Tani që koha sa vjen edhe ftohet më shumë, me siguri ju po mendoni për pallton e dimrit, edhe pse, me vitin ekstremisht të ngrohtë që po kalojmë, gjasat janë që edhe dimri të mos jetë “i frikshëm”. Megjithatë, tendencat kanë nisur të shfaqen edhe për veshjet e reja të dimrit…
Elhaida Dani, e cila këtë vit do t’i bashkohet jurisë së “X Factor Albania”, është e kujdesshme në stil dhe rrallëherë mund të ndeshësh “prova të guximshme” që dalin jashtë natyrës së saj. E kuruar deri në detaje, pa lënë as më të voglën hapësirë jashtë kornizave të veta, këngëtarja e njohur shkodrane e ka ruajtur me fanatizëm profilin e saj artistik në ekran, edhe në veshje.
Megjithatë, ka edhe “përjashtime”. Si kjo dalje e fundit e artistes, me një xhaketë me shall, e njohur si “Toteme”, e cila ka tërhequr vëmendjen e fansave, në postimin e fundit të Elhaidës dhe Arilenës në prapaskenat e “X Factor”.
E përshtatshme për çdo lloj siluete, me përmasa paksa të mëdha, me skajet e qepura dhe shallin elegant shoqërues, ky model xhakete është i prerë për tipat “me stil”.
Nëse po mendoni me cilat veshje mund ta përshtatni, përgjigjja është e thjeshtë: me gjithçka. Elhaida e ka kombinuar xhaketën me tuta dhe ‘uggs’, por edhe me body gjatë spektaklit. A nuk do të thotë kjo që ky model mund të vishet me gjithçka?
Ngjyrat janë të larmishme. E zeza klasike, bezha, grija apo ndoshta kafja çokollatë? Gjithçka do të rrijë mjaft mirë me cilëndo ngjyrë që do të zgjidhni.