Pas 9 vitesh Vllaznia ar riti të fitojë në Durrës, një fushë “e mallkuar” për një kohë kaq të gjatë. Skuadra e Osmanit mori një fitore me plot vlera për vetë situatën në të cilën gjendeshin kuqeblutë në renditje. Goli vendimtar i shënuar nga ish-i Ildi Gruda, që në minutën e 4-t të ndeshjes i dha ekipit suksesin e katërt në 14 javët e këtij sezoni.

Një sukses, që i jep shpresë e besim ekipit kuqeblu pas një periudhe plot vështirësi e situatash të paqarta. Por përveç fitores ndaj një kundërshtari si mace e zezë, ishte edhe një fakt tjetër që ra në sy. Vllaznia, si asnjëherë tjetër, ishte e mbushur me lojtarë shkodranë. Madje më shumë se kurrë në sezonet e fundit.

PLOT ME SHKODRANË – Ishin gjithsej nëntë lojtarë shkodranë në formacionin e parë të skuadrës kuqeblu, çka përbën një statistikë unike edhe në krahasim me skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore. Në portë ishte portieri Qarri, teksa në mbrojtje Hakaj, Smajli dhe Pusi. Në mesfushë Shkodra përfaqësohej me dyshen Krymi dhe Sala, që e nisën nga minuta e parë. Sakaq, sulmi ishte i gjithi shkodran me Balajn në majë dhe Çobën e Grudën nga krahët.

Të vetmit joshkodranë ishin Juriç dhe Boshnjaku, dy shartuesit e tjerë të rreshtimit kuqeblu në Durrës. Një Vllazni me kaq shkodranë në formacion nuk e kishim parë prej shumë sezonesh. Duket se kjo ishte fatsjellëse, por edhe frytdhënëse për skuadrën, që mori një fitore të munguar prej shumë javësh dhe duket se tashmë do të kërkohet vazhdimësia. Nisur nga dy lojërat e fundit, kjo skuadër i ka bërë të gjithë të shpresojnë se mund të vijojnë në rrugën e rezultateve pozitive.

STËRVITJA – Ekipi kuqeblu nuk ka kohë për të humbur dhe i është kthyer stërvitjes për takimin e së shtunës ndaj Egnatias. Nga sa mësohet, me përjashtim të Malës e Stojanoviçit, skuadra ka qenë e plotë. Ndërsa pas Asanit e Çeshmedjiev, në stërvitje është bashkuar edhe mbrojtësi Spahija.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: