Qeveria ka miratuar tarifën e reduktuar për dhënien në shfrytëzim nga ana e Ministrisë së Kulturës, të disa ambienteve në objektin “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë”, ose siç njihet ndryshe ish- vila e Enver Hoxhës, për realizimin e projektit kulturor “Vila Art Rezidencë Tirana”.

Vlera e tarifës së shfrytëzimit të ambienteve të objektit “Rezidenca Qeveritare, vila 31 Tiranë” do të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë, si dhe koston e mirëmbajtjes e të trajtimit të këtyre ambienteve gjatë gjithë periudhës së dhënies në shfrytëzim për këtë projekt.

Deklasifikimi

“Vila nr. 31”, ose siç njihet ndryshe “Vila e ish- diktatorit, Enver Hoxha”, prej disa muajsh nuk  klasifikohet më si “Sekret Shtetëror”.

Vendimi fillimisht është publikuar nga rtsh.al, i cili  ka sjellur edhe detaje, lidhur me shkaqet dhe arsyet që e kanë shtyrë Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, që të mos e klasifikojë më tej informacionin rreth kësaj godine si të “Klasifikuar” dhe “Sekret Shetëror”.

Komisioni i Deklasifikimit dhe Zhvlerësimit të Informacionit të Klasifikuar “Sekret shtetëror (KDZH) në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, tashmë e ka deklasifikuar plotësisht informacionin e klasifikuara për “Vilën nr. 31” si “Konfidencial”.

Kjo vërtetohet tashmë edhe nga dokumenti me shkresën përcjellëse, “Projekt i Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31”, me nivel klasifikimi “Konfidencial”, “Për informacionin e klasifikuar ‘Sekret shtetëror’”, “Për miratimin e rregullores për deklasikimin dhe zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar ‘Sekret shtetëror’”.

Arsyet

Arsyet për deklasifikimin e dokumentit të sipërcituar, i referohen një shkrese të ardhur nga Ministria e Kulturës “Propozim për bashkëpunim në fushën e kulturës”, ku shprehet interesi që ky dokument të deklasifikohet, pasi diktohet nga interesa të tjerë të ndryshëm në krahasim me nevojën për të mbajtur dokumentin rreth “Vilës nr. 31”, si të klasifikuar.

Në vijim të shkresës së sipërcituar të ardhur nga Ministria e Kulturës, grupet e punës mes ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, kanë zhvilluar disa takime të njëpasnjëshme, duke analizuar prioritet dhe objektivat afatgjatë në mbështetje të programeve kulturore, të cilat do t’i ofrohen një publiku më të gjerë dhe që duhet të zhvillohen në ambientet e Rezidencës Qeveritare, “Vila nr. 31”.

Në këto takime është vlerësuar se ka interes për të ridimensionuar/rinovuar ambiente të Rezidencës Qeveritare, “Vila nr. 31”, në funksion të organizimeve dhe promovimeve të ndryshme artistike, kulturore etj., nga studiues vendës dhe të huaj, gjë që përbën përparësi, si dhe është në funksion të përmirësimit dhe të zhvillimit të politikave favorizuese në fushën e krijimtarisë artistike për vendin tonë.

Dokumenti

“Implementimi i zbatimit të projektit në ridimensionimin e ambienteve të Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31, ka për qëllim të ruajë karakterin e saj ceremonial, por njëkohësisht të jetë edhe i hapur për publikun. Duke qenë se, dokumenti “Projekti i Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31”, i klasifikuar “Konfidencial”, përbën një element të rëndësishëm për zhvillimin e procedurës së hapur të prokurimit publik, me objekt: “Rikonstruksioni i Rezidencës Qeveritare, Vila nr. 31”, ai duhet të deklasifikohet.”- thuhet në bibliografinë e informacionit të deklasifikuar në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare dhe që u bë publik nga rtsh.al.

Një kopje e publikimit të bibliografisë do t’i dërgohet zyrtarisht edhe DSIK-së.

Çfarë është “Vila nr. 31” dhe pse mori këtë emër?

Kur bëhet fjalë për ish- vilën e diktatorit Enver Hoxha, ende publiku në ditët tona i  referohet këtij objekti si “Vila nr.31”.

Pavarësisht se kuptimi i këtij numri, pas përmbysjes së sistemit komunist ka rënë, dhe nuk figuron gjëkundi, prap ky numër vijon të mbetet në fuqi. Rajoni i banimit të udhëheqësve të partisë e të shtetit administristrohej nga pikëpamja e sigurisë nga Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Shtetit në MPB.

Objektet kryesore kishin nga një numër. Në kohë lufte, nga të gjitha pikëpamjet, këto objektet administroheshin nga MPB-ja. Në fakt i ka mbetur “Vila nr. 31”, pasi me këtë numër ishte në listën e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, që do të ruhej në rast lufte.

Ndërtesa e ish- vilës së Hoxhës

Vila ku ka jetuar ish- diktatori komunist, Enver Hoxha, është një ndërtim i periudhës së komunizmit me një arkitekturë e cila imiton, në një pjesë të saj, deri diku arkitekturën e viteve 30-të. Kurse pjesa tjetër është një ndërtim i rëndë betoni e veshur me pllaka të bardha guri.

Kjo shtëpi, e ndodhur në zonën e ish- Bllokut, ka qenë një objekt i paprekshëm, tabu, dhe i veshur me shumë mister në kohën e diktaturës komuniste.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb