Ben Blushi vjen në këtë panair libri me “Komplotin”, i cili u prezantua fillimisht në Kosovë javën e kaluar dhe prej sot do të jetë në dorë edhe të lexuesve në Shqipëri.

Në një intervistë për “News 24”, ai thotë se ideja i ka lindur gjatë vizitave të shumta në Shëngjin ku ndodhen dhjetra afganë të mbetur në vendin tonë prej disa vitesh. 

Ben Blushi vjen para lexuesit me romanin “Komploti” i cili që pak ditë pas botimit ka ngjallur debate dhe interes nga publiku, për shkak të temës që trajton, mënyrës që e trajton dhe personazheve që ka. Si ka lindur ideja për “Komplotin”? Ju e keni përfunduar së shkruari në pranverë, megjithatë duket se ka parashikuar ngjarje që tashmë po ndodhin.

Është koincidencë e bukur sepse gjithë këto ditë më kanë shkruar ose më kanë pyetur që si ka mundësi që ke parashikuar që mbas shumë vitesh Shëngjini do të kthehet në një bashki të huajsh, emigrantësh më saktë. Këto ditët e fundit pati një marrëveshje me Italinë dhe duket sikur kjo u vendos. Sigurisht, është fryt i fantazisë. Unë kam shkuar shpesh në Shëngjin aty ku ka shumë afganë prej dy vitesh dhe aty më ka lindur ideja e një komploti, në një vend si Shqipëria, e cila zbrazet. Pra ideja themelore e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë pas 20 vitesh, nëse popullsia jonë bjerret, pra pakësohet edhe më shumë se kaq. Ne kemi qenë 3 milionë e pak banorë ndërsa sot jemi ndoshta 2 milionë e gjysmë, ku i dihet që mbas 20 vitesh do të jemi 1 milionë e gjysmë për shkak të emigrimit të lartë dhe rënies së lindjeve. Sot lindin më pak bebe se kurrë në Shqipëri. Këtu lindnin 36 mijë bebe në vit, ndërsa tani lindin më pak se 35 mijë bebe. Pra rënia jonë e popullsisë te ne është drastike. Ne e ndjejmë se jemi popull i vogël. Ideja e librit është çfarë ndodh me Shqipërinë nëse numri i shqiptarëve zvogëlohet dhe popullsitë e huaja, refugjate apo emigrante, shtohen. Në një vend si Shqipëria, që mirë apo keq është vend europian, nuk do të ketë refugjatë gjermanë, apo anglezë, as suedezë, por do ketë emigrantë nga vende më të pazhvilluara se ne, që mund të jenë vende aziatike apo afrikane siç po flitet. Dhe kur këta do të vijnë, siç ndodh në Francë, Itali, apo Belgjikë, ata do të organizohen për të marrë më shumë pushtet ekonomik, më shumë pushtet shoqëror, apo politik. Kjo është ideja e “Komplotit”, një konflikt mes shqiptarëve dhe të huajve që vijnë këtu, për të krijuar një shtet më të madh.

-Ngjarjet zhvillohen në të ardhmen.

-Në vitin 2044, pra pas 20 vitesh, kështu që të gjithë ata që mendojnë se ka lidhje me situatën e sotme duhet të jenë të qetë, çdo koinçidencë është rastësi.

-Por mund ti paraprijmë?
Ata që qeverisin sot, pas 20 vitesh nuk do të jenë për fat të mirë.

-Këtë nuk mund ta dimë, apo jo?
Këtë nuk e dimë, keni të drejtë.

-Ju riktheni disa emra dhe merrni nga historia, pinjollin e Rauf Ficos, që është një prej personazheve në veprën tuaj “Komploti”. Keni një përpjekje për të rikthyer disa figura të njohura të historisë, shqiptare ose jo. Kjo ka të bëjë me pasionin tuaj, apo është për të treguar që Shqipëria ka pasur familje të mëdha?

Këto janë disa teknika që përdor në shumicën e librave të mi, që nga librat e parë deri sot. Marr personazhe të historisë dhe i rikthej në një kontekst tjetër. E kam bërë shpesh dhe e kam edhe këtu. Një nga personazhet kryesorë është nipi i një ministri të jashtëm, të Shqipërisë së para luftës, Rauf Ficos. Ai i jep një drejtim të caktuar “Komplotit”, është pjesë e komplotit. Përveç nipit të Rauf Ficos, kam edhe një personazh tjetër shumë të njohur, që është Leon Trocki.

-Që është nipi i Trockit, i një personazhi të njohur historik për Lindjen dhe Komunizmin?

-Jo vetëm për lindjen, por për të gjithë botën. Leon Trocki ka qenë njeriu që improvizoi gjithë revolucionin proletar apo komunist rus në vitin 1917. Nëse Lenini ishte mendja, ai ishte dora. Leon Trocki realizoi një grusht shteti që rrëzoi Rusinë cariste dhe vendosi komunizmin në Rusi dhe komunizmi nga Rusia u eksportua në gjithë Lindjen dhe deri në Shqipëri. Para se të ndodhte revolucioni në Rusi, Leon Trocki, në vitin 1913, Leon Trocki, ishte një djalë i ri, çifut ukrainas që gazeta ku punonte e solli të pasqyronte masakrat serbe të vitit 1913 në zonën e Maqedonisë, në Gostivar, Shkup e Tetovë. Dhe kjo është ngjarje e vërtetë.

-Në zonat ku ka shqiptarë?

-Po, në zonat ku ka shqiptarë. Ai erdhi dhe ka jetuar aty përreth 3 muaj dhe reportazhet e tij për masakrat serbe mbi shqiptarët janë fantastike. Të dhimbshme shumë por shumë reale, janë si një fotografi. Unë kam marrë këtë detaj që është i vërtetë dhe në roman ai ka një raport me një vajzë shqiptare dhe nipi i Trockit është personazh në librin tim.

vijon…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: