ditore nga taksat e qytetarëve shqiptarë do te paguhen 63 mije euro në ditë, pa përfshirë mirëmbajtjen dhe karburantin. Në total për dy vite nga taksat e qytetarëve do të merren mbi 72 milion euro.

KESH me firmën e drejtorit të saj sapo ka shpallur fituesin e tenderit me vlerë 7.2 mln euro që do jetë vetëm për depozitimin e karburantit. Vlera e karburantit që është parashikuar të blihet nga KESH në muajin dhjetor i kalon 100 milionë euro”, theksoi Duleviç.

“Nga të dhënat që kemi nga bursa hungareze, çmimi i energjisë sot është rreth 120 euro/Mwh, ndërkohë po të vihen në punë dy TEC-et çmimi i MWH i kalon 200 euro pa llogaritur ndotjen. Kështu që, më lirë bie ta blejmë energjinë në bursë sesa t’i ndezim këto 2 Tece lundruese. Ajo që duhet të dinë qytetarët nuk është gjë tjetër veçse një aferë e radhës që po bëhet me energjinë dhe sesi po shpërdorohen taksat e tyre”, bëri të ditur ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: