Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, të cilit i dhuroi “Çelësin e Qytetit” në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen ndaj shqiptarëve.

Kryebashkiaku Veliaj tha se lidhja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë është shumë e veçantë, edhe për shkak të shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë sot në Gjermani. Ndërsa, Presidenti Krach u shpreh i lumtur se do të bashkëpunojë me një qytet dinamik si Tirana.

“Shqipëria sot është më moderne, Tirana është më e hapur. Kur jam rritur unë, Gjermania ishte një ëndërr. Kur shikonim Altin Lalën që luante në Hanover, për ne ishte vizatimi i një ëndrre të bukur, që nuk dinim a realizohej.

Sot më vjen mirë që takohemi si të barabartë! Jam shume i lumtur që Hanoveri është kthyer në një shtëpi për shumë shqiptarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Por, duam që edhe ju ta cilësoni Tiranën si një shtëpi tuajën, si mirënjohje që vjen nga zemra jonë për faktin se e keni hapur rajonin e Hanoverit, duke I bërë njerëzit të ndihen si në shtëpinë e tyre, duke i trajtuar si të barabartë, e duke u dhënë mundësi të shkëlqejnë. Prandaj, ju dhuroj ‘Çelësin’ e shtëpisë sonë, i cili është një simbol për miqtë që duan ta gjejnë gjithmonë derën e hapur, siç do ta keni ju dhe skuadra juaj”, u shpreh Veliaj.

Presidenti i Rajonit të Hanover, Steffen Krach nënvizoi se “kjo është vizita jonë e parë këtu, por nuk do të jetë e fundit. Jemi të lumtur dhe mezi presim që të bashkëpunojmë me ju, me Tiranën tuaj, që është një qytet dinamik”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: