Ushtari amerikan që fut në mënyrë të paligjshme në territorin e Koresë së Veriut në muajin korrik, u kthye të enjten herët në mëngjes në Shtetet e Bashkuara, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes.

Ai tha se Travis King kishte mbërritur në qytetin San Antonio të Teksasit.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan u tha gazetarëve të mërkurën se zoti King ishte futur në territorin kinez prej Koresë së Veriut, falë ndihmës së qeverisë suedeze.

Ai shtoi se autoritetet amerikane e kishin pritur ushtarin në Kinë dhe prej andej ai ishte nisur drejt Shteteve të Bashkuara.

“Falënderojmë qeverinë e Suedisë për rolin diplomatik duke shërbyer si fuqi mbrojtëse për Shtetet e Bashkuara në Korenë e Veriut si dhe qeverinë e Republikës Popullore të Kinës për ndihmën e saj në lehtësimin e kalimit tranzit të ushtarit King”, tha zoti Sullivan gjatë një deklaratë të mërkurën.

Sekretari i shtypit i Pentagonit Gjeneral Brigade Pat Ryder vlerësoi “punën e palodhur të personelit ushtarak, trupave të Shteteve të Bashkuara në Korenë e Jugut si dhe në të gjithë Departamentin e Mbrojtjes për të sjellë ushtarin Travis King në atdhe”.

Gjatë një konference për gazetarët të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës i tha Zërit të Amerikës se Uashingtoni nuk i ka bërë asnjë lëshim Koresë së Veriut me qëllimin për të lënë të lirë ushtarin King.

“Ne do të përqendrohemi javët e ardhshme, për aq kohë sa duhet, që ushtari të jetë në gjendje të mirë shëndetësore e më pas do të trajtojmë çdo veprim administrativ që mund të pasojë pas procesit të ri-integrimit të tij”, tha zyrtari amerikan.

Në një deklaratë të mërkurën të përfaqësueses ligjore të Claudine Gates, nënës së zotit King, thuhej: “se zonja Gates do t’i jetë përgjithmonë mirënjohëse ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë partnerëve të saj ndërinstitucionalë për punën e mirë që bënë”.

Më herët të mërkurën, Koreja e Veriut njoftoi se do të dëbonte ushtarin pas përfundimit të hetimeve ndaj tij.

Zoti Travis u kap nga ushtarët e Koresë së Veriut në muajin korrik, pasi kaloi kufirin nëpërmjet asaj që njihet si zonë e çmilitarizuar, që ndan dy Koretë. Në atë kohë ai sapo ishte liruar nga burgu në Korenë e Jugut, i akuzuar për sulm fizik. Me kthimin e tij në SHBA, Travis King pritej të përballej me një masë administrative që me gjasa do të çonte në largim të tij nga ushtria amerikane.

Por në vend që të hipte në avionin që po nisej drejt Shteteve të Bashkuara më 17 korrik, ai doli fshehurazi nga aeroporti dhe një ditë më vonë kaloi kufirin drejt Koresë së Veriut, ndërsa ishte fshehur mes një grupi turistësh që po vizitonin një fshat në kufi.

Zoti King ishte veshur me rroba civile kur u kap nga ushtarët e Koresë së Veriut.

Agjencia Zyrtare e Lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA, tha të mërkurën se zoti King kishte shfaqur pakënaqësi mbi atë që e kishte cilësuar “trajtim çnjerëzor dhe diskriminim racor brenda ushtrisë amerikane. Agjencia shtoi se sipas gjetjeve të Koresë së Veriut, zoti King po kërkonte strehim në Korenë e Veriut ose diku tjetër, pikërisht për këto arsye./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: