Katër vite pas tërmetit tragjik në Durrës që la pas 51 viktima e qindra të plagosur, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ishte këtë të diel në Durrës ku midis të tjerash përkujtoi edhe tragjedinë që preku vendin tonë në vitin 2019.
“Vlerat njerëzore të këtij qyteti dhe të kombit tonë si: humanizmi, solidariteti, angazhimi, mobilizimi, dhe puna e jashtëzakonshme bënë që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin sa më shpejt. Sot, pas 4 vjetësh, le të kujtojmë me respekt viktimat e tërmetit të 26-nëntorit”, thotë kreu i Shtetit.
Ndërkaq, Presidenti mori sot pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, në përkujtim të 26 Nëntorit 1912. Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e qytetarëve të Durrësit, që në atë kohë dolën në krah të patriotëve për ardhmërinë e Shqipërisë së pavarur dhe, gjithashtu, vizionin e tyre sot për transformimin e qytetit.
“Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor, u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall.”- theksoi Presidenti.
Presidenti Begaj, gjatë fjalë së tij në këtë ceremoni, shprehu mirënjohje për sakrificat që durrsakët kanë bërë gjithmonë për të mirën e vendit dhe mençurinë që kanë treguar, duke kapërcyër çdo ndasi për interesin kombëtar: “Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e gjuhës, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi. Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, si dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin, që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë”, u shpreh Presidenti.
Gjatë vizitës në Durrës për festën e flamurit, Presidenti Begaj u takua me qytetarët dhe autoritetet drejtuese vendore. Gjithashtu, ndoqi një ekspozitë pikture për festat e nëntorit dhe zhvilloi një vizitë në sitet arkeologjike të Durrësit.