Krerët e partive opozitare kanë dalë sot në një konferencë shtypi. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi se opozita duhet të ngrihet në përgjegjësitë e saj. Ai mes të tjerash tha se propozojnë institucionalizimin e federatës së opozitës.
“Opozita duhet të jetë e bashkuar, vetëm kështu mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri. Shqipëria ka qenë vendi i të mundurave të habitshme. Të gjithë ata që duan të kontribuojnë në një qëndrim të përbashkët të opozitës padyshim i kemi parë si marrëdhënie racionale. I ngelet partive politike që të përcaktojnë qartë pozicionin e tyre në raport me qëndrimet. Partitë mund të funksionojnë edhe jashtë kësaj Federate, por shpresoj që të kenë një qëndrim të qartë që i shërben interesave të vendit dhe të opozitës”, tha Fatmir Mediu.
Mes të tjerash Mediu u ndal dhe te reforma zgjedhore, ndërsa shtoi se ajo duhet të ketë rëndësi primare. Ai tha se bashkëkryetari për komisionin e Reformës zgjedhore duhet të jetë përfaqësues i opozitës. Po ashtu Mediu nënvizoi faktin se parlamenti të kthehet në binaret kushtetues dhe se duhet dialog në politikë, me prezencën e ndërkombëtarëve.
Deklarata e plotë e Fatmir Mediut:
Ne, përfaqësuesit e partive opozitare, prezent në këtë takim, deklarojmë sa më poshtë:
Duke vlerësuar me shqetësim situatën e rëndë në Ballkan, interesin tonë si shqiptarë dhe si vënd anëtar i NATOs, për t`ju përgjigjur sfidave të sigurisë dhe jo vetëm;
Duke marrë në konsideratë situatën shumë të rëndë politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri;
Cënimin e rëndë të sistemit tonë kushtetues, të një Republike Parlamentare;
Rikthimi i pluralizmit dhe demokracisë funksionale.
Mosfunksionimin e Parlamentit dhe parlamentarizmit dhe kthimin e tij në apendiks të qeverisë;
Mosrespektimin e lirive dhe të drejtave të qytetateve dhe shkeljet flagrante të tyre nga qeveria;
Braktisjen masive të vendit nga profesionistë, të rinj dhe të reja;
Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përdorimi i shtetit për interesa politike, përdorimin e grupeve kriminale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve;
Rrëshkitjen drejt një qeverisje autoritare;
Nevojën për të krijuar shpresë dhe besim, në mënyrë të vecantë përfshirjen në të drejtën për të votuar, por dhe për të qënë pjesë e vendimarrjes dhe institucioneve të diasporës shqiptare, që përbën mbi 35% të popullsisë, në respektim dhe të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese;
Nevojën që opozita të ngrihet në përgjegjësitë e saj, për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat e shqiptarëve;
Nevoja për një politikë që tejkalon debatin rreth liderëve politikë, por që bashkohet rreth ideve me interes kombëtar, garantimin e Integrimit Europian dhe një demokraci Institucionale;
Nevoja për të zhvilluar një partneritet të qëndrueshëm me vëndet e NATOs dhe BE;
Propozojmë sa më poshtë:
- Institucionalizimi i Federatës së opozitës, ku përfshihen të gjithë faktorët politikë parlamentarë dhe relevant opozitar, të cilët marrëdhënien dhe bashkëpunimin opozitar, e cmojnë si detyrim dhe jo marrëveshje që fuqizojnë qeverinë dhe antikushtetutshmërinë;
Me moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, ndërtimin e një Shqipërie Europiane”.
- Federata koordinohet nga një grup koordinator deputetësh, që pranohen nga faktorët politikë të opozitës.
- Transformimi i kësaj Federate në një koalicion bashkimi opozitar, duke përcaktuar emrin e saj, programin politik dhe logon e kësaj Federate.
- Përcaktimi i strategjisë elektorale të koalicionit (Federatës).
- Përfshirja në bashkëpunim Institucional me organizatat e diasporës, për të garantuar votimim e diasporës dhe kandidimin e tyre.
- Përcaktimi i rregullave të funksionimit të këtij koalicioni për cëahtjet që do diskutohen, kohën e takimeve dhe mënyrën e vendimarrjes.
- Të synohet vendimarrja konsensuale ose në të kundërt me 2/3 e votave të deputetëve të opozitës.
- Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e cdonjërit nga kryetarët e partive parlamentare apo përfaqësues i grupit koordinator.
- Kjo Federatë do të mandatojë një grup deputetësh, përfaqësues për marrëdhëniet dhe diskutimin me partnerët ndërkombëtarë, për cështjet me rëndësi për vendin dhe rajonin.
- Organizimi i kësaj Federate në nivel lokal, rajone dhe Bashki.
