‘Greqia nën presionin e BE-së për Shqipërinë’! Ky është titulli i gazetës greke “Kathimerini”, që shkruan se “konsultimet intensive diplomatike po zhvillohen me Greqinë me qëllim që të pranojë të dërgojë një letër në emër të Këshillit Evropian në Tiranë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat për tre grup-kapitujt e parë”.
Diskutimi përkatës pritet të zhvillohet në takimin e përfaqësuesve të përhershëm në BE të mërkurën (sot, 29 nëntor), pasi Shqipëria përfundoi me sukses fazën e parë të negociatave të anëtarësimit në BE të premten e kaluar pas 14 muajsh konsultime. Nuk është sekret se Athinës i është bërë presion, shkruan Kathimerini, duke cituar burime diplomatike evropiane të cilat i kanë thënë se kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar përmes kanaleve diplomatike se procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një çështje dypalëshe.
Madje, sipas një zyrtari evropian, edhe presidenca spanjolle e BE-së shfaqet veçanërisht e acaruar me qëndrimin e palës greke, shkruan gazeta greke. Në këtë sfond, Greqia nuk mundet, thanë burime diplomatike, të vazhdojë bllokimin e letrës në fjalë për një kohë të gjatë pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të Shqipërisë.
Greqia është zotuar të bllokojë aspiratat e Tiranës për në BE për sa kohë nuk zgjidhet çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg që prej muajit maj, duke theksuar se po shkelen të drejtat e njeriut. Në përgjigje të akuzave që synojnë Greqinë për ta bërë çështjen dypalëshe, ministri i shtetit Stavros Papastavrou theksoi se qëndrimi i Athinës ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve evropiane. “Çështja Beleri është thellësisht evropiane, nuk është dypalëshe. Ka të bëjë me respektimin e shtetit të së drejtës,” tha Papastavrou.