Dimri është në prag dhe qarku i Korcës është një ndër zonat që përjeton një stinë të ashpër me temperatura të ulëta e reshje bore.
Për administrimin e emergjencave civile dimërore prefekti i Qarkut Nertil Jole zhvilloi një takim me përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse. Takimi kishte qëllim përcaktimin e masave dhe punën parapërgatitore për të menaxhuar sa më mirë emergjencat e shkaktuara në këtë stinë që në qarkun e Korcës.
Në takim u theksuan problematikat e konstatuara dimrin e kaluar, dhe nga pasqyrimi që Jole i bëri situatës së vitit të kaluar tha se ka patur një angazhim të mirë të strukturave të mbrojtjes civile, koordinim të punës dhe masave midis bashkive dhe institucioneve shtetërore në nivel rajonal e vendor.
Një eksperiencë e mirë është fituar tashmë në mirëmbajtjen e akseve kryesore nacionale dhe rrugëve turistike.
Prurjet e lumenjve dhe të përrenjve kryesore janë monitoruar shumë mirë dhe nuk kanë krijuar përmbytje. Prekti kërkoi që rrugët në zonat e thella të jenë në vëmendje të vazhdueshme nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore dhe subjektet e kontraktuara prej tyre për mirëmbajtjen dimërore.
Në takim u diskutua edhe për garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, të shërbimeve arsimore e shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin e qarkut, si dhe për kujdesin që duhet treguar në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor.
Prefekti Jole kërkoi zbatimin e programit të masave për përballimin e situatave emergjente gjatë periudhës dimërore dhe zbatimin rigoroz të të gjitha termave kontraktuale të miratuara nga bashkitë dhe institucionet shtetërore me subjektet private që mirëmbajnë segmentet rrugore.