Ish-ministri i Brendshëm, kolonel Dritan Demiraj, në një lidhje live përmes SKYPE-t për emisionin “Kjo Javë”, në News24 foli për situatën në veri të Kosovës dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vdekur efektivi i policisë Afrim Bunjaku.
Në një analizë për armatimet e përdorura gjatë sulmit, Demiraj tha se armët të cilat u infiltruan janë pjesë e këmbësorisë së rëndë që përdoren në konflikte te armatosur, siç po ndodh sot mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sakaq ai u shpreh se pas sulmit fshihet presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa shtoi se politika që ai po ndjek është ajo e paraardhësit Millosheviç, edhe pse paraqitet si politikan perëndimor.
“Armët të cilat u infiltruan janë pjesë e këmbësorisë së rëndë që përdoren në konflikte te armatosur, siç po ndodh sot në Ukrainë nga Rusia. Janë planifikuar për t’u përdorur edhe kundër KFOR dhe Policisë. Brenda BIA-së, inteligjencë serbe ka një drejtori e cila është përgjegjëse për këtë krijimtari shkatërruese. S’ka as një dyshim që pas kësaj qëndron Vuçiç. Ky akt tregoi se kush është fytyra e vërtetë e Vuçiçit dhe Serbisë.
Të gjithë po i ushtrojnë presion Vuçiçit pët tërheqjen e forcave serbe ne kufi me Kosovës. Ai quhet ndryshe ‘menaxhimi i dëmit’. E ka të pamundur të justifikohet dhe të akuzojë viktimën që në këtë rast është Kosova. Politika që ndjek Vuçiç është ajo e Milosheviçit, ‘copy-paste’.
NATO duhet të ndryshojë krejtësisht qasjen. Drejtuesit kryesor, Gjermania, Franca, Italia duhet të dënojë ngjarjen, e kanë bërë në fakt, por të vazhdohet, duhet penalizma Vuçiç, rritja e prezencës së Policisë së Kosovës në veri. Qasja e NATO-s duhet të jetë më e prerë. Duhet bërë e qartë që nëse vijon me këtë qasje do ketë masa ndaj Vuçiçit e deri në shpallen non-grada.” u shpreh kolonel Demiraj.
(BalkanWeb)