- Organizimi parlamentar.
Takimi parlamentar i opozitës me përfshirjen e gjithë deputetëve të opozitës, të dalë nga zgjedhjet e 2021, nën koalicionin PD-AN dhe përfaqësuesve parlamentarë të partive të tjera.
- Reforma Zgjedhore: Tejkalimi i problemit të përfaqësimit të opozitës në Komisionin Ad Hoc, duke krijuar mekanizmat e një mirëkuptimi opozitar inkluziv.
Propozojmë:
Opozita të zgjedhë me votën e gjithë deputetëve të saj, përfaqësuesit në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Cdo grup parlamentar duhet të jetë i përfaqësuar në këtë komision. Deputetët zgjedhin me 2/3 bashkëkryetarin. Nëse në dy raunde nuk zgjidhet, atëherë në raundin e tretë e zgjedhin me shumicë të thjeshtë.
- Komisionet hetimore, në respektim të së drejtës kushtetuese të opozitës dhe Parlamentit, në funksion të kontrollit të qeverisë.
- Koordinimi i vendimeve dhe veprimeve parlamentare të opozitës.
- Koordinimi i qëndrimeve në Asambletë Parlamentare apo përfaqësimet ndërkombëtare.
- Deputetët mblidhen të paktën 1 herë në javë. Cdo grup prej 5-7 deputetësh, ka të drejtë të thërrasë takimin, me detyrimin për të prezantuar me shkrim propozimin apo qëndrimin tek përfaqësuesit e tjerë, me synimin:
- Qëndrim i unifikuar i opozitës, për Reformën Zgjedhore dhe respektimin e Kushtetutës.
Në këtë kuadër, të gjitha partitë e Federatës, të paraqesin opsionet për Reformën Zgjedhore, deri në përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët. Propozimet të paraqiten me shkrim brenda 2 javëve dhe të paraqitet në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
- Qëndrimi i partive tona për Reformën; është një sistem propocional kombëtar me lista të hapura, ose cdo subjekt mund të zgjedhë nëse aplikon listat e hapura apo listat e mbyllura.
- Reforma Administrative domosdoshmëri për një zhvillim dhe administrim propocional të vendit dhe shmangjen e braktisjes e zonave të tëra të Shqipërisë.
- Komisionet Hetimore dhe veprimtari të tjera parlamentare për rikthimin e Parlamentit në binarët kushtetues.
- 3. Grupi i Punës për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtar:
- Formatimi i një qëndrimi të qartë si vend i NATOs dhe në procesin e anëtarësimit Europian për zhvillimet gjeopolitike si dhe rajonin e Ballkanit;
- Qëndrim i qartë kundër influencave të aktorëve të tretë, në mënyrë të vecantë Rusisë dhe Kinës, të cilët synojnë frenimin e anëtatësimit Euro-Atlantik të Ballkanit;
- Krijimi i një boshti të qëndrueshëm bashkëpunimi politik, ushtarak dhe ekonomik me vëndet e NATOs në Ballkan.
- Marrëdhënie bashkëpunimi të ngushtë partneriteti, vecanërisht me partnerin strategjik SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe.
- Qëndrimi i koordinuar me faktorin institucional dhe politik shqiptar në rajon, jashtë cdo paternalizmi, në lidhje me Kosovën, rajonin dhe në kuadër të NATOs.
- Përgatitja dhe dokumentimi i situatës në Shqipëri, duke u mbështetur në fakte si dhe raporte ndërkombëtare si; Raporti i ODHIR, Raporti i Departamentit Amerikan për krimin dhe trafiqet, raporte të tjera të Komisionit Europian, propozime të zgjidhjeve dhe alternativat opozitare.
- Respektimi kushtetutes, Reforma Zgjedhjore, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, zbatimi i detyrimit ligjor dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votimin e diasporës, avancimi në proçesin e integrimit të vendit në BE.
- Nevoja e dialogut pozitë-opozitë me prezencë të ndërkombëtarëve (grupi i miqëve të Shqipërisë), me prioritetet e prezantuara më sipër dhe rikthimi i Parlamentit dhe debatit politik në normalitetin e një vendi anëtar të NATOs.
- Bashkëpunimi me trupin diplomatik në Tiranë, për zgjidhjet që ofrojmë, duke parashtruar me shkrim qëndrimet tona, për të evituar keqinterpretimet.
- Bashkëpunim me OSBE dhe ODHIR, për Reformën Zgjedhore. Angazhimi pranë Komisionit Ad Hoc të Reformës Zgjedhore të një eksperti të ODHIR-it.
- Krijimi i Senatit të Opozitës:
- Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura inteletuale të artit, mjekësisë, Universiteteve, kulturës, me figuara të shquara, që janë jashtë vendit.
(BalkanWeb)