Kombëtares shqiptare të futbollit iu deshën afro 5 dekada për të marrë një fitore në transfertë në një kompeticion të rëndësishëm. Këtë e arriti me një grup lojtarësh fantastikë, por edhe me një trajner që jepte gjithçka në ato kushte të vështira, si Neptun Bajko.

Kanë kaluar 28 vite nga ai sukses historik, por Bajko ka një memorie të admirueshme dhe kur nis të flasë duket si një enciklopedi. “Nuk merrnim dot lojtarët që luanin jashtë sepse nuk kishim lekë për biletat. Ja këto halle kishim atëherë. Por kishim lojtarë të mëdhenj në ekip dhe ata të zbardhnin faqen”, thotë Bajko ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Më tej ai ngre shqetësimin se në ndeshjen e sotme vetëm trajneri është me këmbë në tokë, ndërsa lojtarët shumë euforikë.

E dinit që Shqipëria nuk kishte fituar asnjë ndeshje jashtë, por a e ndienit që ju mund ta thyenit atë tabu?

Të them të drejtën, si trajner në radhë të parë, pavarësisht nga dëshirat ose ëndrrat, gjithmonë ne mendojmë të keqen në fillim dhe i ruhemi që të mos ndodhë humbja ose ndonjë rezultat negativ. Kjo është e para që mendojmë. E dyta, ne i kemi pasur me siklet edhe ndeshjet brenda dhe jo vetëm jashtë. Kjo, sepse edhe periudha kur funksiononte përfaqësuesja e Shqipërisë, kishte vështirësi të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.

Pse?

Vështirësia e parë e një trajneri të përfaqësueses së Shqipërisë në vitin 1994-1995. E para, një nga kushtet që Sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Eduard Dervishi, më thoshte: “Në këtë ndeshje nuk do të marrësh më shumë se 8-9 lojtarë nga jashtë, sepse nuk kemi mundësi as për vizitat dhe as për akomodimin. Varfëri! Por unë, meqë e kisha mik të ngushtë Gjergj Thakën, ish-anëtar i Komitetit Ekzekutiv në federatë, i jepja atij 11-12 emra dhe i thosha, “këta do të lajmërosh dhe fute poshtë këtë…” Ata kishin një si shtojcë në tavolinën e punës që e ngrinin lart dhe fusnin aty ndonjë dokument. “Këtë fute poshtë – i thosha, – ndërsa lart lër listën me 7-8 futbollistë që thotë Edi…” (Qesh). Kjo ishte vështirësia e parë, pra nuk merrnim shumë lojtarë nga jashtë. E dyta, ishte niveli i kampionatit. Unë, megjithëse e ndiqja sa mundja në Tiranë, nëpër rrethe, për të gjetur ata lojtarë që më duheshin pikërisht për një ndeshje speciale, s’po flas për Gjermaninë e Portugalinë, por për Moldavinë, prapë kisha vështirësi. Por për fat të mirë në këto ndeshje më kanë plotësuar me 13-14 futbollistë nga jashtë.

Kur në fund u dëgjua fërshëllima e bilbilit në fushë, çfarë ndjesie ishte, çfarë përjetuat ju pas fitores së parë në transfertë?

Në ato momente, kur u bë goli i tretë, pra kur gjuajti Rudi Vata, që ishte një befasi e madhe edhe për mua, sepse unë mendova se ai do të krosonte, por Rudi gjuajti direkt… Mbaj mend se nga ai moment e derisa mbaroi ndeshja, më janë ngulitur dy gjëra thellë në mendje që nuk do të më shlyhen kurrë. E para, që shikoja çdo sekondë orën dhe e dyta, kisha ndërmend vetëm të bëja ndërrimin që të fitoja kohë. Të fitoja gjithmonë atë kohë, që hë, ta shtyj derisa të mbarojë. Nuk ka gjë më të lodhshme se ato minuta shtesë kur të duhet të mbrosh rezultatin e një fitoreje që ishte historike.

Dhe ajo ka qenë Bullgaria e Stoiçkov, Balakov, Leçkov…

Po, po, Leçkov, Kostandinov… Bullgaria e ’94 që ishte e katërta në botë. I kam vlerësuar futbollistët, dhe duhet të kuptoni se nuk kisha as Demollarin, të cilin e futa vetëm 10-15 minutat e fundit, sepse nuk ishte në gjendje të mirë. Ndërsa pengu im i dytë, më i madhi, po, po, më i madhi, pa dyshim, që nuk do të më hiqet nga kurrë nga mendja, është mosardhja e lojtarëve.

Për çfarë e keni fjalën saktësisht?

Unë kam luajtur në Gjermani, në Kaizlerslautern. Jemi mundur 2-1. Ishte Gjermania e Këpkes, Mateusit dhe Klinsmanit. Madje këta të fundit kanë bërë golat, ndërsa për ne shënoi Rraklli një gol fantastik. Por, ama në atë ndeshje luajtëm pa Lefter Millon, Rudi Vatën, Bledar Kolën, që u sëmur 15 minuta para se të dilnim në nxehje. Kështu, jam detyruar të fus Malkon, Shulkun, Fortuzin. A e mendoni tani që të luash me atë Gjermani?! Pati edhe një moment kur presidenti i federatës gjermane, një natë më parë kur u shtrua banketi tradicional, i tha presidentit tonë të atëhershëm (Edmond Spahos): – Nesër kemi hakmarrjen. Më vjen keq, po pa 10 gola nuk dilni nga kjo ndeshje. Dhe presidenti ynë, në orën 01:00 të natës, pasi kthehet nga banketi, më vjen në dhomë. Unë isha zgjuar, isha në korridorin kryesor dhe kisha në kujdes lojtarët që të mos dilnin, të mos na shqetësonin emigrantët, se këta të fundit vinin pafund, dhe më thotë: – “Ti gjumë s’ke për të fjetur sot, po, p,o ta them se kam merak. – Çfarë? – ia ktheva. – Kështu më tha Braun, presidenti i federatës gjermane, – nesër do të shohim një festival golash. Mjaft na jeni bërë rrodhe ju shqiptarët…” Por, të nesërmen jo vetëm që nuk panë festival, por panë një furtunë të vërtetë ndaj asaj Gjermanie që doli kampione Europe, ku 3000 – 4000 emigrantë shqiptarë nuk reshtën së brohorituri ShqipëriaShqipëria, me daulle e me flamuj. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb