TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në konferencë për mediat për ngjarjet dramatike dhe sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Rama ka mbajtur qëndrime të qarta kundër pozicionimit të BE-së ndaj sulmit terrorist në veri të Kosovës si dhe ndaj deklaratave të Serbisë.

Kryeministri shqiptare cilësoi karshillëk ilegal nga grupi kriminal dhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave të BE-së, mbajtjen e një zie kombëtare nga Serbia për terroristët e vrarë.

“E dëgjuam me shumë vëmendje të gjithë zëdhënësin e Brukselit, i cili tha se nuk mund të ketë një deklaratë tjetër pa rezultatet e hetimit mbi si ka rrjedhur ngjarja e Banjskës. Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën efektivit të polic së Kosovës dhe do të kishte deklaruar hapjen e një hetimi serioz e të pavarur, por fatkeqësisht Republika e Serbisë zgjodhi nderimin për të vrarët nga forcat speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare.

Atëherë çfarë hetimi pret BE-ja. Nga kush? Nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Dhe me këtë do  ishim dakord por nuk e dëgjova zëdhënësin e BE-së ta thotë dhe nuk besoj se BE do t’i pranonte rezultatet e Kosovës pavarësisht se ata që e provokuan ishin serbë dhe pavarësisht se policia e Kosovës shkuan në vendngjarje për të ndaluar përshkallëzimin e terrorit nga grupi kriminal serbe. A mos po heton BE-ja në mënyrë të pavarur? Do ishte mirë, por nuk e dimë nëse BE-ja ka angazhuar një mekanizëm në këtë drejtim. Sikur ta dëgjonim këtë do lehtësoheshim disi, por vetëm në këtë drejtim. Gjithsesi çka ne kërkuam me miqtë në Bruksel, nuk është rezultat i një hetimi që është i mirëseardhur, por dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë nga një grup kriminal dhe gjithashtu nderimi i një akti absurd kombëtar në Serbi i disa kriminelëve, të armatosur deri në dhëmbë, të cilët u shfaqën në Banjskë për demonstrimin e një force të paligjshme me gjuhën e armëve të rënda dhe u asgjësuan nga rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Çdo interpretim i mundshëm nuk i ndryshon dot këto fakte”, tha Rama.

Ai theksoi se udhëheqja e Kosovës mund të ketë dhe me siguri ka të gjitha kusuret e veta në proceset e dialogut të normalizimit, për të cilat qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë me BE-në dhe nuk ndryshon as sot, por asnjë nga ato kusure nuk e relativizon dot peshën e jashtëzakonshme të këtyre zhvillimeve të rënda të cilat nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur mes Kosovës e Serbisë që nga 1999.

“Këtu jemi përpara derdhjes së gjakut të pafajshëm dhe nuk është gjaku i një kalimtari që u vra në rrugë nga një makinë me targa serbe, por gjaku i një efektivi të policisë së Shtetit të Kosovës, i cili nuk vrau veten se pa disa civilë serbë të armatosur me çifte, por nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë që për Beogradin zyrtar janë të denjë për ta ulur flamurin në gjysmështizë. Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal aq dhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE, që nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim me zë të lartë dhe me gjuhë të qartë.

Jo vetëm sepse familjarët e policit të vrarë, populli i Kosovës, Republika e Kosovës e meritojnë të dëgjojnë autoritetin moral dhe politik të BE-së,  jo për të shtatat e as për të dyzetat e shërbëtorit të pafajshëm të shtetit të Kosovës, por sepse e meriton dhe e pret ta dëgjojë i gjithë ky rajon që boll ka vuajtur në historinë e vetë”, deklaroi kryeministri.

RAMA: MUA MË FRYJNË NË VESH DY FORCA QË MË KANË KAPUR MUA
Sa i përket qëndrimit të tij, Rama tha se nuk ka ndryshuar asgjë dhe se po të kthehej pas do bënte të njëjtat gjëra.

“Unë nuk kam ndryshuar në asgjë, në asgjë. Një mijë herë të kthehemi mbrapa, një mijë do bëja të njëjtat gjëra, do thosha të njëjtat gjëra. Sot po bëj një bilanc të gjërave që kam thënë më parë dhe njëkohësisht po bëj atë që them gjithmonë. Unë them atë që mendoj dhe unë mendoj atë që më fryjnë në vesh dy forca që më kanë kapur mua që kur kam marrë këtë detyrë, njëra është kjo këtu, shqiponja dy krenare e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit dhe tjetra forcë kjo këtu, flamur i BE. Ëndrra ime është që kjo të fluturojë sa më lart që të futet këtu. Mund të kem të drejtë dhe gabim, por këto janë forcat që më kanë kapur mua dhe me këto forca punoj në mendimet e mia dhe në emër të këtyre forcave formuloj dhe mendimet e mia. Të tjerat janë historia telenovelash që nuk kanë lidhje e me mua. Këtu s’ka lidhje me klimë të re, të vjetër, as me persona, as me emocione. Ka lidhje me qëndrimet strategjike dhe me veprimet për të çuar përpara një strategji të caktuar. Nuk është qëndrim strategjik të më thuash mua ‘vëllau i Vuçiqit’, është emocional. Ata që ma thonë i kanë të freskëta akoma kujtimet e tmerrshme nga barbaria e regjimit diktatorial në Beograd. Unë nga ana tjetër jam këtu për qëndrime strategjike”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb