Leo Messi, sërish ai, është gjithë Messi. Për herë të tetë në karrierë ylli argjentinas fitoi trofeun e “Topit të Artë”, si askush tjetër më parë. Në fakt, Messi nuk kishte konkurrentë në këtë garë, rivali i tij më i madh C.Ronaldo është frenuar prej kohësh në kuotën e 5 “Topave të Artë”. Kjo ishte mrekullia e tij e tetë, mënyra më e bukur për t’u larguar nga futbolli i rëndësishëm botëror. Në këtë garë, këtë edicion, Messi la pas dy yje si Haaland dhe Kylian Mbappe, me siguri pasuesin e tij në këtë fron të artë.

Kjo nuk ishte një garë e lehtë, të paktën në letër, pasi Messi kishte përballë si Haaland, fituesi i tre trofeve të rëndësishëm, mbi të gjitha Champions League dhe Premier League, por dhe në të kaluarën, Messi është shpallur fitues edhe kur ka pasur rivalë pretendentë të tillë që vinin në finale me një mal me trofe. Triumfi në Botëror, mënyra se si udhëhoqi Argjentinën bëri për vetë sërish jurinë. Sigurisht edhe këtë herë trofeu i “Topit të Artë” nuk mund të kalojë pa polemika. Edhe në fjalën e tij, pasi iu akordua “Topi i Artë”, Messi nuk harrojë pa përmendur Haaland dhe Mbappe:

“Fillimisht dua të falënderoj Diego Armando Maradonan, nuk kishte vend më të mirë për ta uruar për ditën e lindjes. Gëzuar ditëlindjen Diego”, u shpreh fillimisht Messi duke shtuar: “Dua të falënderoj të gjithë personat që më votuan. Këtë sukses dua ta ndaj me të gjithë shokët e mi në përfaqësuese. Nuk dua të harroj as Haaland dhe Mbappe, të cilët kanë pasur një vit fantastik. Haaland ka fituar gjithçka, pa asnjë dyshim në vitet e ardhshme ai do ta fitojë këtë çmim. Lojtarët rinovohen ndërsa niveli nuk bie kurrë. E vetmja ëndërr që nuk më mungonte ishte të fitoja Botërorin. Ky ishte një Botëror i veçantë pasi edhe përfaqësuese të tjera bënë tifo për Argjentinën”, u shpreh ndër të tjera ylli argjentinas i cili pohoi se nuk ka ndërmend të ndalet, do të vijojë të luajë pasi për të është gjëja që dashuron më shumë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: