Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i ka dorëzuar detyrën kreut të ri të qeverisë, Milojko Spajiç. Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Abazoviç, përmes një postimi në Facebook.
“Siç diktojnë sjelljet demokratike, mëngjesin e sotëm është bërë transferimi i detyrës! I urova fat Kryeministrit të ri dhe qeverisë së re”, ka shkruar Abazoviç.
Pas një diskutimi që zgjati gjithë natën, deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë votuar për qeverinë e 44-të dhe kryeministrin e ri Milojko Spajiç. Për Qeverinë votuan 46 deputetë, kundër 19 dhe një abstenoi.
Në seancën e Kuvendit mori pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç. Ndërsa sa i përket partive shqiptare, Nik Gjeloshaj është zëvendëskryeministër për Politikat Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka është ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj është Ministër i Administratës Publike.