Pas Fatmir Mediut lidhur me tragjedinë e Gërdecit, janë marrë në pyetje sot në procesin gjyqësor në GJKKO edhe dy dëshmitarë, Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo.

Gazetarja Klodiana Lala e cila ka ndjekur procesin nga afër, bën me dije për BalkanWeb se Hoxha ka deklaruar para trupit gjykues se në kohën që ka qenë Drejtor logjistike ka hartuar një memo për Bërzhitën, ku ka dalë në konkluzion se ky vend nuk është i përshtatshëm për demontimin e armëve pasi banesat kanë qenë shumë pranë. Ndërkohë sipas tij, ai nuk është pyetur kurrë për Gërdecin gjstë kohës që ka ushtruar këtë detyrë.

“Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë nga ana tjetër Sula ka deklaruar se ka nisur punë në Gërdec, pasi ishte i papunë. Ai ka pohuar se ka parë më sytë e tij që zjarri ka nisur në një karrocë, që sipas tij ka pasur 2 ose 2 thasë me barut. Thënë këtë, ai lë të nënkuptohet se shpërthimi në Gërdec ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor.

“Ditën e ngjarjes ishim rreth 60 punonjës në fabrikë dhe dëgjoj një punëtor duke bërtitur ‘baruti u ndez’. Kur dola pashë një djalë të ri pranë karrocës që na kishin thënë se sapo ishte salduar, por duket pasi hodhi dy tre thasë, filloi të ndizej. Pastaj u dëgjua një shpërthim. Aty afër ishin rreth 4 kontejner me barut. Edhe në shesh kishte sasi të madhe baruti të hedhur. Kur pashë zjarrin tek karroca e salduar, ishte një djalë që ndoshta ka qenë bërë gati për ta shtyrë, ai vdiq, u shtrimë në tokë. Jemi djegur nga pas duke qenë se flakët vinin pas nesh. Pashë me sy flakët dy metër mbi karrocë. Për një kovë uji ndodhi ajo që ndodhi po të ishte kapur menjëherë. Flaka sipas meje nisi për një gabim njerëzor, ai ishte aktivitet privat, nuk kam parë zyrtar shtetërorë. Unë isha i punësuar në privat në atë fabrikë”, ka deklaruar dëshmitari.

BalkanWeb

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb