Kreu i ish të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni i ftuar në studion e News24 ka folur lidhur me vizitën e delegacionit të kësaj shoqate në Vatikan.

Ndregjoni u shpreh se Papa Françesku zhvilloi me delegacionin një bisedë mbi gjendjen aktuale në Shqipëri, ndërsa atij iu raportua për bilancin tragjik të komunizmit.

Ai shtoi se Ati i Shenjtë u shpreh i tronditur nga kjo panoramë, pasi nuk kishte shumë njohuri lidhur me qëndresën e të përndjekurve politikë përballë diktaturës komuniste.

“Papa Françesku pati kënaqësinë të na ftonte në Vatikan dhe të zhvillonte një bisedë të vërtetë mbi gjendjen aktuale në Shqipëri. Ne i raportuam Papës atë që është një bilanc shumë tragjik lidhur me komunizmin. Ka një bilanc të burgosurish, të pushkatuarish dhe persekutuarish pa faj.

Forcat politike sot kanë bërë vetëm një ligj për dëmshpërblimin. Megjithatë do të duhen edhe dy breza për të kryer dëmshpërblimin e plotë. Shoqëria shqiptare është ende e ndarë. Është pjesa që përfitoi nga benefitet e diktaturës dhe pjesa tjetër që pasi përballoi atë diktaturë kriminale, ndodhet sot e përçmuar.

Papa u trondit shumë nga kjo panoramë. Ai nuk e dinte që veç klerikëve katolikë këtu janë vrarë dhe myslimanë e ortodoksë. Nuk kishte shumë njohuri për qëndresën që kanë bërë të përndjekurit politikë përballë asaj diktature”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb