Aplikacioni SKY ka zbërthyer një tjetër grup kriminal. SPAK ka lëshuar 11 urdhër arreste, të cilat u ekzekutuan të hënën në kryeqytet, ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë. Mes të arrestuarve është Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, i cili u vu në pranga në afërsi të stadiumit “Air Albania”. Ndaj tij, rëndon akuza e përkrahjes së autorit të krimit.

Gjithashtu në kërkim është shpallur edhe djali i tij. Në kërkim në kuadër të këtij operacioni është shpallur Ervin Mata, ndaj të cilit është lëshuar masë sigurie. Midis të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme, është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit.

“Detyrim paraqitje” është caktuar për Jonida Babameton, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Ndaj grupit rëndojnë akuzat si ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘trafik droge’ dhe ‘sigurim i kushteve për vrasje’. “Bëhet fjalë për 11 persona të akuzuar për trafik droge, grup i strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për të siguruar vrasje.

Kush është Ervin Mata

Ndërsa ende nuk dihet zyrtarisht akuza që rëndon mbi të, Mata u përfshi në një ngjarje të rëndë në zonën e ish-Bllokut, ngjarje e ndodhur në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Ai u vetëdorëzua pas 6 muajsh në drejtorinë e policisë së Tiranës ku dëshmoi dhe tregoi gjithçka ndodhi natën e 4 tetorit 2018. Biznesmeni Ervin Mata ka mohuar që të ketë qëlluar me armë, apo edhe me grusht. Arratinë për gati 6 muaj, ai e argumentoi me faktin se ishte larguar pasi ishte i frikësuar

Sipas dëshmive që ka marrë policia në vendngjarje, konflikti ndodhi në kushtet kur në lokal ndodheshin Ervis Martinaj dhe Eljon Hate ky i fundit i njohur edhe me emrin Esmeraldo, dhe 2 persona të tjerë të paidentifikuar, ndërsa diku më larg Ervin Mata, e dashura e tij Elvana Gjata, Fabio Alushi, Meviol Billo si dhe 2 të tjerë ende të paidentifikuar.

Situata në lokal mes palëve kanë e qenë qetë për disa minuta dhe nuk ka pasur komunikim mes tyre. Rreth orës 21.30 në lokal shkoi Fabian Gaxha truproja i Ervis Martinit. Sapo e ka parë Mata i ka kërkuar të sqarohen për një ngacmim që i kishte bërë të dashurës së tij, këngëtares Elvana Gjata dhe një vajze tjetër të showbizit. Burimet nga hetimet thonë se mes palëve ka patur konflikte edhe më herët dhe ngacmimi i këngëtares mund të jetë përdorur si pretekst.

Duke parandjerë se gjakrat do të nxeheshin pronari i lokalit Redi Popesku i kërkoi Elvanës të largohet. Disa minuta pasi u largua, këngëtarja u rikthye për t’i kërkuar të dashurit të largohet. Burimet thonë se ajo nuk hyri më në ambientet e brendshme të lokalit dhe pas largimit për herë të dytë, konflikti u ashpërsua.

Kur Fabiani u afrua nisi konfrontimi fizik. Mata e ka goditur disa herë me grusht duke e ulur në tokë. Më pas në ndihmë të Fabianit erdhën Ervis Martini dhe Eljon Hate, menjëherë ka nisur shkëmbimi i zjarrit mes palëve dhe në këto çaste Meviol Bilo, një komando ushtrie, qëlloi mbi grupin rival duke vrarë Fabian Gaxhan dhe duke plagosur Ervis Martinin dhe Eljon Haten. Bilo njihet si eksperti i përdorimit të armëve të zjarrit dhe si një nga qitësit më të mirë në ushtri.

Autorët e ngjarjes pas të shtënave kanë dalë me shpejtësi nga lokali. Në kamera duket që njëri prej tyre është larguar në këmbë në rrugicat e bllokut, tjetri me makinë, ndërsa i treti nuk duket në pamjet e kamerave të sigurisë. Policia ka mbërritur rreth 10 minuta pas ngjarjes, me të marrë sinjalizim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb