Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha publikuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregojnë terroristët serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Kosovës”, tha Sveçla.
Ai tha se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.
“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç”, tha Sveçla.
Ai tha se “ushtria e Serbisë ia kishte dhënë Serbisë të gjithë armatimin e konfiskuar”.
Pamjet, siç tha ai, dëshmojnë se në drejtim të Policisë pati të shtëna me armë të kalibrave të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.
“Përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që i kemi konfiskuar”, tha Sveçla.
Si raporton “Express”, ai tha se provat janë të pakontestueshme dhe se tani “është i domosdoshëm dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist nga faktori ndërkombëtar”.
Drejtori i Policisë tha se videot dëshmojnë se aktivitetet e grupit terrorist u zhvilluan edhe në hapësirat e pronës së Milan Radoiçiçit në Serbi.
“Shihen veprimet dhe aktivitetet e grupit terrorist në hapësirat e pronës së Milan Radoiçiçit”, tha Gazmend Hoxha.