Shkrimtari dhe autori i njohur Albatros Rexhaj i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur rreth problematikave të shëndetit mendor, duke ndarë edhe eksperiencat e tij personale.
Rexhaj u shpreh se ai vetë është diagnostikuar me PTSD (Trauma dhe Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik), për shkak të luftës në Kosovë, simptoma që sipas tij janë shfaqur rreth një dekadë pas konfliktit.
Megjithatë ai u shpreh më tej se shëndeti mendor është një “luks” për një pjesë të madhe të popullsisë, pasi sipas tij shtresa të ndryshme sociale kanë problematika të tjera si varfëria, etj.
“Unë jam diagnostikuar prej kohës me PTSD që vjen prej luftës, 10-15 vite pas luftës janë shfaqur simptomat. Mjeku thotë të dëgjosh trupin, ndërsa unë kam nisur të dëgjoj shpirtin tim duke identifikuar faktorët që më stresojnë dhe më nxjerrin nga normaliteti.
Duke folur me shumë njerëz kam dalë në përfundimin se shëndeti mendor është luks për një pjesë të madhe të popullsisë. Për të flasin një pjesë e popullsisë, ndërsa një pjesë më e madhe neglizhohet.
Nëse takon një shtresë sociale që ka probleme të varfërisë, mbijetesës, etj, të flasësh për shqetësime mendore është jashtë realitetit të tyre. Unë kam identifikuar stresin në punë si një prej faktorëve dhe faktori i dytë është moskuptimi nga rrethi i ngushtë. Flitet për një fenomen që siguria, qoftë kombëtare, është të jesh i lirë nga frikë”, u shpreh ai mes të tjerash.